Ana Komnena, kronistja e betejave bizantine në Shqipëri

Ana Komnena, (1083-1153), ishte vajza e perandorit bizantin Aleksi I Komnena dhe e Irena Dukas. Më 1 dhjetor të vitit 1083, Aleksi I kthehej nga lufta fitimtar. Të nesërmen lindi vajza e tyre, e cila do t’i ngjante shumë. Katër ditë më parë perandoresha Dukas, duke ndjerë dhimbjet e lindjes kishte bërë shenjën e Kryqit mbi gjirin e saj duke thënë: «Prit ti fëmija im gjersa të mbërrijë ati yt». Nëna e saj që e ndjeu vajzën në bark i tha: «A nuk e di ti që dhe burri yt do një muaj që të kthehet? Si mund të durosh deri atëherë?» Këtë vajzë «porfirogenet» (pra që lindi në dhomën e purpurt të pallatit imperial), sapo lindi, prindërit e fejuan me Kostandin Dukas, djalin e perandorit të mëparshëm Mihal VII Dukas, meqë Aleksi donte të krijonte lidhje familjare dhe aleancë me dinastinë e mëparshme. Madje Konstandini ishte lidhur tashmë me fronin perandorak, aq sa edhe ai firmoste dekrete perandorake. Por meqë Kostandini vdiq shpejt, Anën e martuan më pas me Niqifor Briene, birin e një gjenerali që ishte mundur nga Aleksi dhe kjo u bë sigurisht, për të ulur gjakrat midis tyre.

Që në adoleshencë si dhe në rini, Ana u edukua me letërsinë dhe shkencat, me filozofinë, retorikën dhe matematikën. Lexonte Platonin, Demostenin, Homerin dhe merrej me astrologjinë dhe i njihte majft mirë tekstet biblike. Madje më pas në Konstantinopojë ajo do të drejtonte dhe një rreth intelektualësh që diskutonin rreth veprave të Aristotit. Personaliteti i saj ishte i jashtëzakonshëm, çka do ta shtyjë më vonë që të luajë një rol politik pranë atit të saj, Perandorit.

Aleksis I

Ana kishte një dashuri të veçantë për atin e saj dhe e adhuronte atë. Kjo ndihet në veprën e saj ku ajo e sheh atë me vetitë më të mira dhe gjithnjë fitimtar. Bazileusi për të ishte «dielli i saj», «fanari»… Siç shkruan ajo, Aleksi vdiq në vitin 1118 nga një tumor «malinj» me një zhvillim të shpejtë, çka i kapi fytin. Por kur vdiq i ati, ajo nuk donte që fronin ta zinte i vëllai i vogël, Joani, i cili ishte i ri dhe pa përvojë për një perandori aq të madhe si ajo e Bizancit. Bashkë me nënën u përpoq që fronin ta zinte i shoqi i saj, gjenerali i sprovuar Niqifor Briene, të cilin ajo e përshkruan në libër me shumë simpati dhe si një njeri heroik, pas të cilit ajo ishte fort e dashuruar. Por nuk ndodhi kështu. Pak kohë më vonë gjenerali vdiq dhe nga dhimbja Ana u mbyll në një manastir të quajtur «Teotoks Kesharitomene», («Virgjëresha gjithë hirësi»), ku iu kushtua shkrimit të librave të Aleksiadës, siç do të quhej kjo vepër historike që përmbledh 15 libra. Në fakt, jetëshkrimin e jetës së Aleksit e kishte filluar më parë gjenerali Briene por meqë ai vdiq dhe kishte lënë vetëm jetëshkrimin e rinisë së Perandorit, pra dy librat e parë, atëherë këtë e vazhdoi Ana e cila hskroi dhe 13 libra të tjerë mbi historinë e perandorisë së Komnenit.

Ana Komnena vdiq në vitin 1153 dhe vetëm në prag të vdekjes ajo pranoi të kungohej si murgeshë. Në librin e saj „Aleksiada“ ajo na paraqitet si një kroniste që shkruan me penën e një shkrimtareje, pasi në të nuk mungojnë episode emocionante ku përshkruhet madje dhe natyra apo gjendjet e personazheve siç e shohim në përshkrimin e skenës së «Traktatit të Devollit» (Deabolis), kur në pllajat e Devollit të sotëm, normandi i mundur Bohemond pranoi t’i nënshtrohej bazileusit, atit të saj apo skena e gjykimit familjar ndaj kushëririt të saj Joan, i cili ishte atë kohë duka i Durrësit (Dyrrachium), dhe që peshkopi Teofilkate i Shkupit e akuzonte fshehurazi te Aleksi për tradhëti ndaj perandorit. Të tjera episode tregohen herë-herë me tensione dramatike. Tregojnë se në manastir, ajo shkruante natën, nën dritën e llampës. Kopja origjinale e veprës së saj ka humbur dhe ekzistojnë veçse kopje nga kopistë të ndryshëm në scriptoria-t bizantine e kristiane. Botimi i parë i „Aleksiadës“ u bë në vitin 1644 nga P. Poussins në koleksionin bizantin të Luvrit në Paris. Kjo vepër paraqet padyshim jo vetëm vlera historike por dhe psikologjike, pasi ajo hedh dritë mbi përplasjen e dy qytetërimeve në kohën që ajo jetoi.

„Aleksiada“ është një burim i madh informacioni, pasi ajo u qëndron besnike ngjarjeve dhe datave historike. Në rrethimin e dytë të Durrësit, ajo përshkruan se si normandët përdorën një pajisje me rrota në formën e një breshke gjigande, të mbuluar nga lëkura viçi të qepura mes tyre. Komnena e tregon atë si një përbindësh të papërshkrueshëm, ku përmes tij normandët u ngjiteshin bedenave të kështjellës. Ajo pohon se normandët përdorën kundër kështjellës mina të asaj kohe dhe njëkohësisht filluan të hapnin galeri nëntokësore për të hyrë në kështjellë por kur mbrojtësit e kuptuan këtë, edhe ata hapën galeri duke shkuar në drejtim të galerisë së armiqve të tyre dhe atje kur i pikëtakonin u hidhnin zjarr. Për trupat e Robert Gusicard-it që mbërritën në brigjet e Ilirisë ajo thotë se ishin 30.000. Të tjerë kronistë, si Malatera, apo kronikanë të anonimë, („Gesta Francorum“), etj., japin shifra më të pakta. Tenda e betejës në kampin e Aleksit ishte me ngjyrën e purpurt perandorake. Ana tregon se i ati e përndiqte djallin e satanin, duke i treguar Kryqin e tij. Në flamur kishte «simbolin e Virgjëreshës». Për shkrimin e “Aleksiadës”, Ana Komnena është mbështetur në informacione të shumta të asaj kohe. Libri i saj, më pas do të referohej në mjaft kodikë të kohëve të mëvonshme, kopjuar nga kopistët e «scritoreve» kishtare, pra nga skribët e famshëm, kodikë këto që mbetën dhe si burime të vetë “Aleksiadës” siç janë dy nga kodikët e hershëm të shekullit XII, Coislinianus 311 dhe Fiorentinus 70 apo kodikët e tjerë si Vaticanus graecus, 1438, Barberianus 235, Ottobianus gr.131, Apographum Gronovii, etj.

Kur shkruan për rrethimin e Dyrrachiumit nga normandët dhe largimin e dukës Paleolog që drejtonte mbrojtjen e kështjellës, ai hezitoi për tu takuar me bazileusin por meqë ai këmbënguli ta takonte ai pranoi. Ana Komnena përmend dhe faktin se ai e la qytetin nën drejtimin e dy udhëheqësve: të venecianëve dhe të udhëheqësit me origjinë shqiptare Kamiskortes. Ky fakt është një e dhënë shumë e rëndësishme historike, në një kohë të turbullt për Shqipërinë që ishte e pushtuar nga Bizanci. Mund të themi me plot gojën se në luftën kundër normandëve morën pjesë dhe shqiptarët, të cilët ishin një faktor jo i pakët në këtë luftë, për mbrojtjen në rradhë të parë të ekzistencës së tyre si shqiptarë. Si një apologji e lavdisë së familjes së Komnenëve të Aleksit I, “Aleksiada” kap një periudhë të gjatë historike, pra gjithë kohën që ishte në pushtet Aleksis I. Përshkrime interesante janë ato që lidhen me Robert Guiscard dhe birin e tij Bohémond. “Tek Roberti, ky normand me origjinë të errët, – shkruante ajo në librin e saj – bashkoheshin ambicja e madhe me një finesë të skajshme. Forca e muskujve të tij ishte e jashtëzakonshme. Dëshira e vetme e tij ishte të arrinte pushtetin e njerëzve të fuqishëm. Asgjë nuk mund ta kthente nga planet e tij. Ai i merrte të gjitha masat për të arritur qëllimin. Shtati i tij i lartë i kalonte trupat e ushtarëve shtatmëdhenj. Kishte flokë të verdha, shpatulla të gjera dhe sytë e tij ngjanin sikur lëshonin shkrepëtima. Ndërsa për zërin e tij, mund të themi se ndërsa Homeri shkruante se kur dëgjonin Akilin, njerëzve u dukej se dëgjonin zërin e një turme, klithma e këtij luftëtari bënte që t’ia mbathnin mijra njerëz”. Në librin “Aleksiada”, ajo shkruan për personazhet më të rëndësishme të kësaj epoke, duke përshkruar gjithashtu dhe kalimin e kryqtarëve europianë, të cilët nën thirrjen e Papës Urban II, u nisën për në kryqëzatë, drejt Jeruzalemit. Ja si e përshkruan ajo ardhjen e vëllait të mbretit të Francës, nisur në kryqëzatë drejt Jeruzalemit, Hugues de Vermondois, («Hugues, filius et frater regnum Francourum»), i cili kaloi përmes Shqipërisë që në atë epokë ishte një nga rrugët kryesore dhe ku Via Egnatia i çonte kryqtarët drejt Konstantinopojës e që andej ata merrnin rrugën e gjatë drejt qytetit të Shenjtë për të çliruar varrin e Krishtit.

«Një i quajtur Ubos, vëllai i mbretit të Francës (kryeneç si novat i fisnikërisë së tij, në momentin kur do të linte vendin e tij për të shkuar në Varrin e Shenjtë, (Saint-Sepulcre), ai e lajmëroi autokratorin, duke i drejtuar një mesazh qesharak dhe të sigurohej që më parë për të gjetur një pritje të shkëlqyer. «Dije o bazileus, – i shkruante ai, – se unë jam bazileus i bazileusve, më i madhi i atyre që jetojnë në këtë botë. Sapo të mbërrij, duhet që të vijnë të më presin me një ceremoni të denjë që i përket sojit tim». Në çastin kur bazileusi mori këtë mesazh, duka i Durrësit ishte Joani, djali i vëllait të Aleksit, sebaskratorit Isak Komnena. Duka i flotës, Nikola Morokatalou, i kishte nxjerrë anijet e tij në det, duke i vendosur në afërsi të portit të Dyrrachiumit dhe që andej e survejonte detin aq mirë, sa asnjë anije pirate përgjatë brigjeve nuk mund t’i shpëtonte. Menjëherë autokratori u dërgoi atyre dy letra, duke urdhëruar dukën e Dyrrachium-it që të mbikqyrte në det dhe përmes tokës ardhjen e Ubos, (Hugues), me detyrën që ta lajmëronte autokratorin menjëherë me një mesazh të shpejtë mbi ardhjen e këtij latini, i cili duhej pritur me nderime. Letra tjetër ishte për dukën e flotës bizantine që të mos e largonte asnjë çast vëmendjen dhe të përgjonte me vigjilencë. Përsa i përket Ubos, ai kishte mbërritur mirë në Longobardi (krahinë midis Barit dhe Romës, L.R.), duke i dërguar dukës së Dyrrachium 24 përfaqësues-ambasadorë të ngjeshur me pazmore e mburoja të këmbëve prej floriri, të shoqëruar nga kont Tsepenterios dhe Elie. Këta dy kapitenë e kishin dezertuar në Selanik kampin e autokratorit. Ata i drejtoheshin dukës si më poshtë: «Dije o dukë se Madhëria jonë Ubos, është duke mbërritur dhe se ai sjell nga Roma flamurin e Shën Pjetrit. Dije gjithashtu se ai është prijësi i gjithë ushtrisë franke. Pra përgatitu që ta presësh në mënyrë të denjë siç e kërkon dhe pushteti i tij, ai dhe trupat që komandon dhe se ti duhet t’i dalësh përpara ta presësh». Ndërkohë që ambasadorët flisnin kështu me dukën, Ubos, që kishte shkuar nga Roma në Longobardi, më pas kishte marrë në Bari anijet duke iu drejtuar brigjeve të Illiricum. Por atë e zuri një stuhi e tmerrshme ku humbi pjesën më të madhe të anijeve bashkë me rremtarët dhe ata që ishin në to. Nuk mbeti veçse një barkë ku ai gjendej dhe që dallgët e hodhën në brigjet midis Dyrrachium-it dhe atij vendi që quhej Palli, (Kepi i Pallës, L.R.). Sapo kishte shpëtuar për mrekulli kur dy nga njerëzit që përgjonin brigjet, iu drejtuan: «Duka po e pret me padurim ardhjen tuaj dhe dëshiron tu shohë». Ubos kërkoi një kalë. Njëri nga ata zbriti nga kali dhe ia dha menjëherë. Në këtë gjendje e pa Ubon duka i Dyrrachium, i cili kishte shpëtuar nga mbytja. Ai i uroi mirëseradhjen dhe e pyeti se nga po vinte. Duke mësuar fatkeqësinë që i kishte ndodhur gjatë kalimit të detit, ai e ngushëlloi me plot premtime dhe madje i afroi një tavolinë plot me të mira. Pas kësaj e la të pushojë por jo plotësisht në liri. Menjëherë kishte lajmëruar autokratorin lidhur me për mbërritjen e tij dhe tani priste udhëzime të reja. I informuar mirë, autokratori dërgoi menjëherë Butumites drejt Epidamne, siç e quanin më parë Dyrrachiumin, i cili i kërkoi Ubos që ta shoqëronte për në kryeqytet, në Konstantinopojë, jo duke marrë rrugën direkte, por duke bërë një kalim përmes Filipopolis. Ai kishte frikë nga keltët dhe ushtritë që vinin pas tyre. Bazileus e priti me nderime dhe e mbushi me dhurata, duke e bindur menjëherë që të bëhej njeriu i tij vasal, duke bërë betimin e zakonshëm të latinëve.

Robert Guiscard

Pesëmbëdhjetë ditë pas Ubos, edhe normandi Bohemondi bëri kapërcimin e detit dhe erdhi në brigjet e Kabalion me shumë kontë dhe një ushtri të jashtëzakonëshme, (nëntor 1096). Në gjurmët e Bohemondit kishte ardhur dhe konti i Principat (Provence, Francë, L.R.), i cili vinte nga brigjet e Longobardie-s. Meqë edhe ai donte të bënte kalimin e detit, kishte marrë me qera për 6.000 «stateres» ari një anije pirate me tre direkë të mëdhenj dhe 200 rremtarë si dhe tri barka të rimorkjuara pas. Në fakt, ai nuk morri drejtimin e brigjeve të Vlorës, si ushtritë e tjera latine. Nga frika e ushtrisë romane, ai ngriti spirancën dhe devijoi drejtimin për nga brigjet e Himarës në sajë të një ere të favorshme. Por duke iu trembur tymit ai shkoi drejt zjarrit, pasi aty-këtu nuk ishin anije të tjera që mund të takoje në gjirin e Longobardie-s, por ishte e gjithë eskadra romane e dukës Nikola Morokatakalou. Ky i fundit, para disa kohësh kishte dëgjuar për këtë anije pirate dhe duke marrë me vete anijet «bireme» dhe «trireme» të flotës së tij, si dhe disa «dromos», ishte nisur ta priste në Kabalion, përballë Ason-it…»

Drejt Ilirisë në vitin 1081

Ana Komnena tregon se «Roberti e dërgoi që më parë Bohemondin me një ushtri të fuqishme që të pushtonte rrethinat e Vlorës (Avlona). Që me zbarkimin e tij, kërcënues dhe me një vrull të papërmbajtur, ai ra si rrufe mbi Kaninën (Canina), Hiericho (Orikum) dhe Avlona, të cilat i pushtoi njëra pas tjetrës dhe gjithnjë duke luftuar ai përparonte duke i vënë zjarrin gjithçkaje. Dhe vërtet, ashtu si tymi okër përpara zjarrit, ashtu ishte dhe ky sulm para sulmit të madh… Nga Salente, (Salerno), Roberti shkoi në Otranto dhe qëndroi disa ditë që të priste gruan e tij Gaïta, (sepse ajo e shoqëronte burrin kudo dhe ishte e tmerrshme ta shikoje ashtu me mburojë. Pasi u puthën në mbërritjen e saj, ata lanë qytetin dhe shkuan të bashkohen me ushtrinë në Brindizi. Me të mbërritur, ai priti me padurim grumbullimin e gjithë anijeve të luftës të flotës së tij, anijet e transportit dhe ato luftarake. Në fakt ai i kishte dërguar ambasadorin Raul, bazileusit të mëparshëm Botaniates, i cili kishte rrëzuar perandorin Dukas dhe priste një përgjigje… Ndërsa nga ana e tij, Aleksi i kishte dërguar disa dhurata dhe letra, ku i premtonte miqësinë e tij. Meqënëse Raul nuk solli asnjë përgjigje dhe kjo e tërboi barbarin. Ndërkohë në Konstantinopojë, Aleksi mori pushtetin dhe e largoi Botaniates nga froni dhe nga pallati perandorak duke thirrur Konstantin Dukas që ta ndanin sëbashku pushtetin. Raul u përpoq ta bindë që të mos bënte luftë, meqë rrugës ai mori vesh ngjarjet që kishin ndodhur në Konstantinopojë, por Roberti donte të zbarkonte në Epidamne, qytet që ne e quajmë Dyrrachium… Më së fundi Roberti vendosi të nisej nga Brindizi për në Dyrrachium, duke shpalosur velat e anijeve. Gjatë kohës që lundronte drejt Dyrrachium, ai mori menjëherë qytetin e Korfuzit që ishte një qytet shumë i fortifikuar si dhe disa vende të tjera. Në atë kohë duka i gjithë Ilirisë ishte Gjergj Monomakatos, të cilin e kishte dërguar më parë perandor Botaniates. Kur Roberti ishte nisur drejt Ilirisë, Gjergj Paleologu kishte marrë urdhër nga Aleksi që t’i përdorte në një mënyrë tjetër krenoret e bedenave, duke i pajisur shumicën e tyre me hunj të mëdhenj, në mënyrë që nëse latinët përpiqeshin tu ngjiteshin me shkallare, sapo të ngjiteshin e të hidhnin hapat lart, ata të anoheshin dhe të binin në tokë bashkë me sulmuesit. Gjithashtu, bazileusi u bëri thirrje dhe u dërgoi shumë mesazhe prefektëve të qyteteve bregdetare dhe banorëve të ishujve që të mos dëshpëroheshin e të tërhiqeshin por në të kundërtën ata të ishin vigjilentë dhe të kujdeshëm duke marrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur dhe përgjuar ardhjen e Robertit. Ndryshe, nga një sulm i papritur, ai mund t’i pushtonte qytetet bregdetare si dhe ishujt…

Kur erdhi në Dyrrachium, Gjergj Paleologu dërgoi menjëherë një korrier që t’i bënte të njohur Manomakatos për ardhjen e tij por ai me nxitim kishte shkuar pranë Bodin-it dhe Mihal-it. Ai kishte frikë pasi nuk i ishte bindur, meqë kur Aleksi kishte organizuar revoltën, ky i fundit i kishte dërguar një mesazher që ta ndihmonte me para por ai e kishte nisur duarboshë. Në fakt bazileus nuk mendonte që të hakmerrej kundër tij por veç t’i hiqte komandën që kishte. Kur mori vesh këtë lajm, atëherë bazileusi i dërgoi një «kristobulë» për ta garantuar për sigurinë e tij. Me letrën perandorake në dorë shkoi tek pallati imperial. Ndërkohë që Roberti mori vesh se në Dyrrachium kishte ardhur Paleologu, mbi anijet e tij më të mëdha menjëherë kishte filluar të ndërtonte kulla prej druri, të cilat i veshi me lëkurë dhe i vendosi me kujdes mbi anije. Vuri gjithashtu gjithçka që kishte nevojë për të bërë një rrethim, duke ngarkuar mbi anijet «dromone» kuaj dhe kalorës me gjithë pajimet dhe duke grumbulluar me një shpejtësi të jashtëzakonshme nga të gjitha anët gjithçka ishte e nevojshme për luftë. Nxitonte që të kapërcente detin sa më parë. Sapo të arrinte në Dyrrachium, qëllimi i tij ishte ta rrethonte qytetin me «hélépoles», nga toka dhe deti, për të tmerruar banorët si dhe për t’a rrethuar qytetin totalisht e pastaj ta pushtonte menjëherë. Ja pse me të marrë vesh këtë lajm, banorët e brigjeve të Dyrrachium u kapën nga një panik i tmerrshëm. Kur Roberti kishte përgatitur gjithçka, ngriti spirancën…»

Mbërritja e Aleksit

Nën këtë titull Ana Komnena vazhdon tregimin e saj: «Kur Aleksi u informua për ato ç’kishte bërë Roberti, autokratori i shkroi menjëherë domestikut të madh, Pakurianos, (fund korriku apo fillim gushti 1081), duke i treguar se si ky normand me një vrull të parezistueshëm, i cili ishte bërë tashmë zot i Avlona-s (Vlorës) dhe që nuk shqetësohej aspak për dëmet e tmerrshme që kishte pësuar në tokë e në det, pa humbur kohë po përpiqej të mblidhte trupat dhe të bashkohej me ta. Pasi i dërgoi këtë mesazh, Aleksi u nis nga Konstantinopoja, duke lënë në kryeqytet Isakun që të mbante rregullin dhe t’i priste kështu rrugën fjalëve që armiqtë kishin zakon të përhapin në raste të tilla, me qëllim që të fusnin në duart e tyre pallatin dhe qytetin. Prania e tij do tu jepte zemër grave që ishin gati të dëshpëroheshin. Ndërsa për nënën e tij ai mendoi se ndoshta s’kishte nevojë, meqë ishte një grua shumë e fortë dhe tepër e shkathët për të administruar çështjet. Pra sapo mori letrën e bazileusit Pakurianos emëroi si ndihmës të tij strategun Nikolas Branos, një njeri me kurajo dhe që kishte një eksperiencë të madhe në luftë. Megjithë forcat e rënda si dhe fisnikët e tij, ai la Orestiadën (Adrinopojën) dhe bashkë me fisnikët nxitoi të bashkohej me bazileusin. Tashmë autokrator Aleksi kishte nxituar të vendoste në rresht beteje gjithë ushtrinë e tij dhe të zgjidhte elitën e luftëtarëve më të vyer për t’i bërë prijësa të kësaj lufte. Më pas dha urdhër që të vazhdonin rrugën me këtë lloj renditje, kudo ku rruga e lejonte.

Pasi kishte vendosur siç duhej trupat, bashkë me ushtrinë e tij Aleksi u vu në marshim drejt Robertit. Rrugës takoi dikë që vinte nga Dyrrachium e që e dinte situatën e qytetit. Bazileusi mësoi më qartë se Roberti kishte mobilizuar gjithë mekanizmat e nevojshme për një rrethim dhe se tashmë ai u ishte afruar bedenave të kështjellës. Gjergj Paleologu, pasi kishte përballuar ditë e natë armët “heleopoles” të sulmit dhe dredhitë e Robertit, më së fundi kishte dashur të shfaqej dhe doli nga portat e Dyrrachium-it që të luftonte trimërisht kundër armikut. Paleologu u plagos rëndë në disa vende të trupit, madje një e rënë shigjete e kishte çarë pranë tëmthave në kokë dhe ai kishte dashur ta shkulte nga plaga, por më kot. Atëherë thirri dikë, i cili ia preu gjer në rrëzë, atje ku shigjeta zbukurohej nga fletët, ndërsa pjesa tjetër i mbeti brenda plagës. Siç bëhet në këto raste, ai e lidhi kokën dhe u vërsul sërrish kundër armiqve duke luftuar pa u lodhur në këmbë gjer në mbrëmje. Pasi dëgjoi raportin, bazileusi e kuptoi se Paleologu kishte nevojë për ndihmë të menjëherëshme dhe e përshpejtoi ecjen. Kur mbërriti në Selanik, të rejat rreth Robertit iu konfirmuan nga shumë njerëz. Në fakt, me të mbaruar përgatitjet Roberti kishte përqëndruar shumë armatime në fushën e Dyrrachiumit dhe kishte ngritur aty kampin e tij në një distancë sa mund të arrinin shigjetat tek bedenat. Megjithatë, ai i kishte shpërndarë trupat e shumta nëpër malet përreth, në lugina e kodrina. Nga shumë drejtime Aleksi mësoi gjithashtu se çfarë zelli po tregonte Paleologu. Me qëllim që të digjte kullat prej druri të ndërtuara nga Roberti, pasi kishte bërë gati naftë e rrëshirë në bedenat e kështjellës, si dhe copa druri të thatë që ti hidhte me katapulta, Paleologu priste armikun. Duke menduar për ofensivën e nesërme të Robertit, ai vendosi një kullë druri të ndërtuar që më parë brenda mureve të kështjellës, përballë vendit ku mendohej se do të afrohej kulla e ndërtuar e Robertit. Gjatë gjithë natës Paleologu provoi të vendoste një dërrasë me majë, e cila, duhej shtyrë para portës së kullës tjetër kur ajo të përparonte nga jashtë drejt tyre. Ai donte të provonte nëse kjo dërrasë do të mund të lëvizte pa ndonjë mund të madh dhe që duke u shtyrë në portën e kullës tjetër të pengonte kështu hapjen e portave të saj. Kur u bind se ky lloj trungu funksiononte më së miri dhe e arrinte qëllimin, ai priti tashmë me besim përballë sulmit të parashikuar. Ditën e nesërme, Roberti u dha urdhër të gjithëve të rrëmbenin armët dhe që 500 luftëtarë të armatosur të futeshin brenda asaj kulle druri. Kur ajo iu afrua bedenave të kështjellës, në çastin kur normandët do të ulnin portën që tu shërbente si urë për të shkuar tek bedenat, që nga brenda kështjellës, Paleologu dha urdhër që ta afronin atë lloj trari  të madh me ndihmën e ca pajisjeve të përgatitura më parë. Po kështu urdhëroi luftëtarët e tij trima të afroheshin tek bedenat. Kjo manovër bëri që stratagema e Robertit  të dështojë, sepse trau e pengoi plotësisht portën që të hapej. Pastaj pa ndërprerje, ata qëllonin mbi keltët që ishin majë kullës e që u fshiheshin goditjeve. Më pas, Paleologu dha urdhër që ta digjnin kullën prej druri. Ai s’kishte përfunduar së dhëni urdhërin, kur kjo gjë ishte bërë tashmë realitet. Atëherë keltët që ishin lart, filluan hidheshin poshtë. Ata që ishin poshtë iknin nga porta e poshtme e kullës. Kur Paleologu pa arratinë e tyre, nga dalja e kështjellës nxorri luftëtarët më trima, disa me armë, të tjerët me sopata, që të mund të asgjësonin kullën. Dhe kjo manovër u krye. Kulla, maja e së cilës digjej, u shkatërrua plotësisht»…

Shfaqja e kometës dhe Lufta e Dyrrachiumit

Historia e Komnenëve të epokës Bizantine është e lidhur me një sërë ngjarjesh nëpër  shekuj me historinë shqiptare. Siç shkruan arkeologu francez Léon Rey por dhe shumë kronistë të tjerë të huaj më të hershëm, në kishën e manastirit te Pojanit, në Apolloninë e Ilirisë, gjendeshin afreskët e Andronikut II, i cili dhe e kishte ndërtuar këtë tempull të shenjtë. Por padyshim, figura më e madhe e kësaj epoke ishte Aleksi I (1058-1118), i cili kishte qenë një strateg i madh ushtarak i cili në kohën e trazirave në Kosntantinopojë përfitoi të marrë pushtetin, por jo përmes vrasjeve “byzantine” përmes prapaskenave. Ai u bë perandor më 1 prill 1081 dhe historianët e mbajnë si një perandor të zgjuar e mjaft diplomat, i cili për të mbajtur fort pushtetin në krye të një perandorie të fuqishme për 37 vjet me rradhë, bëri shumë martesa familjare me princët më në zë të epokës së tij.

Betejën e zhvilluar në rrethinat e Dyrrachium-it midis trupave byzantine e shqiptare dhe nga ana tjetër trupave normane, Komnena e përshkruan në kapitullin me titull “Beteja. Fitorja e normandëve”. E habitshme është se kronistja thotë se në çastin e fillimit të luftës, në qiell ishte shfaqur një kometë. Ja çfarë shkruan ajo në këtë episod: «Meqë Roberti nxitonte të ndërtonte një kullë tjetër prej druri, të ngjashme me të parën dhe të përgatiste “heleopoles” kundër Dyrrachium-it, bazileus, i bindur për nevojat që kishin mbrojtësit e Dyrrachium-it dhe që të ndihmoheshin ata me urgjencë, vazhdoi rrugën drejt Dyrrachium-it. Kur arriti aty, ai e vendosi ushtrinë në një kamp pranë lumit që quhej Charzane (Erzeni, L.R.) dhe menjëherë i dërgoi mesazhe Robertit duke i kërkuar se përse gjendej aty dhe çfarë qëllimi kishte. Pastaj shkoi në vendin e shenjtë, në sanktuarin e ngritur për nder të priftit Nikola, katër stade larg Dyrrachiumit. Ai filloi të njihej me terrenin me qëllim që të gjente vendin më të përshtatshëm për të vendosur trupat e tij dhe se kur duhej ta niste betejën. Ishte data 15 tetor. Në një shpat që ngrihej nga ana e Dalmacisë drejt detit, atje ku ajo përfundonte pothuaj në formë ishulli, mbi të ishte ndërtuar një tempull. Ai shpat që vështronte nga Dyrrachium, ulej gradualisht drejt fushës, duke patur detin në të majtë dhe një mal që ngrihej thikë në të djathtë. Pikërisht atje, Aleksi përqëndroi ushtrinë e tij dhe pasi ngriti kampin i dërgoi një mesazh Gjergj Paleologut. Paleologu, i cili kishte një eksperiencë të madhe në situata të tilla, mendoi se nuk ishte e udhës të dilte nga qyteti dhe refuzoi të dilte, duke u justifikuar kështu për këtë te bazileusi por kur ai e kërkoi sërrish me ngut, Paleologu iu përgjigj: “Më duket fatale të dal nga qyteti i rrethuar dhe nëse nuk shoh me sy unazën e dorës së Madhërisë suaj, unë nuk do të dal”. Atëherë atij iu dërgua unaza dhe kur e pa atë, atëherë Paleologu u nis të bashkohej me bazileusin, duke shkuar me një anije lufte. Sapo bazileusi u gjend ballë tij, ai e informoi rreth Robertit dhe kur i paraqiti qartë situatën, bazileusi e pyeti nëse duhej rrezikuar që të bënte luftën kundër Robertit apo jo. Paleologu donte që ai ta ndryshonte mendimin e tij për të bërë një betejë. Po kështu dhe të tjerë që kishin përvojën e betejave, u shprehën kundër fillimit të betejës dhe se duhej pritur që armiku të dëmtohej gradualisht me goditje të vogla, duke i penguar luftëtarët e Robertit, të cilët kërkonin të dilnin për të gjetur ushqime dhe tagji për kafshët. Njëkohësisht për këtë i duhej dhënë urdhër Bodin-it, dalmatëve dhe prijësve të tjerë të krahinave fqinje, duke u siguruar në këtë mënyrë se kështu do të ishte e lehtë që Roberti të mundej. Por shumica e oficerëve të rinj të ushtrisë i kërkuan të nisnin betejën dhe më shumë nga ata, Konstantin Porfirogjen, Niqifor Sinadenos, Nampites, komandanti i Varanges-vet si dhe bijtë e ish bazileusit roman, Diogène, Léon dhe Niqifor (Bryenne). Kështu, ambasadorët që iu dërguan Robertit u kthyen me mesazhin që i drejtonte bazileusit. “Unë nuk kam ardhur këtu kundër teje, – i thoshte ai, – por më tepër për tu hakmarrë për padrejtësinë e bërë ndaj vjehrit tim. Nëse do paqe me mua, këtë e mirëpres me padurim, vetëm nëse do të jesh gati të përmbushësh kushtet me të cilat do të njohin ambasadorët e mi”. Por ajo që kërkonte ai ishte e pamundur dhe e dëmshme për perandorinë romane edhe pse premtonte se nëse ia plotësonte kushtet, ai do ta konsideronte Longobardi-en e tij si të ishte tokë e bazileusit dhe se në rast nevoje ai do t’i vinte për ndihmë. Por kjo ishte veçse një manovër, se gjoja donte veç paqe, ndërkohë që duke bërë propozime të pamundura për tu plotësuar dhe që do të refuzoheshin, ai kërkonte të përdorte armët dhe t’ia hidhte pastaj përgjegjësinë e luftës bazileusit dhe romanëve. Në fakt, kur këto propozime të papranueshme u refuzuan, Roberti kishte thirrur gjithë kontët e tij dhe u kishte thënë: “Ju e dini padrejtësinë e bërë nga bazileusi Niqifor Botaniates vjehrit tim dhe fyerjen që provoi vajza ime Helenë, e cila u përzu nga perandoria bashkë me të. Ne nuk mund ta durojmë këtë dhe ja pse kemi ardhur në këtë vend që të hakmerremi. Por meqë ky është përmbysur nga froni dhe tani ne kemi të bëjmë me një bazileus të ri, një luftëtar kurajoz që e njeh luftën dhe ka eksperiencë më shumë se mosha e tij, ndaj ne nuk duhet të angazhohemi me operacione të vogla ushtarake. Vetëm atje ku është shumica e komandës, atje mbretëron dhe konfuzioni, sepse atje ku ka shumë mendime të ndryshme për betejën, atje mbillet dhe kaosi. Duhet që tashmë që ne të tjerët t’i bindemi veç një prijësi, i cili duhet të marrë mendimin e gjithësecilit, që të mos veprojë me teka dhe me kokë të tij pa pyetur të tjerët. Gjithë të tjerët duhet t’i thonë mendimet e tyre me sinqeritet, duke zbatuar pastaj mendimin e atij që do të jetë zgjedhur si prijës. Shikomëni mua: unë jam gati dhe i pari që do t’i bindem atij që do të zgjidhni ju!” Atëherë të gjithë e lëvduan ketë ide dhe deklaruan se Roberti kishte folur drejt. Pastaj me një vendim unanim ata i dhanë atij rolin e prijësit. Duke u lutur, Roberti bëri një çast sikur nuk e donte këtë përzgjedhje, por të tjerët, akoma më me këmbëngulje, kërkuan që ai ta pranonte. Dhe ai bëri gjoja se ishte i detyruar të pranonte kërkesat e tyre, edhe pse e kishte menduar me kohë këtë projekt. “Nëse Zoti na jep fitoren, neve nuk do të na mungojnë paratë. Ja pse ne duhet t’i djegim të gjitha baullet tona, t’i fundosim dhe t’i çojmë ato në fund të detit, duke u bërë luftë armiqve tanë sikur të kemi lindur dhe të vdesim po sot”. Të gjithë e aprovuan këtë fjalim të tij… Të tilla ishin kalkulimet e planet e Robertit. Ndërsa planet e autokratorit, edhe pse të ndryshme, ishin më të zhdërvjellta dhe të zgjuara. Megjithatë, të dy prijësat po i mbanin ushtritë duke studjuar taktikat dhe manovrat e tyre, çka u lejonte të drejtonin operacionet dhe të komandonin me kompetencë. Duke menduar gjatë natës për të dy krahët e kampit të Robertit, autokratori urdhëroi gjithë ushtrinë aleate të sulmonin në shpinë të kampit pasi të bënin rrugën e shkëmbenjve të kripores. Që të mos diktohej afrimi i ushtrisë, pa hezituar, ai caktoi një rrugë më të gjatë që duhej përshkuar ndërsa vetë qëndroi në qëndër. Sapo pa që erdhën gjithë aleatët, i shpërndau në postet e caktuara për të sulmuar Robertin. Guiscardi, pasi i kishte lënë tendat e kampit, gjatë natës kishte kaluar urën. Ishte data 18 tetor. Me gjithë ushtrinë e tij, Aleksi shkoi tek tempulli që kishte ndërtuar dikur në breg të detit për nder të martirit Theodore. Ndërkohë gjatë gjithë natës, normandët u bashkuan me shpirtra të shenjtë. Roberti e vuri ushtrinë në formacion beteje dhe vetë u vu në qëndër. Krahun në anë të detit ia besoi Amicetas, i cili ishte një kont i shquar, me dorë dhe zemër plot kurajo, ndërsa krahun tjetër, birit të tij Bohemond të quajtur Sanisque.

Kur perandori u njoh me këtë situatë, i shkathët siç ishte për të gjetur një zgjidhje dhe në çastet më të vështira, ai iu përshtat rrethanave dhe i vendosi trupat në pjerrësinë që shkonte drejt detit. Meqë e kishte ndarë ushtrinë në dy pjesë, ai nuk donte t’i pengonte barbarët që po shkonin të sulmonin kampin e Robertit por mbajti vetëm ata që mbanin mbi supe armët me dy teha si dhe prijësin e tyre Nampites. Ai u tha të zbrisnin nga kali dhe të ecnin në rresht përballë, jo larg nga fronti. Të gjithë mbanin mburoja. Pasi e ndau pjesën tjetër të ushtrisë në falanga, perandori u vendos në qendër. Në të djathtë, si prijës të falangës caktoi princin Niqifor Melisene dhe atë që quhej Pakurianos, i cili ishte “domestiku i madh”. Distanca midis tij dhe barbarëve që ecnin në këmbë ishte mbushur nga një kontigjent i fortë ushtarësh të shkathët që gjuanin me shigjetë, me të cilët do të sulmonte Robertin. Në fakt, ai e kishte urdhëruar Nampites që sapo shigjetarët të sulmonin mbi keltët, ai të shkonte pastaj nga prapa që të lejonte kalimin, duke i hapur të dy anët dhe pastaj t’i bashkonte sërrish, duke ecur përsëri me rradhë të shtrënguara. Pra, pasi i vendosi kështu të gjitha trupat e tij, ai përparoi vetë në ballë për të sulmuar drejt mbi ushtrinë kelte të Robertit, duke ndjekur bregun e detit. Nga ana e tyre, barbarët, të cilët i kishte dërguar të kapërcenin karrierat e kripës sapo mbrojtësit e Dyrrachiumit të hapnin portat sipas urdhërit të autokratorit, në të njëjtin çast ata do të suleshin mbi trupat kelte. Ndërkohë, Roberti dërgoi një detashment kavalerie me urdhërin që të bënin të largohej sa më larg një pjesë e ushtrisë armike por bazileusi nuk e la veten të binte në grackë. Për më tepër ai përforcoi grupet mbrojtëse që duhej të përballonin sulmin armik. Deri në këtë moment, ndodhën veç disa përpjekje të vogla luftarake midis tyre por Roberti qëndronte i qetë dhe në lidhje me komandantët e tij, ndërkohë që distanca midis dy ushtrive zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Këmbësorë e kalorës të falangës së Amicetas u hodhën dhe sulmuan në anët e trupave të Nampites. Përballë rezistencës së madhe të luftëtarëve tanë, sulmuesit kthyen shpinat pasi jo të gjithë ishin ushtarë elite. Ata nxituan drejt detit, me ujin deri në grykë, duke iu afruar flotës romano-veneciane. Ata u kërkuan që t’i shpëtonin por venecianët nuk i pranuan. Pikërisht atëherë, ashtu siç dhe flitej, Gaita, gruaja e Robertit, e cila luftonte bashkë me të shoqin, ashtu si një Pallas tjetër, edhe pse nuk ishte një “Athina”, duke parë luftëtarët e tyre tek i iknin betejës, me një vështrim të zemëruar u thirri me një zë kumbues, duke u thënë në gjuhën e tyre diçka të përafërt me vargjet e Homerit: ”Deri kur do t’ia mbathni kështu? Ndaloni dhe bëhuni burra!…” Meqë ata vazhdonin të iknin para syve të saj, ajo kapi një heshtë të gjatë dhe gjithë britma u lëshua duke i ndjekur nga pas. Duke parë këtë skenë luftëtarët e mblodhën veten dhe iu kthyen betejës. Ndërkohë ata që ishin me sopata dhe prijësi i tyre Nampites, pa eksperiencë dhe me vrullin që i kishte kapur, përparuan shumë dhe tashmë ja tek gjendeshin larg rradhëve të romanëve, të shtyrë kështu nga dëshira që të jenë po aq me kurajo sa dhe keltët. Kur Roberti i pa që tashmë ata ishin lodhur dhe po u merrej fryma nga distanca e madhe dhe pesha e armëve, ishte i sigurt se fundi i tyre do të ishte i shpejtë. Atëherë i dha urdhër një detashmenti këmbësorie që të suleshin mbi ta por nga lodhja, ata ishin më të dobët se keltët. E kështu, gjithë ajo trupë barbarësh u masakruan dhe ata që mundën të iknin u strehuan në tempullin e kryestrategut Mihal, (Shën Mihalit). Të gjithë ata që mundën u futën brenda. Të tjerët u ngjitën sipër në çati, duke pandehur se atje ishin të sigurtë por latinët e Robertit i vunë flakën dhe bashkë me tempullin u dogjën të gjithë. Megjithatë, pjesa tjetër e ushtrisë romane luftonte me trimëri kundër armikut. Si një kalorës me flatra, bashkë me trupat e tjera Roberti u sul mbi falangat romane, duke i shpartalluar ato. Në krahun e kundërshtarëve, disa ranë duke luftuar në fushë të betejës, të tjerët, duke ia mbathur për të shpëtuar. Bazileus Aleksi qëndronte si një kullë e fortë dhe e patundur, edhe pse kishte humbur shumë nga shokët e tij, luftëtarë të shquar për nga soji dhe përvoja luftarake. Atje ra Kostandin Dukas, biri i ish bazileusit Konstandin Dukas, i cili lindi kur i ati nuk ishte më një njeri i zakonshëm, e për këtë shkak, ai lindi në «porphyra» dhe u nderua nga i ati me diademën imperiale. Po kështu Niqifori, i mbiquajtur Sinadenos, i familjes Botaniates, një ushtar plot kurajo dhe shumë i bukur, i cili atë ditë u përpoq t’ua kalonte gjithë të tjerëve për nga trimëria. Që të dy, bashkë me Konstandinin, flisnin për martesën e ardhshme me motrën e tij. Gjithashtu ra në betejë dhe Niqifori, babai i Paleologut si dhe personazhe të tjera të shquara. Zaharia u godit për vdekje në gjoks dhe menjëherë dha frymën e tij të fundit. Ranë dhe Aspietes e ushtarë të tjerë të elitës së ushtrisë.

Ndërkohë beteja nuk po mbaronte dhe bazileusi vazhdonte të rezistonte gjithnjë. Atëherë tre latinë u shkëputën, njëri prej të cilëve Amicetas, tjetri Pieri, biri i Alifa-s, siç ka thënë vetë ai si dhe një luftëtar tjetër, po aq i zoti si ata. Duke lënë kuajt me kapistrat e tyre dhe duke tundur heshtat e gjata, ata u sulën kundër Aleksit. Amicetas qëlloi drejt tij, por nuk e goditi, pasi kali i bazileusit u largua disi. Aleksi e largoi heshtën e tjetrit me shpatën e tij dhe me të gjitha forcat e goditi kundërshtarin në klavikul, duke ia këputur gjithë gjymtyrën. Në çastin kur luftëtari i tretë e sulmoi përballë, me vendosmëri dhe me një forcë shpirtërore ku asgjë nuk e trëmbte më, në sajë dhe të mendjes së tij të mprehtë, ai e kuptoi menjëherë se ç’duhej të bënte: në momentin kur tjetri goditi, ai u shtri me kurriz mbi vithet e kalit. Sapo tehu i heshtës e preku lehtë lëkurën e trupit, duke u ndalur nga cepi i kaskës së hekurt, ai e këputi rripin që e fiksonte nën mjekër dhe e hodhi në tokë. Kelti vrapoi drejt tij duke e pandehur të ç’armatosur por papritur perandori u ngrit mbi shalë dhe u ul mirë mbi të pa lëshuar asnjë nga armët e tij. Duke e mbajtur shpatën në dorën e djathtë, i mbulur nga një pluhur i përskuqur nga gjaku i tij, me kokën e zbuluar dhe flokët e kuqërremta që i tundeshin mbi fytyrë, ai vazhdoi tu rezistonte armiqve. Megjithatë, ai pa nga turqit që po largoheshin, madje dhe aleati Bodin, i cili nuk ishte përpjekur fare të hynte në betejë. Në fakt, ky i fundit i kishte ngjeshur armët për luftë dhe i kishte rradhitur forcat në rresht-betejë por kishte qëndruar kështu gjatë gjithë kohës, sikur të donte ta ndihmonte bazileusin veçse në rast nevoje, sipas marrëveshjes që dhe kishin bërë. Sapo kuptoi që fitorja ishte në duart e keltëve, ai u tërhoq pa bërë as dhe betejën më të vogël. Kur autokratori pa se askush nuk po vinte në ndihmë të tij i ktheu krahët betejës. Atëherë, latinët u sulën pas tij, duke ndjekur pas ushtrinë romano-bizantine.

Ikja e Aleksis

Kur Roberti kishte pushtuar tempullin e Shën Nikollës ku gjendej dhe tenda imperiale dhe gjithë bagazhet e ushtrisë romane, të gjithë ushtarët që kishte, i hodhi në ndjekje të bazileusit. Vetë qëndroi aty ku ishte, duke imagjinuar se autokratori do ishte kapur tashmë rob. Ishin këto mendime që kishin pushtuar shpirtin e tij krenar. Pra ushtarët u hodhën gjithë vrull në gjurmë të bazileusit, gjer në vendin e quajtur nga banorët vendas Kakepleura. Bazileusi ishte poshtë, atje ku rridhte lumi i quajtur Charzane dhe ku në anën tjetër kishte një shkëmb të lartë që binte thikë. Pikërisht atje e gjetën keltët. Ata e qëlluan me heshta nga ana e majtë, duke bërë që ai të përkulej djathtas. Ishin nëntë keltë. Sigurisht ai do të binte nëse nuk do të bënte kujdes që të mbështetej mbi shpatën e vendosur në tokë, të cilën e mbante me dorën e djathtë. Për më tepër, maja e mamuzeve të këmbës së majtë, e ngulur në cepin e mbulesës së shalës, që quhet “lipostroma”, e bëri më të vështirë rënien e kalorësit. Me dorën e majtë tërhoqi cepin e shalës dhe kështu arriti të mbahej. Si gjithnjë u ndihmua nga një fuqi hyjnore, çka papritmas i solli shpëtimin nga armiqtë. Nga e djathta iu shfaqën keltë të tjerë që flakën mbi të heshtat e tyre por duke u kapur mbi njërën prej tyre, heroi ynë qëndroi në ekuilibër midis heshtave që shkonin mbi të. Dukej vërtet si një spektakël i habitshëm pasi ata që ishin majtas përpiqeshin ta rrëzonin, ndërkohë që keltët e tjerë në të djathtë hidhnin shigjetat mbi të, sikur të qëllonin përballë luftëtarëve të tyre. Poasi mori forcë dhe u ngrit mbi kalin e tij duke e shtrënguar atë midis këmbëve dhe shalës së tij Aleksi dha një prove tjetër trimërie. Por edhe kali me atë mbulesë të purpurt, që dallohej për fuqi e shkathtësi të veçantë, pati atë forcë që duhej vërtetë për luftë. Pra i ndihmuar nga fati hyjnor papritur kërceu e çau përpara duke u gjendur majë shkëmbit sikur të kishte fluturuar lehtësisht me krahët e Pegas-it. Bryenne e kishte quajtur këtë kalë Sgurices. Ndërkohë që heshtat e barbarëve binin, disa prej tyre qëlluan bosh. Të tjerat, duke shpuar mburojën e perandorit qëndruan aty të ngulura. Duke u larguar, shigjetat ndiqnin kalin pas… Meqë tani e kishte thyer rreshtin e armiqve, bazileusi u sul me galop duke çarë përpara. Ky njeri ishte im atë.

Pasi kishte përshkuar shtigjet e rrezikshme të maleve përreth, nga shtigje të pashkelura gjatë dy ditëve e netëve, bazileusi, arriti në Ohër. Gjatë rrugës ai kapërceu lumin Charzane (Erzen) dhe ndaloi në vendin e quajtur Babagora, në një qafë ku kalohet me vështirësi. Mendimet e tij nuk ishin tronditur as nga humbja dhe as nga fatkeqësitë e betejës, madje as nga dhimbja e plagës që kishte marrë por shpirtërisht, ishte i vrarë nga vdekja e luftëtarëve të tij rënë në betejë, veçanërisht ata që kishin rënë në mënyrë heroike. Megjithatë mendonte veç për qytetin e Dyrrachiumit dhe i vinte keq që ai qytet kishte mbetur pa prijës, pasi Paleologu nuk  kishte mundur të hynte përsëri, meqë beteja filloi shumë shpejt. Megjithatë, ai kishte mundur të siguronte shpëtimin e banorëve: gardën e akropolit ia kishte besuar prijsave venecianë që kishin ardhur aty, (një i quajtur Domenico, sipas Malaterra-s), ndërsa pjesën tjetër të qytetit ia kishte lënë Kamiskortës, me origjinë shqiptare, të cilit me letër i kishte dhënë porositë për masat që duhej të merrte…»

Por ç’ndodhi më vonë? Sipas kronikave të ndryshme, shumë shpejt Aleksi arriti të mbledhë trupa të tjera dhe të luftojë në Janinë. Në këtë betejë, Aleksi kishte përgatitur karro me heshta të mprehta që të thyente pararojën e Bohémondit, i cili zakonisht sulmonte gjithnjë në qëndër por i informuar për këtë përgatitje të bizantinit, normandi sulmoi nga krahët dhe perandori u tërhoq i thyer. Më pas Aleksi u përpoq të ndeshej me normandët edhe në Arta, por e kishte të pamundur të përballonte furinë normande. E vetmja rrugë ishte kthimi drejt Konstantinopojës. „Megjithëse Guiscard-i kishte fituar, – shkruan historiani Villemain në librin Histoire de Grégoire VII, – ai ishte tërhequr disi nga qyteti dhe qëndronte në fushën e Durrësit. Pranë lumit Guival, ai ngriti një fortesë që do të mbetej në kujtesën e këtij vendi. Tashmë, në krye të Durrësit, Paleologu ishte zëvendësuar me një venedikas. Meqë në qytet kishte pakënaqësi, Guiscard kërkoi të bisedonte me komandantin e kështjellës përmes një qytetari nga Bari, i cili atë kohë shërbente në Durrës. Normandi shkoi me një eskortë të zgjedhur pranë kishës së Shën Nicolas, ku venedikasi erdhi të bisedonte me të. Guiscard-i i propozoi ta martonte me një nga bijat e tij, nëse ai dorëzohej pa luftë. Dhe ashtu ndodhi…“ Venecianët hapën portat e qytetit. Kjo ishte disfata e parë e madhe e perandorit bizantinas. Më së fundi Dyrrachiumi u pushtua nga normandët pa luftë.

Paqja e Devollit

Në rrethimin e dytë të Durrësit, Ana Komnena përshkruan sesi normandët përdorën një pajisje me rrota në formën e një breshke gjigande të mbuluar nga lëkura viçi dhe të qepura mes tyre. Ajo e tregon atë si një përbindësh të papërshkrueshëm, ku përmes tij normandët godisnin muret për tu ngjitur pastaj në bedenat e kështjellës. Ajo pohon se kundër kështjellës normandët përdorën shumë mekanizma lufte si “helepoles”, katapluta, tora apo kulla druri të larta, mina të asaj kohe dhe njëkohësisht filluan të hapnin galeri nëntokësore për të hyrë në kështjellë. Kur mbrojtësit e kuptuan këtë, edhe ata hapën galeri duke shkuar në drejtim të galerisë së armiqve të tyre dhe atje ku i pikëtakonin ata, u hidhnin zjarr. Për trupat e Robert Guiskardit që mbërritën në brigjet e Ilirisë, ajo shkruan se ishin 30.000; të tjerë kronistë, si Godeffroi Malatera shkruan për 13.000; murgu i Mont-Casin Pierre Dacre pohon për 15.000. Kronikanë të tjerë anonimë, (Kronika e Gesta Francorum), etj., japin shifra më të pakta. Tenda e betejës në kampin e Aleksit ishte në ngjyrë të purpurt, si ngjyrë perandorake që ishte.

«Me të marrë këtë lajm, – shkruan Ana Komnena, – autokratori thirri Kantakuzenin, meqë i dinte aftësitë e mëdha të këtij luftëtari në fushatat luftarake. Siç kam shkruar, atë e kishin thirrur në Laodice dhe tani po vinte të takonte autokratorin. Meqë duhej vepruar pa humbur kohë kundër Bohemondit, autokratori e nisi me një trupë të fortë luftëtarësh dhe doli nga kampi pas tij, si të donte t’i jepte zemër luftës. Kur arriti në vendin që banorët e quanin Petra,[1] ai ndaloi dhe i dha këshillat e shumta Kantakuzenit, duke i treguar veprimet luftarake që duhej të ndërmirrte duke sugjeruar se cila kishte më shumë përparësi, e pastaj gjithë shpresë e dërgoi drejt Gllavinicës, ndërkohë që ai vetë vinte drejt Deabolis.[2] Kantakuzeni vazhdoi rrugën dhe mbërriti në një fortesë të vogël të quajtur Milos, të cilën e rrethoi menjëherë pasi vuri në pozicion lufte «helepole»-t e ndryshme. Romanët u afruan me guxim drejt bedenave: disa nga ata hodhën zjarre në portat e hyrjes duke i djegur; të tjerë nga ushtarët e Bohemondit u kacavjerrën mureve dhe u ngjitën shpejt gjer në pjesën e sipërme…»

Ana Komnena shkruan se në të njëjtën kohë, Guy, vëllai i Bohemondit, luftonte kundër bizantinëve dhe shqiptarëve në brigjet e jugut. „ Ai u njoftua nga ata për atë që kishte ndodhur dhe ndërroi rrugë. Duke zgjedhur mes njerëzve të tij luftëtarët më trima, ai i dërgoi ata në Orikum dhe në Kaninë. Kështu ata u nisën dhe mbërritën në ato lugina që mbroheshin nga Mihal Kekomenos, (të cilin autokratori e kishte caktuar për t’i mbrojtur). Ata ditën ta shfrytëzonin terrenin në favor të tyre dhe i sulmuan me vrull romanët, duke i vënë përpara dhe duke i shpartalluar…“ Ndërkohë, gjenerali Kantakuzen zhvillonte betejë pas beteje por shpejt, dhe ai iu drejtua Kaninës, meqë romanët e tij ishin thyer keqas. Kësaj rradhe do të fitonte mbi ushtrinë kelte, duke kapur shumë robër. «Pra gjithë kontët robër, Kantakuzeni i çoi te autokratori dhe pastaj u kthye në Timoros,[3] një fortesë në rrethinat e Kaninës. Ishte një vend moçalor ku depërtohej me vështirësi. Aty qëndroi një javë, duke dërguar përpara me shpejtësi vrojtuesit e tij në drejtime të ndryshme për të vëzhguar lëvizjet e Bohemondit dhe për të marrë informacionet që duheshin. Kështu, nisur nga lëvizjet e Bohemondit, ai mund të godiste më me siguri. Këta vrojtues ndeshën rastësisht njëqind keltë që po ndërtonin lundra me qëllim që të kalonin lumin dhe të pushtonin një qytezë të vogël në anën tjetër të bregut. Por sapo i pokasën, ata u ranë sipër dhe pothuaj i kapën të gjithë robër, duke përfshirë dhe një kushëri të Bohemondit, i cili ishte i lartë afro dhjetë këmbë dhe kishte pamjen e një Herkuli. Ishte vërtet një spektakël origjinal të shihje atë gjigand mizor të kapur rob e të dërguar, ashtu si një «pigmé» në duart e sitëve. Në fakt, kur i dërgoi robërit, Kantakuzeni urdhëroi që atë ta çonin të lidhur me hekura drejt e te autokratori, me sa duket për ta zbavitur me pamjen e tij. Sapo bazileusi mori vesh ardhjen e robërve, u ul në fronin perandorak dhe urdhëroi të fusnin robërit. Atëherë hyri i lidhur dhe siti, që nuk i arrinte as në brez keltit gjigand. Menjëherë plasi një e qeshur e madhe nga të gjithë të pranishmit. Kontët e tjerë i çuan në burg…”

Ndërkohë që luftohej për mbrojtjen e kështjellës së Dyrrachiumit, beteja të tjera zhvilloheshin në tokat e Ilirisë. Bazileusi kishte zgjedhur tashmë taktikën që të mos sulmonte frontalisht, por ta godiste herë pas here kundërshtarin e tij. Trupat i kishte shpërndarë nëpër vende strategjike të kryesuar nga gjeneralët më të sprovuar. «Aliates, i cili me disa ushtarë të tjerë të elitës mbronte Gllavinicën, zbriti në fushë por një Zot e di nëse zbriti për të luftuar apo për të parë ndonjë pozicion. Rastësisht ai ra menjëherë në mes keltëve të armatosur me pazmore, mes këtyre luftëtarëve trima, të cilët kur e panë u ndanë në dy grupe: një grup prej pesëdhjetë luftëtarësh iu sulën përballë me një fuqi të paparë dhe me të katra, ndërkohë që të tjerët i erdhën nga pas pa zhurmë, meqë përreth ishte kënetë. Aliates, nuk dyshonte për ardhjen e tyre nga pas dhe luftonte me kurajo dhe të gjitha forcat ndaj atyre që kishte përballë, pa e ditur  se një rrezik tjetër e kërcënonte tashmë. Ata që i shkuan nga pas, iu sulën dhe luftuan me furi. Një kont i quajtur Kontopaganos, i doli përballë dhe e qëlloi me heshtë. Aliates u shëmb menjëherë në tokë pa frymë. Shumë luftëtarë të tjerë të trupës së tij u vranë dhe ranë si ai…»

Siç shkruan Komnena, ndërkohë që muajt kalonin dhe kështjella e Dyrrachiumit nuk dorëzohej, gjendja për Bohemondin sa vinte dhe bëhej më shqetësuese. Ushtritë e tij sulmoheshin vazhdimisht nga trupa më të vogla dhe në vende të ndryshme por probleme të tjera i dilnin përpara. «Megjithatë ai nuk po e trondiste dot fuqinë romane.[4] Ndërkohë u ndesh me shumë probleme për të mbajtur gjallë ushtrinë, pasi gjithçka që kishin plaçkitur e mbledhur rreth Dyrrachiumit, tani ishte mbaruar dhe në disa vende, ushtria normande, e cila fillimthi kishte pushtuar luginat, shtigjet, madje edhe vetë detin, tashmë nuk mundi t’i mbante ato vende që ai shpresonte se do ta furnizonin me ushqime. Kjo solli një uri të tmerrshme në rradhët e ushtrisë, duke shkaktuar ngordhjen e kuajve dhe vdekjen e njerëzve, meqë kuajt s’kishin më tagji dhe njerëzit s’kishin më të hanin. Ndërkohë nisi dhe një dizanteri që e mbyti këtë ushtri barbare. Dhe kjo si pasojë e ushqimit të pamjaftueshëm, meqë hanin vetëm polenta meli. Në fakt, zemërimi i madh hyjnor ra mbi këto forca të pamata e të parezistueshme, duke i goditur ushtarët për vdekje njërin pas tjetrit…»

Që nga koha e mbërritjes në Durrës, gjatë gjithë një viti e gjer në fund të dimrit, Bohemondi e mbajti Dyrrachiumin të rrethuar dhe në pranverë e kuptoi se kauza e tij kishte marrë fund. Tashmë perandoria bizantine dhe aleatët e saj, siç ishin shqiptarët, kishin formuar një ushtri të disiplinuar. Durrësi ishte e pamundur të pushtohej. Aleksi përdori diversionin, duke u shkruar letra disa prej komandantëve kryesorë normandë që të bashkoheshin me të. Këtë gjë ai e bëri me komandantin Guy dhe kalorësin tjetër Richard du Principat. Nga ana e tyre, duke e parë se pakënaqësia tek trupat po rritej, ata i kërkuan Bohemondit të negociojë me perandorin e Konstantinopojës. Sipas kronistit Fleury, një murg që ka lënë dorëshkrimin e tij, „Guy u sëmur dhe në krevat kërkoi t’i rrëfehej Bohemondit, duke i treguar se Aleksi i kishte propozuar që nëse bashkohej me të, ai i jepte vajzën e tij për grua si dhe zotërimin e qytetit të Dyrrachium-it. Kur dëgjoi këtë, Bohemondi e shau dhe u largua i inatosur“.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe Bohemondi do ta gjente veten të rrethuar.

Negociatat për Paqen

Tashmë betejat nëpër grykat dhe vendet shkëmbore shqiptare, veçanërisht drejt Gllavinicës, Kaninës, Petrelës, etj., kishin pushuar. Ishte si një prag armëpushimi. Bohemondi e kishte kuptuar se nuk mund të rezistonte gjatë. Të izoluar dhe në pamundësi për të gjetur anije, meqë venecianët me anijet e tyre vigjëlonin në breg,[5] normandët filluan të vuajnë nga uria e madhe dhe baronët e tyre që u prinin nisën të dezertojnë me rradhë. Kështu, Bohemondi mendoi se do të ishte më mirë të bënte paqe me bazileusin bizantin dhe t’i jepte fund luftës. Kjo ishte mundësia e fundit e tij. Sigurisht në fillim nuk donte të tërhiqej si një i mundur, pasi ushtria e tij në fakt nuk ishte thyer dhe shpartalluar. Atëherë në shtator të vitit 1108, i dërgoi një letër guvernatorit të Dyrrachiumit, i cili ishte nipi i bazileusit, një Komnenas që quhej edhe ai Aleks, duke i shkruar se më së fundi kërkonte të bënte paqe. Ky i fundit njoftoi menjëherë bazileusin, i cili qëndronte në pjesën malore te Gllavinicës, duke vështruar tutje kodrinat e buta dhe fushat që shtriheshin gjer në breg të detit. «Dukës së Dyrrachiumit, – shkruan Ana, – ai i njoftoi që t’i përgjigjej Bohemondit me këto fjalë: “Ti e di shumë mirë se shpesh unë kam gabuar pasi nuk i ndruhesha ndjenjave dhe fjalëve të tua. Nëse ligji i shenjtë s‘do tu kërkonte të krishterëve që ta falnin njëri-tjetrin, unë nuk do t’i kisha dëgjuar propozimet e tua. Megjithatë është më e pëlqyeshme të gabohesh sesa të fyesh Zotin dhe të bësh kundër ligjeve të shenjta. Ja pse unë nuk e hedh poshtë kërkesën tënde. Nëse ti do vërtet paqen, nëse ti e mohon veprën pa kuptim e të pa realizueshme që ke ndërmarrë dhe nëse nuk ke më dëshirë të derdhësh gjakun e të krishterëve, këtë e them jo në interes të vendit tënd apo të krishterëve, por për shkak të dëshirës tënde dhe vetëm të saj. E meqë distanca që na ndan nuk është e madhe, eja këtu me cilin të duash ti. Dhe atëherë nëse dëshirat tona respektive do të puqen në të njëjtat pikëpamje, apo nëse ato nuk do të përputhen, në secilin rast, siç do të bihet dakort, ti do të kthehesh në kampin tënd shëndoshë e mirë…»

Devolli sot duket një vend pa ndonjë histori të madhe në këta njëmijë vjet të fundit, por Traktati i Paqes së Devollit, siç njihet në histori, emrin e tij e shënoi në librat më të njohur të kronikave të hershme. Ky traktat paqeje ishte firmosur në vitin 1108, çka tregon se Devolli, (Déabolis), pra Arbëria, ishte në atë kohë një shesh betejash midis normandëve dhe bizantinasve, ku shqiptarët si gjithnjë kishin mbajtur peshën e betejave të para dhe kishin qenë gjithnjë në krahun e bizantinasve. Traktati u firmos në Devoll, nga vetë Aleksis I, perandor i Konstantinopojës dhe Bohemondi. E habitshme të imagjinosh sot dy nga personazhet më të mëdha të asaj kohe që të takoheshin në trojet shqiptare për të firmosur paqen e madhe. Ana Komnena e përshkruan ceremoninë e kësaj ngjarje poshtëruese për një hero si Bohemondi, i cili deri atëherë ishte heroi më i lavdishëm i botës kristiane. Kronistët thonë se Aleksi e priti Bohemondin në kampin e tij në hyrje të grykës së Devollit. Pritja ishte e ftohtë. Madje që më parë, për tu siguruar Bohemondi i kishte kërkuar pengje, të cilat Aleksi ia dha. Që më parë ai i kishte dërguar një letër perandorit ku i thoshte: „Dua të pritem si i barabartë me autokratorin në një distancë prej shtatë hapash larg, shoqëruar nga njerëzit e tij më të afërt nga gjaku. Kur unë të kapërcej pragun e tendës, bazileusi të ngrihet në këmbë për të më pritur me nderime. Ai të më marrë për dore dhe të më vendosë në vendin e nderit. Unë do të hyj me dy kalorës dhe nuk do ta përkul kokën para tij.“ 

Traktati i Devollit

Kur e lexoi marrëveshjen për Paqen, në fillim Bohemondi nuk pranoi ta firmoste por Niqifor Brienios, burri i Ana Komnenas, i cili negocionte në emër të Aleksit, i bëri të qartë se nuk kishte zgjidhje tjetër. Dhe padyshim, nuk ishte e lehtë të diskutoje me Bohemondin. „Normandi që ishte luftëtari më i lavdishëm i atij shekulli, ishte i sertë dhe nuk duhej prekur në sedër. Kështu, traktati u nënshkrua në prani të tyre nga peshkopët e Amalfit dhe ai i Tarentes, si i dërguar i Papës Pascal II, nga prifti i manastirit Saint-André të Brindizit si dhe ambasadorët e mbretit të Hungarisë dhe të Richard de Sénechal, i cili në fakt ishte i biri i Dreux de Hauteville, njëri nga 11 vëllezërit e Robert Guiskardit dhe nga Roger, biri i vëllait tjetër, Dagobert. Ky i fundit do të bënte një karrierë të shkëlqyer në oborrin e Aleksit dhe që bashkëkohësit e quanin „Franc illustre“[6], kurse poeti grek Kallikles, e cilësonte atë „pinjoll i një familje luanësh“.

Meqë Ana Komnena e ka përshkruar këtë ngjarje dhe meqë ajo ishte shumë e afërt me atin e saj, mendohet se ndoshta ajo ka qenë e pranishme gjatë nënshkrimit. Atëherë Bohemondi ishte 40 vjeçar dhe Komnena e përshkruan bukur. „Ai ishte shtatlartë dhe i kalonte një llërë më shtatlartët që e rrethonin. Ishte i hollë dhe me shpatulla të gjera, me një gjoks të zhvilluar dhe krahë të fuqishëm. Por në përgjithësi, trupi i tij nuk ishte as i dobët dhe as i shëndoshë, por mjaft proporcional. Kishte duar të forta dhe mbështetej fuqishëm mbi këmbët e tij. Lëkura e tij ishte tepër e bardhë, por në fytyrë pleksej dhe një ngjyrë e kuqe. Sytë e tij blu shprehnin njëherësh kurajo dhe dinjitet.“[7]

Përmes këtij traktati, Bohemondi e njohu veten si vasal të Aleksit dhe të birit të tij, Joan. Pra këtej e tutje, Bohémondi duhej të bënte gjithçka vetëm me miratimin e perandorit. „Unë nuk do të bëhem vasal i ndonjë fuqie tjetër të madhe, apo të vogël, pa urdhërin tënd, pasi i vetmi pushtet, të cilit premtoj t’i bindem është ajo e Madhërisë suaj dhe birit tuaj të shtrenjtë.“[8] Madje ai angazhohej ta trajtonte dhe Tankredin si armik, nëse ai nuk i nënshtrohej perandorit Aleks. Meqë Bohemond kishte pushtuar shumë toka në Orient, ai ia kalonte ato Bizancit, duke ruajtur vetëm Antioche-n për sa kohë do të ishte gjallë, me titullin „duk i Antioche-s“ dhe jo „princ“, siç kishte titullin më parë. Nga ana e tij, Perandori detyrohej t’i jepte çdo muaj 200 livra ari, si dhe shumë fortesa që ai i kërkoi në Orient. Kështu, perandoria bizantine u shtri në gjithë tokat e kryqtarëve në Orient, përveç Jeruzalemit.

Pikërisht në Deabolis, (Devoll), u mblodhën personazhe të shquara të kësaj kohe. Konkretisht, dëshmitarët nënshkrues që ishin të pranishëm para këtij traktati të përfunduar siç shkruan Komnena ishin: Peshkopët e shumë të shtrenjtit Zot, Maurus Amalfi dhe Renard de Tarente me klerikët që e shoqërojnë; besimtari i madh Kathigume i manastirit të adhuruar të Saint-André në Longobardi, në ishullin e Brindizit bashkë me dy murgjit e të njëjtit vend; prijësat pelerinë që kanë bërë nga një shenjë me dorën e tyre dhe që emri u është transkriptuar nën shenjën e dorës së vetë peshkopit të Amalfit tepër të shtrenjtë për Zotin, që erdhi gjithashtu te autokratori si legat i Papës[9]. Nga oborri mbretëror ishin: sevasti Marinos, Roger, biri i Dagobertit, Pier Alifa, Guillaume Gouzes, Richard Printzitas, Joffroy Mali; Paul le Romain, përfaqësuesit e ardhur nga ana e kralit, i lidhur me familjen e Madhërisë së tij, zhupani Pérès dhe Simon, përfaqësuesit e Richard Siniscard, fisniku Basil eunuku dhe noteri Konstandin. Pra Bohemondi dorëzoi aty betimin me shkrim, të cilën autokratori e mori dhe në kthim i dha krisobulën e shkruar me bojë të purpurt nga dora perandorake siç ishte zakoni.

Vdekja e Bohemondit

I fyer dhe i lodhur nga lufta, Bohemondi u kthye më së fundi në Pulje, ndërkohë që Tankredi në Antioche nuk pranoi t’i njihte të drejtat e „bazileusit të Konstantinopojës. Dy vjet me rradhë, Bohemondi jetoi i vetmuar me Constance-n, ku si gëzim të vetëm pati lindjen e një djali, të cilin e quajti Bohemond, si veten e tij. Një djalë i mëparshëm, i quajtur Jean, kishte vdekur pak kohë pas lindjes. Më së fundi, në 6 mars të vitit 1111, siç shkruan dhe historiani Jean Flori në librin e tij Bohemondi, princ i Antioche-s,[10] Bohemondi vdiq dhe u varros në katedralen e Canosas së Puljes. Ai vdiq të njëjtin vit, kur pak më parë kishte vdekur dhe gjysmë-vëllai i tij, Roger Borsa. Por edhe nipi i tij Tankred, të cilit i kishte lënë trashëgim principatën e Antioche-s, do vdiste një vit më vonë. Sipas historianit G. Coppola, në librin e tij Bohemond I, princ i Antioche-s,[11] shkruante se „Bohemondi u varros në një mauzole në formën e kishave bizantine, ngjitur me katedralen Saint-Sabine në Canosa di Puglia“. Në mazoleun e Bohemondit në Canosa, mbi një faqe shkruhet në latinisht: „Këtu prehet princi i madh i Sirisë. / Pas tij në këtë tokë, s’do lindë më një i tillë./ Greqinë e mundi katër herë dhe po ashtu Persinë më të madhin vend në botë. / Në dhjetra beteja ai vuri nën vete mijra ushtri / Ashtu si dhe qytetin e Antioches/“.[12] Në një faqe tjetër të mauzoleut shtohet: „Gjatë jetës së tij ai u përpoq të vdesë për Krishtin/ Në vdekje meritoi jetën që jetoi/ Dhe për këtë, paqen e Krishtit do të ketë / Që ky atlet besnik t’i shërbejë qiejve“…

„Ti që hyn këtu, vështro këto porta dhe kupto se ç’shkruhet / Dhe lutu që ai të jetë në qiell, ku do mbetet përgjithnjë.“

Kronisti tjetër i kësaj periudhe Guillaume de Tyr, kishte shkruar se „pas Traktatit të Devollit“, Bohemondi u kthye në Pulje dhe një vit më vonë përgatiti flotën dhe trupat që i kishin mbetur besnike, për të shkuar në Antioche për të mbretëruar, por ai u sëmur rëndë dhe vdiq. Më pas, Bohemond II, biri i tij do të bëhej mbret i Antioche-s.


[1] Petrela.

[2] Devolli.

[3] Duhet të ketë qenë një vend strategjik afër Kaninës, i cili mbante një emër të tillë dhe sigurisht, jo shumë larg malit të Tomorrit.

[4] Historiani Chalandon thotë se Aleksi kishte vendosur të mos bënte betejë frontale me Bohemondin, por vetëm ta bënte ushtrinë e tij që të vuante urie.

[5] Një kronist tjetër ka shkruar se Bohemondi bëri të njëjtën gjë si dhe Robert Guiskard shumë vite më parë, duke i djegur anijet e tij që normandët mos të mendonin t’ua mbathnin e kështu të luftonin për jetë a vdekje.

[6] Frank i shquar.

[7] Alexiade, XIII, 10, Anne Comnene.

[8] Alexiade, XIII, 12, Anne Comnene.

[9] Paskal II.

[10] Bohémond d’Antioche, Jean Flori, Ed. Payot, Paris, 2007.

[11] Bohémond I, prince d’Antioche, G. Coppola, Editions Fayard.

[12] «Magnanimus Sirie iacet hoc sub tegmine princeps/Quo nullus melior nascetur in orbe deinceps./Grecia victa quater, pars maxima Partie mundi/Ingenium et vires sensere din Boamundi/Hic acie in dena vicit virtutis abena/Agmina millena, quad et urbs sapit Antiocena.»

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *