Bota intime e Balthus

Sa herë jam gjendur para një tabloje të Balthus në qendrën e Kulturës “Georges Pompidou“ në Paris (“Kompozimi i madh me korbin“) apo gjetkë, një ndjesi e çuditshme më ka pushtuar. Një ndjesi admirimi mbi perfeksionin, sensualen apo erotikën, përsosmërinë e figurave, ngjyrave, kompozimeve të ofruara aq paqësisht, të lëna aty në heshtje për të kundruar veç hiret e së bukurës. Edhe pse tablotë e tij spikasin menjëherë dhe gjithkush njeh në to penelin e mjeshtrit Balthus, qëndrimi i gjatë para tyre të fut vërtet në një botë të veçantë, në momente të së përditëshmes jetësore, familjare apo qytetare, me njerëz në rrugë, në sheshe, në dritaret e shtëpive, me rrugët nostalgjike të tij, me fëmijët në dhoma dhe adoleshente që krihen, që shohin vetveten para pasqyrave apo që janë para një libri.

Tek Balthus mungon tema historike, mungojnë heronjtë, ehot e luftrave, dramat e mëdha popullore e individuale, apo arti militant. Ai i ka qëndruar gjithnjë larg politikës, i dashuruar siç ishte pas artit. E rëndësishme për të ishte krijimi i së bukurës, për çka ai nuk nxiton ta krijojë. Tablotë e tij qëndrojnë gjatë mbi kavalet, në telajo, ndodh që kalojnë stinë dhe vite gjersa të dalin nga atelieri i tij për një ekspozitë apo muze, për tu parë më së fundi në publik. Nuk i interesonte kritika apo se çfarë mendonin specialistët për pikturën e tij, nëse ishte aktual, i modës, apo arkaik për kohën që jetonte… Ai mjaftonte të thoshte se për të piktura dhe krijimi i saj ishte një akt “sacré“, një akt i shenjtë. Kjo nuk ishte thjesht një thënie poetike por një përjetim i vërtetë çka do ta tregojë vetë jeta e tij e gjatë në pikturë.

Kur në vitin 2001 Balthus vdiq në shtëpinë e tij në Rossinière të Zvicrës, në moshën 93 vjeçare ai ende pikturonte pasi gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria ai veç kishte pikturuar. Taboja e tij e fundit ishte “Piktori dhe modeli“. Me penelin e tij Balthus ka krijuar padyshim një botë fëminore tepër intime si figura që janë jashë shqetësimeve të kohës, disi ëndërrimtarë, poetikë, në lojën e tyre fëminore, të lëshuar nga pesha e botës jashtë, të shpenguar në qëndrimin e tyre, ku fustanet nuk i mbulojnë kofshët e tyre, në marrëdhënie intime me nënën, vëllain, atin e herë-herë duke parë botën jashtë dritares, apo thjesht në rrugë, në rrugët që ai jetoi, çka përbëjnë për të një një nostalgji më vete. Tablotë nuk janë me ngjyra shumë të forta, nganjëherë disa të zbehta, por me një dritë fosforeshente siç i cilësonte miku i tij Antoine Artaud, poeti i tij i dashur, një si-vëlla në arte: “Tek Balthus mund të themi se ka një ngjyrë, një dritë dhe luminozitet. Karakteristikë e kësaj dritshmërie është se ajo është e padukshme. Objektet, trupat, fytyrat, janë fosforeshente, pa arritur ta kuptojmë se nga vjen kjo dritë“. Një nga modelet e tij adoleshente ishte Ana Wahli, vajza e një miku të tij. E kishte pikasur një ditë dhe ishte tërhequr shumë pas figurës së saj çka e shtyu të bisedonte me të atin që të mund ta pikturonte. Dhe ai sigurisht pranoi. Kështu nisën seancat e pikturës për adoleshenten Ana, me një komplicitet të veçantë, siç ndodh gjithnjë midis modelit dhe artistit, edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë me adoleshencën, kohën e purbertetit. Pas vdekjes së Balthus, Ana do të kujtonte para gazetarëve të huaj: “Fillova të pozoj para Balthus që kur isha 8 vjeç. Isha një vajzë e vogël dhe ai ishte fqinji ynë, një burrë simpatik që e shihja kur luaja me një mike time në Grand Chatelet, ku ai jetonte. Një ditë po këndoja një arje të Mozart, “Mbretëresha e natës“. Ai e donte shumë Mozart dhe kur më dëgjoi pati një lloj vizioni… Më kujtohet që në seancën e parë u ndjeva keq. Kisha një ndjesi të çuditshme që ai më shikonte në atë mënyrë. Balthus më ka thënë më vonë se dhe ai e kishte ndjerë veten shumë keq përballë meje. Vështrimi im e turbullonte shumë. Një ditë, gjatë seancës, tek po më vizatonte ai u nevrikos me kalemin dhe e hodhi poshtë. Që atëherë përdori polaroid, duke më fotografuar. Në çdo seancë ai më vështronte gjatë dhe pastaj bënte disa fotografime në poza të ndryshme. Me shkopin e tij ai afrohej dhe më ç’vendoste këmbën apo duart në pozicione të ndryshme…» Këto seanca me Anën vazhduan gjatë dhjetë vjetëve. Më vonë, meqë Balthus e caktuan te drejtonte Akademinë Franceze në Romë, atje ai u njoh me një japoneze të quajtur Setsuko e cila e donte pikturën dhe që u bë më pas modelja e tij, çka e shohim dhe në një tablo ku ajo është nudo, veshur me një rrobë japoneze duke mbajtur një pasqyrë dhe që është një nga pikturat e tij më të bukura. Më shumë se gjysmë shekulli, deri sa vdiq, kjo japoneze do të ishte muza e tij.

Me një nënë piktore, Beladine, nxënëse e piktorit impresionist Bernard dhe një baba koleksionist me origjinë polake, Erich Klossowski de Rola, ai u përkund në një mjedis piktural ku miq të prindërve ishin piktorë e skulptorë të njohur të kohës. Në fakt, aventura e tij e vërtetë pikturale filloi kur fëmija Balthus humbi macen e tij Mitsu. Ai e vuajti shumë këtë humbje për çka, poeti Rilke, i dashuri i nënës së tij, e shtyu të vizatonte rreth maces Mitsu. Dhe ai vizatoi çaste të ndryshme të këtij persoazhi që do të bëhej personazh i një libri me 40 vizatime dhe me një parathënie të vetë poetit gjerman Rilke.

Ishte fillimi i një pasioni, i një dashurie që do të vazhdonte gjatë një jete të gjatë, të paqtë dhe mbushur me dashuri, deri në vdekjen e tij.

Ky artist i ngjante një murgu, çka jo rrallë e pohonte edhe vetë. Ishte vetmia me një lloj lutje para telejos siç thoshte ai, një lutje për atë çka do pikturonte apo që kishte pikturuar. Një dialog me dritën, figurën, botën që ravijëzohej brenda një telajo, aty mbi kavalet. “Duhet të mësosh si ta kapësh dritën, – thoshte ai, – si ti kapësh thyerjet e dritës, ikjen e saj, pasazhet e saj. Ta shohësh që në mëngjes pas leximit të letrave dhe gazetave, duke vëzhguar gjithnjë gjendjen e dritës, të dish nëse mund të pikturosh sot dhe nëse progresi drejt misterit të tablosë do të jetë i thellë…“

Dukej se atelieri ishte gjithçka për të: strehëza, prehja e artistit, rrugët imagjinare, kujtesa, emocioni, ngjizma e ngjyrës dhe mistikja e shpirtit. Gjithçka ishte aty kur gjatë kohës që pikturonte apo në pauzat e punës, ai dëgjonte Mozart të cilin e konsideronte më të madhin e kompozitorëve gjatë gjithë historisë së muzikës. “Atelieri është gjithçka për mua, – tregonte Balthus. – Eshtë vendi im iluminues. Më kujtohet atelieri i Giacometti-t. Një atelier magjik, plot objekte, materiale, letra dhe ajo ndjesi se je afër sekreteve, fshehtësisë… Asnjë ditë pa Mozart, pa hiret dhe pushtetin e tij. Asnjë ditë pa dëgjuar e medituar mbi Dasma e Figaros, Cosi fan tutte, Flauti magjik… Mozart është për mua mbi gjithë kompozitorët e tjerë, ai i përket universales, shprehjes më të lartë të shpirtit njerëzor. Më shumë se kushdo tjetër, ai di të vibrojë emocionet dhe të arrijë kështu të fshehtat e botës, misteret më të fshehura të saj. Ai ka qenë gjithnjë idhulli im… Piktura dhe muzika shkrihen me njëra-tjetrën. Që të dyja flasin për të njëjtën gjë, ato kërkojnë dhe gjejnë të njëjtin vibrim. Në muzikë, si dhe në pikturë, mund të arrijmë në diçka tejet të shenjtë…“

Eshtë e habitshme që shpesh në disa piktorë gjen një detaj që përsëritet si një letmotiv, që e gjen sa në një tablo në tjetrën, siç ishte llulla e Margrite që e gjejmë jo rrallë në tablotë e tij. Kështu ndodh dhe me Balthus, ku shpesh janë macet që shfaqen aty këtu në mjedisin e pikturës, pranë personazheve dhe herë-herë me një domehënie. Që në një nga tablotë e tij të mëdha, të pikturuar në moshën 27 vjeçare, në autoportretin e tij ëshë dhe një mace që i ngatërohet një mace në mënyrë komike apo për më tepër ironike. Tabloja quhet “Mbreti i maceve“ (Le Roi des chats). Eshtë ai, Balthasar Klossovwki, që përdori pseudonimin Balthus me macen e tij. Por jo vetëm macet. Ajo që përbën thelbin e pikturës së tij janë persoazhet femërorë, veçanërisht adoleshentet, për të cilat jo pak ëshë folur në kritikën artistike dhe shpesh e lidhur me skandale, siç ishte dhe tabloja “Vajza me kitarrë“ apo “Tereza duke ëndërruar“, e cila ishte blerë nga MoMA në New York. Kur dikush e kishte parë të ekspozuar, menjëherë ishte tronditur nga vështrimi sensual i tij ndaj një adoleshente dhe kishte mbledhur 12 mijë nënshkrime me kërkesën që muzeu ta hiqte nga fondi i saj. Nënshkruesit puritanë amerikanë, jo aq njohës të pikturës, nuk e kuptonin se në kohën e Renesansës kjo figurë e adoleshentes me mbathjet e bardha që i duken paksa dhe jo nudo nuk përbënte një skandal më vete ndërkohë nudo ishte mjaft e përdorur dhe askujt nuk i kishte shkuar në mendje të protestonte. Engjëjt si të thuash ishin xhveshur. E megjithatë, nën presionin e trusteve financuese të muzeut, MoMA e shiti sërish. Balthus qëndroi jashtë kësaj polemike pasi e ndjente se s’kishte pse të shpjegonte veprat e tij. Ai e kishte parim që të mos i thoshte se ç’donte të thoshte me këtë apo atë tablo, çka duket në qëndrimin e tij larg mediave, kamerave, intervistave. Parapëlqente gjithnjë vetminë. Madje kur në vitin 1964 drejtori i Tate Gallery në Londër i kërkoi dy fjalë për hyrjen e ekspozitës që do organizonte, ai i dërgoi vetëm një telegram ku i shkruante: “Mënyra më e mirë për të filluar ekspozitën është të thuhet: Balthus është një piktor për të cilin nuk dimë asgjë. Atëherë le të shohim tani veprën e tij…” Intervistat e Balthus në shtypin e kohës janë tepër të rralla aq sa për biografët ka qenë e vështirë ta njohin personazhin në thellësi të tij, nga vinte ky artist, ç’ishte bota dhe drama e tij, cilat ishin ndjesitë e tij dhe marrëdhëniet me artin dhe botën që e rrethonte.

Në “Kujtimet” e tij të botuara pas vdekjes, ai flet për adoleshencën e tij, rininë parisiane kur erdhi në vitin 1924 dhe u vendos në Rue Malebranche apo në rue Furstemberg e më pas në Cour de Rohan, në një kohë që prindërit ishin divorcuar tashmë. Ai kujton studimet rreth pikturës pranë Bernard, kopjimet në Louver të tablove të Poussin e më pas për udhëtimet e tij në pikëtakim me idolët italianë siç ishin Piero della Francesca në Arezzo ku ai u mahnit përballë tablosë “Legjenda e Kryqit të vërtetë” apo tablotë dhe afresket e Massaccio-s në Firenze. “Nga Piero della Francesco, – kujtonte ai, – kam mësuar si të përdor hapësirat e mëdha në tablo që ato të jenë në ekuilibër me njëra-tjetrën”… Edhe pse në fillimet e tij kishte përqafuar lëvizjen surrealiste me Andre Breton, duke bashkëpunuar me revistën e tyre “Le Minotaure”, ai përsëri qëndroi larg tyre pasi nuk e duronte diktatin e një shkolle të caktuar. Ai nuk i pëlqente ideologjitë të çfarëdo lloj ngjyre të ishin. Kështu vazhdoi me ekspozitat e tij në Zyrich më 1929 e më pas në galerinë e Pierre Matisse në New York, më 1938. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u largua në Savoie dhe në vitet e para pas luftës punoi për dekoret e nje pjese teatrale të Albert Camus “Shtetrrethimi” apo me dekoret e operas “Cosi fan tutte”, në Paris. Por përsëri ai do t’i largohej zhurmës parisiane duke u vendosur në kështjellën e vjetër Chassy, në Montreuillon të Bourgogne-s. Aty ai vazhdoi të pikturojë me formatet e tij të mëdha, peizazhe apo përsëri me adoleshentet e parapëlqyera të tij. “Unë i shoh adoleshentet si një simbol. Vështirë të pikturoj një grua. Bukuria e adoleshentes është më interesante. Ato simbolizojnë të ardhmen. Një grua në fakt e ka gjetur vendin e saj në botë, ndërsa një adoleshente jo. Trupi i një gruaje është i plotë dhe misteri tashmë është zhdukur”. Edhe tabloja e fundit e Balthus “Piktori dhe modeli” është përsëri një burrë me kurriz (piktori) dhe përballë një vajzë që lexon në gjunjë, pranë një karrige, ku shquhet dhe një shportë me mollë. Tekstura e telajos ka diçka nga tekstura e afreskeve murale të Renesansës, një influence që vihet re dhe në një tablo të madhe të tij, ku një grua, veshur me një fustan veluri në ngjyrë kafe vështron nga dritarja. Veshja, ngjyrat, qëndrimi i saj janë tipike të Renesancës, si të ishte përballë një tabloje të Piero della Francesco apo të një afresku të Mosaccio-s. Por këtë rradhë, figura ka një gjurmë moderniteti, është një penel që lidh epoka në mënyrë befasuese.

Një tablotë më të bukura të Balthus është padyshim “La Montagne”, “Mali”, me figura që i sjell nga shëtitjet e tij në malet e Savoie apo ato të Zvicrës. Të bën përshtypje shpërndarja e personazheve, ngjyrat në hapësira të mëdha që kombinojnë me njëra-tjetrës, një qiell disi i mbuluar, dhe drita okër, e ardhur s’dihet nga e që godet faqet shkëmbore të një gurore. Një mjedis sa real dhe fantastik, një pikturë që të pushton ngërthen dhe të mban gozhduar me ngjyrën, kompozicionin, figurat, me atë grua të shtrirë në lëndinën rrëzë malit sit ë jetë pjellë e vetë gjelbërimit.

Gjatë jetës së tij të gjatë në pikturë, Balthus nuk ka krijuar shumë tablo, thuajse 350 tablo të ndryshme mes të cilave dhe “nature morte” por megjithatë, me origjinalitetin dhe perfeksionin e tij piktural ai ishte një nga piktorët më të mëdhenj të shekullit XX krahas Pikasos, Matis, Shagall, etj. Mjafton të shohim “Kompozim i madh me korbin” për të kupturuar forcën e madhe të artit të tij. Vetëm një piktor shqiptar duket se ecën në frymën e tij jo vetëm si imazh por dhe si një piktor vetmitar që nuk i interesojnë trazirat e botës por që kërkon intimen për të deshifruar vetë botën njerëzore, një piktor që mund të themi gjithashtu se për të nuk dimë pothuaj asgjë: ky është Tritan Beba i cili prej vitesh pikturon në Paris në atelierin-manastir të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *