Alexandre Degrand – Kujtime nga Shqipëria e Epërme

Në gjurmët e pellazgëve të vjetër

Shfaqja e një konsulli të huaj në Shqipërinë e Epërme në dhjetvjeçarin e fundit të shekullit XIX, në thepisjet e atyre majëmaleve dhe kullave hijerënda të veriut shqiptar, ku këmbë të huaji rrallë kishin shkelur, për banorët e atyre anëve ka qënë padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme. Por askush nga shqiptarët e atëhershëm nuk shkroi për udhëtimin e këtij konsulli apo atyre pak konsujve e udhëtarëve të huaj, historianë e gjeografë që kishin përshkuar viset shqiptare gjatë atij shekulli. As «drogmanët» shqiptarë që i shoqëronin nuk na kanë lënë ngjarje e mbresa rreth këtyre njerëzve që gjithë kurajo tentonin të deshifronin misteret e atyre njerëzve dhe maleve që i strehonin që nga mugëtirat e kohrave. Historitë e udhëtimeve të këtyre konsujve mbeteshin kështu si një lloj gojëdhëne, që sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë ajo përhumbej dhe merrte tisin e legjendës. Dhe njerëzit më vonë pëshpërisnin: „Thonë se dikur, këtej ka kaluar një konsull francez…“ Por lumturisht, konsujt e huaj Alexandre Jules Théodore Degrand, ashtu si dhe Hyacinthe Hecquard, Gabriel Aubert, Emile de Wiett e të tjerë, e kanë shkruar këtë lloj kronike, madje shumë më tepër se një kronikë udhëtimesh: ata shkruajtën libra plot dëshmi e histori njerëzore, ku ngjizen fate, ngjarje, luftra, këngë e vdekje heronjsh, tradita e supersticione.

Ndryshe nga konsulli Hecquard i mesit të shekullit XIX, duke ndjekur traditën e austriakut Josef Sekel,[1] i cili na la fotografi të mrekullueshme të Shkodrës dhe luginës së Drinit, Degrand ka fiksuar dhe imazhe e portrete që sot përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme fotografike, imazhe që na sjellin atë kohë që nuk ekziston më. Ato gra e vajza, ata malësorë të fiksuar në objektivin e aparatit fotografik mbi pllaka xhami, në oborre shtëpish apo monopate malore, dëshmojnë për një tipologji të cakuar njerëzore, fytyra që i përkasin një kombi të caktuar, një drame dhe historie, ku qytetërimi perëndimor ende nuk kishte zbritur e ku ligjet ishin ende të pashkruara. E megjithatë, në ato portrete të fiksuara nga konsulli francez, ka një humanizëm të veçantë. Janë sy dhe shpirtra që flasin. Dhe ajo çka është më interesante, është se këto fotografi nuk janë shkrepje të çastit, të papritura dhe fiksime fshehtazi të një realiteti siç ndodh në kohrat moderne. Jo! Ata burra, gra dhe vajza, pozojnë para aparatit, të paqtë, të çiltërt dhe me zemër të hapur, siç ishte vetë mikpritja e tyre për të huajin, çka në ato male ishte e shenjtë: «Shtëpia e malësorit është e Zotit dhe e mikut!…» – thuhej në një nga kodet e Kanunit të Vjetër shqiptar.

Si shumë diplomatë të tjerë të Francës të kësaj kohe, Degrand ishte një poliglot i talentuar, siç shkruan dhe në një shkresë të Quai d’Orsay-it më 1905, se ai „di anglisht, spanjisht, portugalisht, italisht, rumanisht dhe pak rusisht“. Ai kishte lindur në Carcassone, nën jë familje fisnike, ku një ndër të parët e tij N. Degrand ishte fisnikëruar nga mbreti më 16…… Fillimisht Degrand kishte filluar të punonte për shërbimet konsullore në Buenos-Aires më 1868 dhe më pas, më 1883 e gjejmë si zëvendës konsull në Roustchouk (Kustendje) të Rumanisë. Ai ishte gjithashtu „chancelier“ dhe në Galatz, ku u angazhua si bashkëpuntor i arkeologut Charles Champoiseau, zbuluesit të mëvonshëm të skulpturës së famshme Fitorja e Samothrakës, (1879), të cilën ai e solli në Louvre, ku është edhe sot.  Më 1890 dekorohet me medaljen e „Chevalier de la Légion d’Honneur“ dhe një vit më vonë ai caktohet në Adrianopol, por klima atje dhe sëmundja e vajzës, e detyrojnë të largohet shpejt. Kështu më 1893 ai mbërrin në Shkodër. Siç kujton në shënimet e tij Jean-Claude Faveyrial, „Franca kishte patur prej kohësh konsuj në Durrës dhe në Shqipërinë e poshtme, në Epir, por jo në Shkodër“. Përfaqësuesi i saj i parë, thotë Faveyrial,[2] u vendos në Shkodër në vitin 1853. Nëse i referohemi arkivave franceze, në fakt, pas konsujve Hecquard e De Wiet, më vonë kanë qenë dhe konsujt Collona Ceccaldi apo Le Rée. Në fillimin e vitit 1893, një konsull i ri u shfaq në Shkodër: Alexandre Degrand.

Konsull në Scutari

Pas një udhëtimi me tren nga Parisi drejt Triestes dhe më pas me avulloren austriake „Lloyd“ që bënte udhëtimet përgjatë bregut Adriatik, bashkë me familjen e tij Degrand mbërriti në Ulqin, ku kalaja e famshme e Ulqinit i lë mbresa të veçanta, për çka dhe shkruan në librin e tij me kujtimet shqiptare. Nga Ulqini, ashtu si dhe shumë konsuj të tjerë, i shoqëruar nga drogmani i konsullatës i quajtur Zef, pra përkthyesi i tij, dhe njerëz që i njihnin mirë krahinat, ai kapërceu përmes maleve duke iu drejtuar Hotit për të dalë në Leqet e Hotit dhe zbritur që andej drejt Shkodrës. Kur hyri në Shkodër ai u habit me gjelbërimin e madh përgjatë rrugës, ku udhëtari pikëtakohej me shkurret dhe pemët e shegëve, të manave, fiqve apo luleshelgët në ngjyrë rozë. „Portat e mëdha të shtëpive, – do të shkruante më vonë ai, – janë të mbërthyera me gozhdë të mëdha e disa syresh kanë frëngji. Rrugët kanë trotuare të lartë e me kalldrëm“. Ato ditë ai fotografoi pazarin, shtëpitë, çardakët, diku një oxhak të mrekullueshëm shtëpie që është një vepër më vete arti e që të kujtonte Perëndimin. Fotografoi tipet e grave katolike e muslimane, të qyteteve dhe fshatrave përreth, apo dhe në malësi e Mirditë, profile të burrave, hanet, njerëzit që takonte, etj. Për kështjellën e Shkodrës, ai na kujton një tablo të Paolo Veronese-s, e cila, siç thotë ai, zbukuron sallën e Këshillit të Madh të Venedikut dhe që i kushtohet mbrojtjes së Shkodrës nga Antonio Loredano[3] dhe ku shkruhej “Scodra, bellico anni apparatu din vehementerque a Turco appugnata, accerima propugnatione retinetur”.

Për gjashtë vjet me rradhë, nga viti 1893 deri në vitin 1899, Alexandre Degrand do të ishte konsulli francez në Shkodër dhe nëpër vite, në udhëtimet e tij në veriun shqiptar, ai do të përjetonte dhe shkruante për shumë ngjarje, fakte, biseda e ndodhi të çuditshme, që më pas do t’i botonte në librin e tij Souvenirs de la Haute Albanie, (Kujtime nga Shqipëria e Epërme), te botuesi parisian H. Welter, më 1901, duke i shoqëruar këto shënime me serinë e jashtëzakonshme të fotografive mbi jetën e këtyre maleve. Duke lexuar librin Kujtime nga Shqipëria e Epërme, e kupton menjëherë pasionin e këtij konsulli për të deshifruar jetën dhe historinë shqiptare. Ai shënon gjithçka që i sheh syri dhe që dëgjon në bisedat me malësorët, përshkruan vendet ku shkel, kishat e rrënuara mesjetare në Drisht apo Drivasto, siç e shkruan ai, në Shurdhah (Sarda), Danja (Dagnum), etj., vend-ndodhjet dhe pozicionet gjeografike, qytezat e dikurshme të braktisura nga njerëzit, mbishkrime në gur apo stela funerare që flasin për një histori të madhe dhe të lashtë. E padyshim, ajo që e befasoi konsullin francez sapo bëri udhëtimin e parë jashtë Shkodrës, ishin malet, malet e veriut shqiptar, aq hijerënda e të mistershme. Me të drejtë udhëtari dhe shkrimtari francez Auguste Meylan, i cili i kishte shkelur këto vënde që më 1878, pra thuajse njëzet vjet më parë, kujtonte një legjendë të vjetra që qarkullonte në gojëdhënën popullore. „Dialli, thotë një legjendë e vjetër malazeze e shqiptare, – shkruante ai në librin e tij Përmes Shqipërisë,[4]po kalonte nëpër botë me detyrën për të shpërndarë malet mbi këtë tokë. Duke kaluar nga Mali i Zi, thesi me gurë që mbante mbi shpinë u ça dhe gjithë ai vend u mbush me gurë… Dhe Shqipëria pati pjesën e vet. Ky vend është një nga vendet më të thepisura të botës: male thikë që ndjekin njëri-tjetrin dhe njëri më i ashpër se tjetri. Në thellësi të luginave rrjedhin lumenj të cilët aty-këtu krijojnë liqene të vegjël e të mëdhenj…“

Kur shkoi në Sardën mesjetare, Degrand gjeti veçse rrënoja. Eshtë Sarda antike, Shurdhahu i sotëm,  që siç shkruan ai në librin e tij,  përmendej nga historiani i lashtë Etienne i Bizancit dhe gjeografë të tjerë të kohës antike. Ptolemeo shkruante për ata banorë duke i cilësuar «Sardiotae», Straboni grek shkruante për «Sardiaci», ndërsa Plini romak i cilësonte «Sardiatoe»… Degrand habitej që në këto anë, në një qytezë kaq me emër, që dikur kishte katedrale e peshkopë, nuk jetonin më njerëz. Mbi ato rrënoja dhe me gurët e dikurshëm të katedrales, banorët kishin ngritur një kishë, që siç shkruante historiani Daniele Farlati, autori i Illiricum sacrum, ishte Kisha e Lindjes së Virgjëreshës, me një pllakë që datonte e vitit 1410. «Në dysheme ka shumë varre, – shkruante Degrand në librin e tij, – madje dhe të reja. Vdekja sikur e ka pushtuar këtë kishë. Mbi secilin varr janë degët e pemëve që kanë mbajtur të vdekurin dhe në kokë të varrit duken kryqet e drurit, që me krahët e tyre u japin atyre pamje të qënieve fantastike, sikur ata qënie të ngrihen nga toka, duke mbajtur me ato duar të përdredhura kokat e tyre… Mbi kokë, dhe në çdonjërin sup, qëndron një zog i gdhëndur në dru, çka i bën ato si qenie që jetojnë në hapësirë»… Dhe duke lënë pas këtë «bodrum të vdekurish» siç e quante ai kishën, konsulli ndoqi rrugën drejt kishave të tjera mesjetare. Një inventar padyshim historik, pasi rreth e rrotull kështjellës së Rozafës, ai do të pikaste tetë kisha të hershme, mes të cilave, Kishën e Shenjtëve të Pafajshëm dhe atë të Shën Pjetrit.

Që në fillim të librit të tij, Degrand bënte pyetjen: «Vallë vërtet shqiptarët janë pellazgë, nga ajo racë që Homeri e cilëson hyjnore, pra të jenë pellazgë të mbetur të pastërt dhe të papërzier deri në ditët tona, duke ruajtur gjuhën dhe shumë nga zakonet e tyre, siç afirmojnë dhe disa shkrimtarë modernë që e kanë studjuar këtë çështje?…» Edhe pse nuk e ndërmerr vërtetimin e kësaj hipoteze të komplikuar, Degrand theksonte lashtësinë e shqiptarëve në këto troje, duke iu referuar autorëve antikë e bizantinë, mes të cilëve dhe Constantin Porthyrogènète, i cili në librin e tij Notitix Imperii Byzantini shkruante për «Albanites», pra për shqiptarët.  Në fakt, në atë kohë, në Francë e Gjermani ishte hapur një debat i gjatë rreth pellazgëve, shqiptarëve, ilirëve, grekëve, ku shquhen mes të tjerash dhe Benloew, Schneider, Fallmayer et shumë të tjerë …

Padyshim që Degrand e ka njohur mirë qytetin e Shkodrës ku kishte dhe selinë e konsullatës së tij. Një qytet ku ende rezistonte feja kristiane. Madje ai na bën dhe një panoramë të misioneve fetare që janë në Shkodër në këtë periudhë, duke nënvizuar faktin se „emri i peshkopatës së Shkodrës, për herë të parë përmendet në letrën e Papës Shën Sirce që më 387, kur ai u adresonte një letër peshkopëve të Ilirisë“. Ai citon emrat e martirëve të Kishës që ishin varur e martirizuar nga pashai i Shkodrës gjatë shekujve XVIII-XIX, duke shkruar për benediktinët, domenikanët, jezuitët e françeskanët. Ai shkruan për 18 urdhëra fetare vetëm në Shkodër siç ishin „Shën Mëria e Këshillit të Mirë“, „Corpus Domini“, „Pashkës“, „Shën Pjetrit e Shën Palit“, i „Ascension“, i „Trinitetit të Shenjtë“, i „Kryqit të Shenjtë“, i „Shën Filipit e Jakut“, i „Shën Jozefit“, i „Shën Lorenzos“, i „Shën Markut e Shën Stefanit“, i „Shën Baptistit“, i „Shën Antonios së Padovës“, i „Shën Nikollës“, i „Shën Maria Madalena“, i  „Shën Mikeles“ dhe „Shën Rokut“… Ai jetoi atje në një kohë kur edhe pse ende nën pushtimin osman, shqiptarët mendonin tashmë për pavarësinë e tyre, ashtu siç kishin menduar më parë dhe serbët e malazezët. Nuk dimë nëse Degrand, si një apasionues i fotografisë, ka shkruar për Marubin, i cili në atë kohë ishte referencë e fotografisë me «Dritëshkronjën» e tij në Shkodër, por ai ndalet rreth figurës së Kolë Idromenos, apo siç shkruan ai Nicolas Hydromenos, duke shtuar se ai nuk ishte katolik, por një ortodoks i ritit latin, i ardhur në Shkodër. Ai e cilëson atë si një artist „primitiv“ për mënyrën e pikturimit, duke vlerësuar tablotë tij si Gjykimi i fundit, me figurën e Krishtit, apo Rrugët e jetës, ku në tablonë e madhe duket një portë ku kalon moria e njerëzve për të shkuar në qiell si, françeskanë, jezuitë, stigmatitë, „motrat“ e Mëshirës, etj, apo tabloja Betimi i rrejshëm, (Faux serment). Cilësimi si artist „primitiv“ ishte padyshim i saktë pasi siç duket, Degrand shikonte te ky artist influencën e piktorëve të mëdhenj të „trecento“-s apo „quatrocento“-s, pra të para-Rilindjes italiane, në veprat e Giotto-s, Cimabue-s, etj, të cilët Idromeno i kishte parë gjatë kohës kur studionte artin e pikturës në Venecie. Duket që Degrand ka marrë aparatin e tij fotografik dhe ka shkuar në atelierin e artistit, ku i ka fotografuar tablotë një e nga një. Më e habtishmja është tabloja Le ménage irregulier, (Lidhja e parregullt). Në këtë kompozim shquhet figura e një burri dhe e një gruaje mes djajve. Artisti trajton kështu një nga zakonet jo të mira të malësisë, ku burri mund të martohej me të venë e të vëllait të sapo vdekur. Dhe ai parasheh një ndëshkim për ata që e bëjnë këtë. Kolë Idromeno jep po aty imazhin e burrit që piqet për tu ngrënë nga „shpirtrat e errësirës“ në një skenë danteske. Degrand ndalet në veprën e Idromenos pasi e shikon atë si një artist që ngre probleme të mëdha sociale me dëshirën për të emancipuar e qytetëruar shoqërinë e kohës.

Konsulli që u bë nun

Sidoqoftë, në librin e tij, (i vetmi botim që ka lënë nga misioni i tij në Shqipëri), ne mësojmë se ai ndjente një dashuri të vërtetë për shqiptarët, çka e tregon dhe në historinë se si një fshatari shkodran, i cili ishte bërë me djalë, i kërkoi të bëhej nuni i tij, ashtu si njëzet vjet më parë, princi i Oroshit, Bib Doda, i kishte kërkuar konsullit francez po në Shkodër, Gabriel Aubert, i cili ishte bërë nun i princit të vogël të Mirditës Bib Doda. Cili ishte ky fëmijë që Degrand kishte pritur në konsullatën e tij për t’i prerë flokët dhe që e kishte mbushur me dhurata? „Rasti e solli, – shkruan ai, – që gjatë një gjuetie të shkoja në fshatin musliman të Drishtit, ku u prita nga një familje shqiptare në një mënyrë të jashtëzakonshme, siç të presin kudo në Shqipëri, ku gjithçka që kanë ata ia ofrojnë mikut që u vjen. Burri i asaj shtëpie që më priti aq mirë, pak kohë më vonë erdhi dhe më takoi në Shkodër, duke më thënë se gruaja e tij do të ishte shumë krenare nëse do t’i prisja flokët fëmijës së lindur dhe do të isha nuni i tij. Isha i lumtur t‘ua plotësoja këtë dëshirë. Ditën e caktuar ai erdhi në konsullatë me një pjatë me mjaltë me hoje në ngjyrë të artë. Pas tij vinte i vëllai që tërhiqte një dash dhe pastaj gruaja që mbante në kurriz një djep të rëndë druri, ku flinte „filioli“ im, Ramazani. Ata kishin bërë tre orë rrugë dhe më sillnin dhuratat e tyre. E ëma e nxorri fëmijën nga djepi dhe më zgjati gërshërët e vendosur mbi një pjatë, gërshërë me të cilën i preva fëmijës tri cullufe të vogla. Duke lënë gërshërët dhe dhuratën time mbi pjatë, krenar i dhashë asaj cullufet e flokëve, çka krijonte kështu një lidhje të fortë mes nesh…“

Dhe Degrand nuk harroi ta fotografonte gruan e malësorit bashkë me fëmijën e saj duke i dhënë gji, atje para djepit, ulur në gjunjë, me një shikim të lumtur dhe e veshur me një kostum të bardhë. Vite të shumta rrodhën dhe ai fëmijë u bë burrë, gjysh, stërgjysh dhe pas vdekjes së tij pinjollë të tjerë vazhduan jetën pa e ditur se një nga të parët e tyre kishte patur si nun apo kumbar një konsull francez. Degrand tregoi një interesim të veçantë për tipologjinë e gruas shkodrane, të cilat i ka fotografuar nga afër, çka nuk ka qenë e lehtë për të, por për një konsull, për më tepër francez, dyert e shtëpive ishin gjithnjë të hapura. Ato janë muslimane, të krishtera, vajza e gra të Shkodrës, në oborret dhe verandat e tyre plo lule, gra të Hotit, Shalës e Mirditës; ai shkruante për veshjet e tyre dhe detaje që tregojnë jetën e vërtetë të një qyteti, siç ndodh kur tregon për «prostitutat muslimane» në rrugë, apo për ndasitë fetare, siç i kishte ndodhur në një rast kur një gruaje kristiane që shiste fruta në rrugë, kur i shkoi një musliman t’i blinte, ajo i tha se nuk i shiste. Por menjëherë, kur kaloi një nga shoqëruesit e tij, ajo ia afroi atij pa pagesë. «Kur një grua është e bukur, – shkruante Degrand në Souvenirs de la Haute-Albanie, – ato  gra që e pikëtakojnë në rrugë, i thonë: «Vdeksh menjëherë», (Të martë mortja!), – duke shtuar se duhej – më mirë të vdiste shpejt, pa përjetuar humbjen e bukurisë dhe plakjen.» Dhe ai bëhet kureshtar kur ndesh në rrugë ato gra muslimane apo katolike me kokë të mbuluar. «Ja një shqiptare muslimane me një hir poetik, e veshur bukur me një dolloma ngjyrë blu. Kjo figurë, kjo enigmë tërheqëse rrëshqet pranë jush me ato tipare që spikasin fare pak, me një lëkurë të bardhë, në të cilën shquhen dy sy orientalë, dy sy të thellë e tronditës si të sfinksit, duke ju vështruar drejtë e me një pamje hijerëndë». Këto rreshta të kujtojnë mbresat e Pierre Loti-t në pazarin e Selanikut; veshur me kostumin e tij shqiptar, në romanin e tij Azyadé, apo përshkrimet e udhëtimeve të tij në Stamboll apo nëpër Adriatik.

Degrand nuk harroi të shkruante dhe për zakonet shqiptare, ritet e dasmës ose të vdekjes. Ai përshkroi ceremoninë e dasmës, përgatitjen e nuses, ardhjen e krushqve, apo marrjen e nuses. Te katolikët, pohonte ai, dasma bëhet të hënën, ndërsa te muslimanët të enjten. Plakat u lyejnë flokët dhe vetullat me bojë të zezë, u heqin qimet me brisk apo me topa rrëshire, çka është e dhembshme për to. Madje ai i shoqëronin këto përshkrime dhe me fotografitë e dasmorëve apo ceremonive, ku pikas në mënyrë të veçantë një dasëm muslimane, ku hypja e nuses në shkallët e shtëpisë bëhet e mbuluar nga një çarçaf i madh, i bardhë. Por supersticionet ishin akoma më interesante për të. «Në Shkodër, – shkruante ai, – kur vdes një grua e martuar, ndonjë nënë që ka një vajzë të pa martuar, kur shkon për të ngushëlluar te shtëpia e të vdekurës, nëse ia arrin, fshehurazi i tërheq asaj këmbën, pasi kjo i sjell shans që burri i ve të martohet me vajzën e saj». Po kështu, në një familje katolike «kur ka dy vdekje rradhazi, pranë njëra-tjetrës, që të mos vijë vdekja sërrish, menjëherë i presin kokën një gjeli. Kur do ta çojnë të vdekurin për në varreza, pragu i portës goditet me qivur tri herë, që të shmanget kështu kthimi i të vdekurit ose i vetë vdekjes». Dhe më tutje, ai shtonte: «Në fshatrat katolike, të vdekurit nuk i nxjerrin nga i njëjti vënd nga ka dalë një i vdekur tjetër më parë. Meqë i pari kishte dalë nga dera, i dyti duhej të dilte nga dritarja, i treti nga dritarja tjetër e kështu me rradhë…»

Ç’funeral?! Spektakle më vete të kthyera kështu nga supersticionet që zhvilloheshin e trashëgoheshin nëpër shekuj, si shkak i kërcënimit të Zotit apo fatit. Kjo na kujton njëkohësisht shënimet e historianit dhe sllavistit Cyprien Robert nëpër Shqipëri, apo të studjuesit të famshëm i Shkollës Franceze të Romës, Albert Dumont, të cilët i studjuan në veçanti supersticionet shqiptare si dhe ato ballkanike. Degrand kujtonte dhe një ngjarje interesante kur udhëtonte në fshatrat jo shumë larg Shkodrës. I lodhur nga udhëtimi, ai kishte rënë të flinte në një nga dhomat e malësorit, kur ndërkohë dëgjoi një klithmë të çuditshme: „Gjok! Gjok!…“ Ai u habit shumë dhe pyeti drogmanin se ç’ishte kjo klithje që vinte nga qielli. I thanë se ishte një shpend që kishte zbritur në çati. «E shkreta vajzë!» – psherëtiu burri i shtëpisë! – «Unë u bëra kureshtar, – vazhdon Degrand, – dhe ai më tregoi se ishte legjenda e një vajze që dikur jetonte vetëm me të vëllanë i quajtur Gjok. Ditën ai zbriste në qytet të Shkodrës për të fituar bukën e gojës dhe në mbrëmje kthehej në fshat, ku e motra nuk dilte nga shtëpia. Por një natë ai nuk erdhi. Madje as natën e dytë. Atëherë ajo iu lut Virgjëreshës që ta kthente në zog, në mënyrë që të mos njihej dhe të shkonte të gjente. Dhe lutja e saj u plotësua…»

Atë natë, për një kohë të gjatë, konsulli francez dëgjonte nëpër errësirë atë thirrje të çuditshme: «Gjok! Gjok!…»

Degrand shkruante gjithashtu për ritet e ndryshme të shqiptarëve, besytnitë, besimin për xhindet apo „syrin e keq“. Duke iu referuar ritualit të vdekjes dhe funeralit në përgjithësi, ai shkruante: „I zoti i shtëpisë ka vdekur. Një klithmë çjerrëse dëgjohet. Një ulërimë e egër lëshohet nga gratë… Një njeri shkon portë më portë, duke trokitur me shkop me një zhurmë të mbytur në portat e shtëpive, duke dhënë lajmin e trishtë… I veshur kështu me kostum, këmishë të bardhë dhe pantallona mëndafshi të bardhë, njëlloj si në ditën e dasmës, me tespije në dorë dhe i mbuluar me një napë mëndafshi të bardhë që zbukuron shtratin martesor, i vdekuri është shtrirë mbi dyshek në mes të dhomës… Dikur zija zgjaste për shumë vite. Vejusha që nuk martohej, duhej të mbante gjithnjë rrobat e zisë. Kur një vejushë refuzonte të martohej përsëri, në mëngët e palltos ajo qëndiste një kryq. Te katolikët, gjatë kohës së zisë, pasqyrat, llampat, tablotë, mbulohen me një cohë të zezë, ndërsa perdet hiqen nga dritaret. Kur vdekja shuan mashkullin e fundit të një familje, atëherë oxhaku i shtëpisë prishet: në vend të oxhakut vendoset imazhi i tersit dhe një nga dritaret muroset; pemët e kopshtit priten dhe lulet shkulen. Te malsorët, në shenjë zije për një burrë apo një mik, ata godasin fort gjoksin, çjerrin fytyrën me thonj, nuk e lajnë gjakun që u rrjedh dhe gjatë disa muajve, xhaketën e veshin për së prapi…“

Vallë a e ka parë realisht konsulli një skenë të vërtetë të gjamës shqiptare?… Mesa duket po…

Duke përshkruar ceremoninë e një varrimi ku kishte marrë pjesë vetë, Degrand shkruante se “nisja e trupit të të vdekurit nuk ishte pa vështirësi“. „Në vazhdën e këtij vajtimi histerik, gratë kundërshtojnë me një lloj deliri. Duhet t’i largosh, t’i shtysh, ndërkohë që ato luftojnë me duar dhe ndjekin karvanin gjer te porta e oborrit. Arkivoli çohet në krahë drejt kishës apo në varreza. Asnjë grua nuk mund ta shoqërojë këtë karvan… Një karrocë me buaj niset pas largimit të karvanit tonë, e cila duket se mbart një lloj arkivoli tjetër: është një arkë e mbuluar me një cohë të zezë, ku brenda janë vendosur sendet e vejushës, të cilat i janë dhuruar ditën e dasmës së saj. Ajo nuk ka fëmijë, është e re dhe është gruaja e dytë e të vdekurit. Ajo do të martohet dhe siç e do zakoni, ajo duhet të kthehet në familjen e saj…“

Befasues për të, ishte fakti se kur në një shtëpi malësore vdiste mashkulli i fundit, atëherë dritarja e dhomës së tij murosej, pemët e oborrit priteshin, lulet e oborrit shkuleshin. C’trisht dhe zi e madhe në këto familje shqiptare të goditura nga fati… Këto imazhe, Degrand i ka parë ashtu siç i ka fiksuar me aparatin e tij dhe Marubi në atë vite: pamje të vdekurish, njerëzit përreth kufomës, gratë që qajnë, ekspozimi i të vdekurit në dhomë apo në oborr, proçesioni mortor…

Në gjurmë të kishave të rrënuara

Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, duket se veç punës me raportet e ndryshme që duhej të shkruante për ministrinë e Jashtme franceze, një pasion i veçantë i Degrand-it ishin udhëtimet dhe eksplorimet e qytetërimeve të vjetra, kishat dhe qytezat mesjetare, të cilat rrrallë mund të ishin parë nga të huajt. «Tri orë larg nga Shkodra, – shkruante ai, – udhëtari që shkon me këmbë për në Tivar, shikon në të majtë një kodrinë shkëmbore me një gri të trishtë. Në majë shihen ca rrënoja që duken sikur përpiqen të ngrihen lart mbi shegët e egra. Eshtë Kisha e Madonës së Shasit». Në çdo ndalesë, në çdo fshat apo kishë, Degrand fotografonte, shkruante, vëzhgonte mbishkrimet e vjetra nëpër gurët e kishave, apo pjesët e mbetura të afreskave kishëtare. Për atë kishë, ai shkruante se pikërisht aty kishte jetuar peshkopi i emëruar nga Papa Clement VII më 1530, por që historiani  Farlati nuk e ka shkruar emrin e tij. Më pas, Degrand shkoi në Gajtan, i cili është një orë larg Shkodrës, ku gjeti fibula të lashta bronxi, copëza amforash e monedha shumë të vjetra që tregonin për një qytetërim të lashtë, madje dhe një monedhë argjëndi të Apolonisë së Ilirisë, si dhe 20 monedha bronxi të prodhuara në qytetin e Shkodrës, njëra prej të cilave me kokën e Jupiterit. Më tutje, në Mazrek, në një abaci të rrënuar benediktinësh, ai vëzhgoi një mori fragmentesh skulpturash, ku në krah, ngrihej rrënoja e ndërtesës së lartë me një pamje të çuditshme. Ai pohonte se për të është shkruar nga skribët e hershëm të kishës, të cilët e quanin Santa Sophia. „Para se të lë rrënojat, kopjoj një mbishkrim nga një pjesë skulpture: Vadeus Dagnum. Dy orë me kalë mjaftojnë për të mbërritur në këtë fshat të banuar më së shumti nga muslimanët. Në të majtë, në këmbë të malit, gjëndet shapela e Madonës së Danjës,  rrënojat e kishës së vogël të ngritur nga Skënderbeu e ndërtuar me gurë të bardhë e të kuq, plot dekorime e një vitrazh, shapelë kjo e ngritur «pas një fitoreje mbi ushtritë veneciane», siç shkruan ai. «Nga një Shën Gjergj që lufton mbi kalë në sulm e sipër, ka mbetur vetëm trupi i tij i mbërthyer në hekura… një harresë e pafund dhe absolute që ndjell këtu veç dhimbje». Dhe më tutje ai shtonte: «Peshkopi i fundit këtu, ka qënë Guillaume Agieton-i, i urdhërit të Benediktinëve, i vdekur në vitin 1520, i cili, para se të vinte në Danja, kishte qënë peshkop në Angli».

Mbresa të veçanta i kishin lënë udhëtimet në Drisht e Koman. Degrand ishte erudit dhe një studjues që kërkonte të rrëmonte në kulturën e vjetër shqiptare, madje dhe atë antike. Një pikëtakim i befasishëm i tij ishte ai me kështjellën dhe kishën e Drishtit, që siç thoshte ai, kjo e fundit ishte ndërtuar nga Helena franceze, mbretëreshë serbe dhe bijë e Baudouin II, perandorit të fundit latin të Konstantinopojës, e cila kishte ndërtuar njëkohësisht dhe kështjellën e Shirgjit. „Në mbishkrimet e mbetura mund të lexoje: HELENE. REGINE. EDIFICAVIT. HAC. ECC. IN. ONORE. STORM.SGH. ET. BACHI“… Kjo princeshë, para se të bëhej mbretëreshë e Serbisë, shkruante ai, «ishte e famshme për veprat e bamirësisë që bënte. Ishte ajo që e rindërtoi këtë kishë, e cila më parë ishte ngritur me urdhër të Justinianus I, siç shkruan Théophylatos». Atij i erdhi keq që gurët dhe muret e kësaj kishe të „Saint Serge et Bachus“, siç e shkruante ai, 30 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me një lartësi prej 15 metrash dhe me 6 dritare, të rrënoheshin me kalimin e kohës. «Fshatarët e kishin bërë zakon të varrosnin të vdekurit në navatë. Ata më thanë se duke gërmuar për një varr, kishin rënë në një bazament të gurtë me ngjyra. Mbase do të jetë një mozaik dhe do të kishte interes të dihej se çfarë ishte konkretisht…»

Duke kërkuar në rrënojat e Drishtit, ai kishte gjetur një „enkolpion“ bizantin prej ari, një lloj medalioni mjaft të veçantë, me një diametër prej 6 cm, ku shquheshin figurat e tri shenjtëve luftëtarë, të cilën ai nuk harron ta fotografojë për të na e treguar në faqet e librit. Degrand kishte dalluar në fillim Shën Theodhor Statilate, pastaj abatin Shën Demetre dhe një tjetër të quajtur Shën Gjergji, por që mbiemri i vërtetë i tij në medalion ishte shuar. Në kishën e Troshanit, ai gjeti një fragment bazorelievi që i përkiste kishës së Shirgjit, si dhe një shqiponjë të gurtë, e cila dukej sikur po ngrihej në qiell të hapët.

Ndër fotografitë e shumta që na ka lënë Degrand, është dhe një fotografi e Drishtit, ku kështjellën ai e ka fotografuar që poshtë nga lumi. Në një shënim, ai ka shkruar se në shekujt e parë të erës sonë, ky vend quhej Trivastum dhe Dinastum, dhe se në vitin 877, këtu kishte patur një peshkop. „Barleti tregon, – shkruante ai, – se vendi këtu u pushtua nga turqit pas një bombardimi prej 16 ditësh dhe kur banorët filluan të vdisnin nga murtaja. Treqind luftëtarë, me prijësin e tyre Jak Mosta, u dorëzuan, por ata i çuan në kampin e sulltanit Mehmeti II, i cili kishte rrethuar kalanë e Shkodrës dhe aty, para bedenave, ata u kishin prerë kokat, për t’i bërë të tjerët që të dorëzonin armët.“ Por Degrand s’kishte kohë të bënte studime e kërkime të thella. Ai vëzhgonte atë çka i shfaqej, për të hulumtuar më pas në librat e historisë dhe në autorët antikë, apo më mirë në Iliricum Sacrum të Farlatit, të botuar një shekull më parë, i cili përmbante një dokumentacion mjaft të pasur të historisë së Kishës Shqiptare në Mesjetë. Sidoqoftë, bibliografia e tij, me librat që nga autorët antikë të kohës së Cezar-it e në vazhdim të kohës bizantine si Acropolitis, etj., apo ata të mesjetës si Hammer, Biemmi e shumë të tjerë, tregon për erudicionin e madh të këtij konsulli.

Zgjimi i varreve

Njohës i arkeologjisë dhe i kulturës së vjetër ballkanike, si dhe i antikitetit greko-romak, kur kishte ardhur në Shqipëri, ai kishte dëgjuar për fortesën e Dalmacies dhe Malin e Varrezave të Komanit, që gjendej në një të ngritur shkëmbore dhe në një qafë të rrezikshme të Drinit në lartësinë e 500 metrave. Të shkonte deri atje ishte një aventurë e rrezikshme, por kureshtja e madhe e shtyu që të shkonte, duke kapërcyer Drinin e rrëmbyeshëm me barkat e vogla të malsorëve. Ky udhëtim padyshim që e ka mrekulluar, siç e shkruante dhe në librin e tij. Zbulimi i këtyre varreve të vjetra ishte i papritur dhe i jashtëzakonshëm. Asnjë arkeolog nuk i kishte zbuluar para tij. Bëhej fjalë për një nekropol tepër të lashtë. «Të gjitha varret janë të mëdha, – shkruante Degrand. – Në shumë prej tyre ka dy, tre madje dhe pesë skelete. Të vdekurit duhet të jenë varrosur bashkë me veshjet e tyre, pasi aty unë gjeta copa cohe, përmes të cilave shkonte gjilpëra e një fibule. Çdo varr kishte vathë, varëse dhe byzylykë… objekte bronxi, unaza, perla. Një plakë që i ngjan një shtrige afrohet dhe i qorton fshatarët që po prekin varret e tyre, duke u kërkuar që t’i lënë ata në paqe. Fshatarët që ishin paguar mirë, kishin marrë një dele që  po e piqnin në hell dhe ishin indiferentë nga mallkimet e plakës. Por pastaj ata iu kthyen: «Edhe ty plakë, ndonjë ditë, do të ç’varrosim si këta…“ Por meqë nuk dua ta bëj armike ndaj meje dhe të vuaj, i çova një prift. Ndërkohë, një grua tjetër, prej disa kohësh i vështronte ata me ankth, ndërkohë që burrat gërmonin sërrish. Ishte gruaja e njërit prej tyre që na solli fiq dhe rrush. Ka të drejtë të shqetësohet, pasi prifti më tregoi historinë e saj, një histori e trishtë e zakoneve të këtyre anëve. Ati i saj ishte vrarë e më pas dhe i fejuari i saj. E martuar tri herë rradhazi, burrat e saj ishin vrarë të gjithë në histori gjakmarrjeje dhe ky që ka tani është po ashtu në “gjak”.

Pikëtakimi me Komanin ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të Degrand-it, si konsull në Shkodër. Askush para tij, asnjë udhëtar i huaj, gjeograf apo historian e arkeolog, nuk ishte ngjitur në ato shkrepa, ku banorët thonin se kishte veç disa varre të vjetra dhe asgjë tjetër. Madje varre dhe fantazma të vdekurish. Por Komani në fakt fshihte në gjirin e tij, jo shumë thellë nën tokë, dëshmi të një kulture arkaike, të vjetër dhe që tregonte për një vazhdimësi kulture nga ilirët te shqiptarët e fundit të shekullit XIX, dhe kjo përmes zbukurimeve, figurinave, gjetjeve të ndryshme që nuk ndryshonin nga ato që mund të pikaste një sy i sprovuar historiani apo arkeologu.

«Inventari i gjetjeve të Komanit është i pasur, – shkruante Degrand: – 400 perla prej xhami me ngjyra, 14 qafore të mëdha prej bronxi, 27 zbukurime bronxi, 38 vathë dhe unaza prej bronxi e argjendi, 16 thika me maja, 8 byzylykë prej bronxi, etj.  Kush ishin këta banorë që kujdeseshin për jetën e përtejme të tyre, duke i varrosur megjithë objektet e zbukurimit dhe që i transportonin deri në këtë vënd kaq të lartë, të vështirë për tu ngjitur? Vallë isha në varret e një emigracioni pellazgjik? Megjithë mungesën e mbishkrimeve, monedhat dukej se tregonin se të tilla varre ngjanin me ato që kisha hapur në Samothrakë, por në ishullin e madh, pllakat e mëdha prej balte të pjekur zëvendësonin këtu pllakat e mëdha shkëmbore. Edhe atje, varret ishin në një kodrinë të ngritur. Pak nga pak, të larguar nga Greqia, këta pellazgë misteriozë, ndoshta të parët e shqiptarëve, ashtu si të mundurit, ishin strukur nëpër male». 

Ky konstatim i Alexandre Degrand është i një rëndësie të dorës së parë lidhur me idenë e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe jo më kot historiografia dhe arkeologjia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI, i është rikthyer disa herë kësaj teze, duke kërkuar ta mbështesë dhe me elementë të tjerë arkeologjikë, etnografikë, kulturorë, zakonorë. Vallë ishin pellazgë të shuar në tokat e dikurshme (më pas helenike e ilirike), apo ajo pjesë pellazge, (misterioze për Degrand), që mbeti në këto male e pa helenizuar, e pa tjetërsuar?…

Atje ku miku është i shenjtë

Një nga udhëtimet interesante të konsullit francez ishte dhe ai në drejtim të Mirditës, Oroshit, vende që më parë i kishin shkelur disa udhëtarë të tjerë francezë si Hecquard, De Wiet, kartografi i njohur Guillaume Lejean etj, meqë sipas një traktati me Francën, katolikët e Mirditës prej shumë kohësh kishin mbrojtjen e mbretit të Francës. Ai shkruan se po vjen në këtë vend ku rrallë vijnë të huajt, 28 vjet pas një pasardhësi të tij, konsull i Francës. Padyshim duhet të bëhet fjalë për Emile de Wiet, i cili kishte dërguar dhe një raport të plotë rreth Mirditës që kishte vizituar dhe botuar më pas në revistat shkencore të kohës.[5] Për të, ashtu si dhe për ata që kishin mundur të zbarkonin nga Europa gjatë shekullit XIX, udhëtimi nëpër Mirditë ishte i vështirë. Së pari katër orë rrugë nëpër shkrepa, madje dhe përmes lumit me një barkë të një modeli të vjetër, madje “katër shekullor”, siç thotë ai për ato barka të gjata e të holla që i ka parë dhe në monedhat e vjetra bizantine. Me vete kishte mikun e tij drogman, zotin Suma, ati i të cilit kishte qenë dhe drogman i konsullit Hecquard, si dhe një mirditor të quajtur Zef, nga Mnella. Në Mnellë ata ndaluan të shlodhen dhe takohen me priftin e njohur Don Domenico, i cili para se të ndahej, i fali konsullit një shpatë të vjetër bizantine, të gjetur në disa rrënoja të vjetra. «Miku këtu është i shenjtë, – shkruante Degrand. – Eshtë i dërguari i Zotit! Sado të varfër të jenë, malësorët janë krenarë të presin miq!» Më pas, të shoqëruar dhe nga Don Domenico, ata u nisën drejt gërxheve malore, duke iu ngjitur asaj që quhej Shkalla e Malit. Kaluan urën e Fanit dhe morën shtigjet drejt Malit të Shenjtë, Shën Gjergjit, ku pas një udhe prej 12 orësh mbi kuaj, ata i priti Don Antonio Maggiore. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi, Degrand kishte dëshirë të fotografonte dhe dy nga vajzat mirditore, 12-13 vjeçare, me kostumet e tyre të bukura, duke shënuar në bllokun e tij: “Mri(ka) dhe Prena, mbajtëset e bagazheve të mia”.  Në një nga fotografitë ne mund të shohim dhe drogmanin e tij Suma. Mjerisht Degrad vetë nuk është në gjithë këto fotografi, pasi ai duhej t’i fotografonte.

Në Orosh ishte qendra e Mirditës. Preng Bib Doda, biri i vetëm i prijësit të fundit, kishte ikur në mërgim diku nga Azia, i përndjekur nga turqit dhe kulla e tij ishte djegur me urdhër të guvernatorit të Shkodrës. Atje, në kullën e tij, Degrandi fotografoi djalin e princit të Oroshit, të veshur me kostumin e tij karakteristik, i gjithë i qëndisur. Ai qëndronte krenar,  me një jatagan të gjatë përpara, punuar në argjënd dhe këmbëzat e qëndisura që i mbulonin këmbët. Degrand ka fotografuar gjithashtu dhe nënën e princit, Margilla, e cila ishte veshur me një rrobë të bardhë e qëndisur në gjoks dhe e veshur me një pelerinë të bukur, e gjitha e qëndisur me motive kombëtare. Në kokë kishte një lloj kurore, ndërsa në mes një brez të trashë. Ai pohonte gjithashtu se flamuri i mirditorëve ishte një diell që shndrit në një sfond të bardhë. Trupat e tyre kur shkojnë në luftë shoqërohen gjithnjë nga një prift dhe nuk qëndrojnë më shumë se gjashtë muaj larg shtëpisë. Kështu, në luftrat që bënë krah Sulltanit, kundër malazezëve, boshnjakëve apo rusëve, Degrand na informon se ata zëvendësoheshin gjithnjë nga mirditas të tjerë. Ky flamur me një diell që shndrrit në një sfond të bardhë është zhdukur pa gjurmë nëpër brymërat e kohës. Po përse një diell? Ç’donin të thonin ata me atë simbol?…

Pikërisht në Orosh, Degrand u njoh me Monsignor Primo Doçi, një prift shqiptar dhe poliglot, për të cilin shkruan me shumë simpati, duke na zbuluar një personazh të jashtëzakonshëm, i cili më parë kishte luftuar në luftën ruso-turke, bashkë me kapedanin e Mirditës, por më pas, ishin turqit që e kishin arrestuar dhe të lidhur me zinxhirë e kishin çuar në Stamboll e që andej e kishin syrgjynosur. Por më së fundi ai kishte arritur të shkonte në Romë, duke punuar për Vatikanin. Më pas e dërgojnë në Amerikë me një mision fetar dhe më vonë e gjejmë në Indinë angleze po me një mision të Vatikanit. Shumë vite më vonë, ai ishte kthyer në shtëpinë e tij, në Orosh, e cila ndodhej pranë kishës “Shën Aleksandri”. Bashkë vizituan këtë kishë, ku Degrand gjeti një kryq me një mbishkrim interesant: ”Këtë kryq argjendi e ka bërë Pal Dukagjini në vitin 1447”. Degrand pohon se ky kryq ishte dëmtuar më vonë nga zjarri që kishte rënë në kishë më 1896. Pikërisht në Mirditë, konsulli francez u njoh më hollësisht me ligjet e Kanunit dhe të Gjakmarrjes. Në Kanunin e Lek Dukagjinit siç citon ai, thuhet se “Dy plagë, vlejnë një gjak… “gjaku nuk humbet”. “Kur ai rrjedh, ai duhet rimarrë”. “Nëse anëtari i një familje ku duhet marrë gjaku është prift, – shkruante Degrand, – ai nuk ngacmohet. Kur një njeri vdes nga vrasja, atë nuk e lajnë… Gratë janë jashtë gjakmarrjes, si të thuash ato janë të paprekshme, të shenjta. Kur një grua vritet, burri duhet të marrë gjakun e saj. Nëse ai nuk e bën, familja e gruas ka të drejtë ta vrasë burrin e ve… Kur meshkujt e një familje janë vrarë, është gruaja që duhet të marrë gjakun e tyre… “

Lidhur me mikpritjen, Degrand na kujton dhe një episod me një malsore që banonte në Shkodër, të cilën e kishte vizituar. Interesante ishte se vëllai i zonjës së shtëpisë, donte ta vriste këtë njeri për të marrë gjak. “Sa herë zbriste në qytet dhe ndalonte në këtë shtëpi, ai pritej me të gjitha nderimet, hante e flinte aty, bisedonte me gruan dhe i tregonte vrimën e plumbit që i kishte bërë pushka e vëllait të saj, duke i thënë se atë vrimë duhej t’ia shlyente. Gruaja qeshte dhe i thoshte të bënte kujdes se mos e ndeshte rrugës, ngaqë ai ishte shumë trim dhe deri tani kishte marrë katër herë gjak. Kur ai u largua, ajo e shoqëroi deri në rrugë, me frikë se mos vritej kur të dilte nga shtëpia, çka do të cënonte nderin e familjes”…

Pas kthimit nga Mirdita, shumë nga fotografitë e atij udhëtimi si dhe atyre që kishte bërë në veri, konsulli francez ia dërgon mikut të tij në Paris, akademikut Gustave Schlumberger, në “Quai Conti”. Në një nga raportimet për anëtarët e Akademisë, njoftohet se “Zoti Schlumberger ka informuar Akademinë për fotografitë që i ka dërguar konsulli Degrand në Shkodër, pas kthimit të tij nga Oroshi i Mirditës, nga kjo kryeqendër e pa eksploruar dhe nga ky vend i padepërtueshëm. Zoti Degrand ka studjuar në veçanti kishat e Mirditës e sidomos atë të Shën Aleksandrit. Madje ai ka fotografuar kryqe shumë të bukur proçesioni të shekullit XV, në reliev, zbukuruar në zmalt dhe me mbishkrime të dialektit venecian të gravuar në mënyrë shumë elegante.” Zoti Schlumberger na jep detajet e këtyre kishave, monumenteve si dhe të kryeqendrës së paepur të klaneve shqiptare. “Kjo qendër aq e afërt me Adriatikun, është megjithatë shumë më e pashkelur se disa zona të Afrikës. Që prej njëzetë vjetësh, Degrand është nga të rrallët evropianë që ka depërtuar atje…”

Historitë e gjakmarrjes ishin të shumta. Për shekuj me rradhë ky kod mesjetar, ky “mekanizëm gjaku”, nuk kishte rreshtur së lëvizuri plot oshëtima, nuk kishte rreshtur së funksionuari shoqëruar plot thirrje e krisma që oshëtinin nëpër grykat e maleve, plot vaje grash e më pas me spektaklin e rëndë të gjamës së burrave, ku grushtet e tyre rrihnin gjokset dhe këmbët tokën nën thirrjet “Ah, i mjeri unë!”… Në shënimet e tij Degrand na kujton dhe një histori tjetër: ”Ka ca kohë që një fëmijë 11 vjeçar u vra nga një e shtënë pushke. Një ditë, para shtëpisë së gruas së ve kaluan dy burrat e familjes së kushërinjve që i kishin vrarë djalin dhe burrin. Ajo i ftoi në shtëpi, madje u tha të flinin, por ata ikën në një kullë tjetër. Ajo e morri vesh vendin ku kishin shkuar, shkoi natën dhe i vrau që të dy. Por meqë vrasja u bë nga një nënë, ajo nuk u ndëshkua nga Kanuni… Ndodh që dy gjaksa, të ndodhen në të njëjtën shtëpi të një miku. Por ata hanë bashkë dhe bisedojnë. Armiku që shoqërohet nga një mik a një i huaj, nuk vritet, pasi turpëron gjithë tribunë… Për sa kohë që dikush nuk e ka marrë gjakun, gotën e rakisë ia ofrojnë nën këmbë dhe lugën në sofër ia vendosin në të kundërt.”

Gjatë udhëtimeve të tij në veriun shqiptar, Degrand kishte dëgjuar dhe për “virgjëreshat e maleve”, ato vajza që jo rrallë detyroheshin të visheshin si djem, të fshihnin feminitetin e tyre, meqë në shtëpitë e tyre ishte shuar fara mashkullore dhe kulla duhej të trashëgohej nga një “burrë”. Dhe rasti e solli që ai të takonte një “virgjëreshë” të tillë. Mjerisht ai nuk e përshkruan këtë takim, por vetëm kujton një paragraf, ku shkruan: “Kam takuar dhe një grua që kishte mbetur vetëm, e cila i kishte hequr rrobat e vajzërisë dhe ishte veshur si malsor. Gjithnjë e armatosur, ajo merr pjesë në kuvendet e burrave…” Në shënimet e tij, Degrand na përmend studimet e konsullit dhe studjuesit austriak Johann Georg von Hahn, duke iu referuar veprës së tij themelore Albanische Studien, (Studime shqiptare). Ai kishte lexuar dhe botimin tjetër të Hahn, Nëpër viset e Drinit dhe Vardarit,[6] të botuar në vitin 1867, pas udhëtimit të tij në vitin 1863, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Padyshim që përshkrimi i konsullit Hahn e ka shtytur Degrand-in që të kërkojë dhe historitë e “virgjëreshave” shqiptare në këtë zonë, të cilat ai i ndeshi njëzet vjet më pas se Hahn. Pikërisht në Mirditë, Degrand ndeshej me ato histori unikale që përshkruante Hahn rreth “virgjëreshave”. Studjuesi austriak kishte gjetur në Mirditë katër virgjëresha, duke u ndalur në veçanti te njëra prej tyre, Mara e Perlatit, nga familja e Presa Doj, siç shkruan Hahn. E mbetur jetime që fëmijë, xhaxhai i saj e kishte fejuar me një musliman dhe kur ajo ishte bërë katërmbëdhjetë vjeçare, ai kishte kërkuar ta merrte, por ajo kishte dalë para pleqsisë së vendit duke thënë se si musliman, ai do ta detyronte të ndërronte fenë dhe se ajo kishte vendosur që më mirë të shndrrohej si burrë për ta “shpëtuar shpirtin e saj”. Pleqsia atëherë kishte pranuar që ajo të mos shkonte dhe që të merrte armët e të atit.

Ai që vdes nga plumbi shkon në qiell

Në librin e tij, Degrand pohon se “vetëm 30% e meshkujve në Mirditë vdesin nga vdekja natyrale, ndërsa të tjerët vriten”. “Ashtu si dhe malësorët e tjerë, –  shkruan ai, – edhe mirditasit e quajnë pothuajse për turp të vdesin në shtrat, të sëmurë apo në mënyrë natyrale. Sipas tyre, burri duhet të vdesë në luftë. Ai që është vrarë duke luftuar, apo nga hakmarrja, është i sigurt se do të shkojë në qiell. Gjaku që i ka rrjedhur, ia ka larë gjithë mëkatet dhe kështu nuk do të shkojë në ferr. Sharja e banorëve, “Ti do të vdesësh pa shkrehur pisqollat e tua”, është një ofendim i tmerrshëm. Para pak kohësh, një malësor që do ta vrisnin, i thanë se që të mos cilësohej si një njeri i poshtër, duhej të bënte një këngë dhe ta këndonte duke shkuar para ekzekutimit. Kjo gjë, të kënduarit para ekzekutimit, është dhe te katolikët. Pas vdekjes së një të riu të një familje që unë e njihja, nën jastëkun e tij kishin gjetur një tekst kënge që ai e kishte shkruar më parë:

Ah, jeta që më dukej aq e bukur

Isha i ri dhe njëzet vjeç nuk i kisha mbushur

Kur Zoti deshi dhe kur u vendos

Që unë të shkoja në dhé të huaj…

Ju dallëndyshe që shkoni në atdheun tim

Ju mesazhere, dëgjojeni lutjen time,

shkoni dhe u thoni banorëve të Shqipërisë

se një i ri, pinjoll i tyre, është duke vdekur…”

Kjo poezi, – shton Degrand, – ishte kthyer në këngë. Që prej tre vjetësh atë e këndojnë në të gjitha festat, dasmat, ditëlindjet…”

Një ditë, në hyrje të katedrales së Shkodrës ai kishte parë një ngjarje që do t’i mbetej gjatë në kujtesë. Ishte dita e festës së patrones së Shqipërisë, Zonjës së Këshillës së Mirë (Notre-Dame de Bon Conseil). Për të marrë pjesë në atë festë, njerëzit kaptonin tri-katër male që të vinin aty. “Në prag të festës, një malësor nga Planti, dalloi mes turmës një nga të tribusë së Shkrelit, të cilët i kishin vrarë atin e tij. Ai i ndoqi ata, u afrua në oborrin e katedrales, por nuk i vrau atje. Priti në rrugë. Kur njerëzit dolën nga kisha, ai e qëlloi atë me revolver në kokë dhe thirri: “E morra gjakun që më detyrohej!” – dhe iku me vrap. Mbërrita në atë moment dhe pashë në tokë kufomën që dergjej. Njerëzit rrotull e njohën nga rrobat dhe thirrën: “Shkoni në katedrale të shihni se kush është nga Shkreli”. Një vajzë malsore që erdhi nga grupi i grave e njohu kushëririn e saj. Ajo qëndroi pranë tij duke qarë në heshtje. Në atë çast, një prift çau mes turmës dhe iu afrua të plagosurit që po vdiste…”

Qyteti i Shkodrës ishte ai që e tërhiqte më shumë: hanet ishin plot zhurmë dhe argjendarët dukej se ishin krenaria e këtij pazari. “Pas pazarit të Stambollit ia vlen ta vizitosh pazarin e Shkodrës, – shkruante ai për atë pazar që shtrihej e zgjatej buzë rrugës mbi dy kilometra. Një përshtypje akoma më të madhe i bëjnë mjediset e brendshme të shtëpive shkodrane, me orendi të rënda dhe jastekë të ardhur nga Gjenova e Venediku. “Larmia e pafund e kostumeve, sidomos e grave, është këtu e jashtëzakonshme; gra mirditore, gra nga Shkreli e Shllaku, veshur me xhubletat e rënda prej leshi kuq e zi, me bluzat me pala e të zbukuruara nga supore me thekë të kuq leshi, të shtrënguara me rrip të gozhduar e kallajisur, me kësulën e zezë mbi kokë e zbukuruar me argjend; gra sllave nga Vraka me gërshetat e zeza të vajisura me kujdes e zbukuruar me guaska të bardha, me rripa të gjerë prej bakri, me rroba të fryra e të rënda, zbukuruar me pllaka të prera bakri; gra nga Shala, të njohura për bukurinë e tyre, malësore të veshura me rrobat e tyre të festës, plot stoli të mëdha prej argjendi… ata kalojnë para jush plot elegancë e me pushtet.” Vështrimi i tij ishte aq i mprehtë, sa ai nuk harron t’i përshkruajë me detaje atë çka e befason nga jeta dhe kultura e shqiptarëve.

Kohë të mbrapshta

Në vitet 1895-1897, jeta e kosnsullit në Shkodër u bë gjithnjë e më e vështirë dhe kjo për arësye se malarja kërcënonte atë vend ku ethet e saj bëjnë kërdinë, veçanërisht në njerëzit e varfër apo malësorët, por pa kursyer dhe njerëzit që ishin disi në gjendje. Meqë gruaja e tij Marie-Berthe dhe një nga vajzat u sëmurën, ai i kërkoi ministrisë së Jashtme franceze që t’i akordonte tre muaj leje për të çuar familjen në Francë që të mund të kuroheshin dhe të pushonin. Kështu, në fillim të verës ai u nis drejt Saint-Medoa (Shëngjinit, siç quhej nga të huajt në atë kohë) për të marrë anijen me avull që kalonte andej, e cila ndalej për të marrë pasagjerët që shkonin drejt Tivarit, Triestes, etj. Rruga për në Shëngjin, siç shkruan Degrand në raportet drejtuar Quai d’Orsay-it, u bë me 20 kuaj, për transportimin e tij, të gruas dhe katër fëmijëve, si dhe bagazheve dhe eskortës me drogmanin e tij. Por qëndrimi në Francë ishte dëshpërues. Gruaja vuante ende dhe atij i duhej të kërkonte dhe një muaj tjetër që të qëndronte në Francë, në shtëpinë e tyre në Carcassone. Në një raport drejtuar Quai d’Orsay-it rreth udhëtimit të tij drejt Shqipërisë, më 8 nëntor 1895, ai përshkruan kthimin e tij me tren nga Parisi në Trieste, dhe pastaj udhëtimin me anije drejt Shëngjinit, ku përsëri 20 kuajt e prisnin bashkë me drogmanin dhe eskortën, për ta shoqëruar atë drejt Shkodrës. Por në fillimin e vitit 1896, siç kuptojmë nga një letër e një mikut të tij, senatorit dhe prefektit të Aisne, departament i Francës, drejtuar ministrit të Jashtëm, mësojmë se ai ka humbur njërën nga vajzat. Prefekti shkruan se “humbja e së bijës e ka dëshpëruar atë tmerrsisht dhe se ai qytet i kujton tashmë fatkeqësinë e madhe, nga e cila s’po e ngre dot kokën. Do të bënit një vepër të madhe, si dhe për hir të shërbimeve të tij, që të mund të lëvizet në një post tjetër...”[7] Të tjera letra kanë adresuar dhe deputetë e senatorë të tjerë, në përkrahje të Degrand.

Ndërkohë, më vonë, Degrand i shkruan ministrit të tij Gabriel Hanotaux se “në një kohë që malësorët e Shkodrës janë ngritur në luftë, gruaja ime është mjaft e tronditur dhe prandaj ju kërkoj që të largoj që këndej njerëzit e mi më të shtrenjtë…” Megjithatë, atij i duhet të presë ende Ndërkohë që është kthyer për pak kohë në Paris, në dhjetor të vitit 1897, ai njoftohet nga njerëzit e konsullatës se ndërtesa e konsullatës në Shkodër është djegur, shkatërruar e plaçkitur. Në një letër që i dërgon drejtuesve të tij në Paris ai përshkruan dëmet e shkaktuara nga kjo djegje më 25 dhjetor 1897 dhe në listën e përpiluar ai përmend gjithashtu për djegjen e aparatit të tij fotografik, shkatërrimin e qindra pllakave të xhamit të markës “Lumière”, për djegjen e koleksioneve të librave të rrallë, të koleksioneve dhjetvjeçarë të revistës Illustration, etj, si dhe dëmtimin e një pianoje “Pleyel” e cila duhej riparuar. Ai thekson që meqë ishte përgatitur për një lëvizje të afërt, shumë objekte i kishte vendosur në arka, çka bëri të mundur shpëtimin e tyre. Në kthim, nga Shkodra, ai i shkruan Quai d’Orsay-it se është vendosur në një shtëpi me qera, ndërkohë që do riparohet konsullata.

Më së fundi ai rikthehet. Por një trisht i madh e ndjek nga pas. Vetëm studimet dhe udhëtimet mund të bënin që ai të harrohej e të largohej për pak çaste nga ajo vuajtje e madhe. Duhej udhëtuar…

Duke dëgjuar “Marsejezën”

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Degrand vizitoi dhe Shqipërinë e Mesme. Duke zbritur drejt jugut, ai tregon për vizitën në kështjellën e Lezhës, ku  pamja që iu ofrua para syve i la mbresa të mëdha. Më larg ishin imazhet e Krujës, bregut shqiptar të Adriatikut dhe tutje siluetat e Dyrrachium-it të lashtë. “Pikërisht këtu ka vdekur Konstandin Duka duke luftuar me trupat e Robert Guiscard”, – shkruan ai rreth Durrësit, pa harruar të përmendë tërmetet e mëdha që shembën tempujt e hatashëm të tij, apo historinë e Hygut të Madh, (Hugues de Vermondois, kryqtar i famshëm frank, vëllai i mbretit Philippe I të Francës), anijet e të cilit u mbytën në brigjet e këtij qyteti. “Për tetë orë, – shkruante Degrand, – një kalë i mirë ju çon nga Durrësi në Tiranë… Shumë bejlerë të Tiranës vishen në mënyrë evropiane, flasin e shkruajnë shumë bukur frëngjishten. Madje këtej kam dëgjuar dikë të këndojë një këngë të ngjashme me “Marsejezën”, të kompozuar nga vetë ai. Duke folur për fshatarët, ai më tha: “A nuk janë ata vëllezërit e mij?… Janë shqiptarë entusiaztë që ëndërrojnë se Shqipëria një ditë do të jetë e lirë”. Kjo kishte ndodhur në shtëpinë e Fuat Beut, i cili e kishte pritur baronin francez i veshur në mënyrë europiane. Fëmijët e tij studjonin në Paris. „Kalova orë të këndshme në kopshtin e tij të mbjellur me portokalle, duke biseduar me vajzën dhe mbesën e mikut tim. Ç’suprizë kur ai më njohu me këta fëmijë apo pothuaj vajza të reja, krehur e veshur me modën e fundit të Parisit dhe që flisnin me aq hije gjuhën italiane.“

Tirana e asaj kohe ishte një vend me shumë gjelbërim, pemë dhe ujra që rridhnin nga mali i Dajtit. Por ajo që i interesonte atij më shumë ishte jeta e njerëzve dhe historia e qytetit. Madje ai ishte habitur kur kishte mësuar se dikur, kur kokat e luftëtarëve priteshin, ishte bërë diçka e natyrshme që në popull të përhapej moda e tatuazhit. Fëmijëve të vegjël u bënin tatuazh që më pas të mund t’i njihnin. Kjo gjë, kaq barbare dhe realiste njëkohësisht, është pak e njohur në historinë shqiptare: koha kur priteshin kokat për të treguar forcë e fuqi, kur luftëtarët paguheshin për çdo kokë, (pra dhe pasuri), i kishte detyruar shqiptarët që kokat t’i rruanin e tu bënin tatuazhe, me ndjesinë se koka e tyre një ditë do të pritej, por të paktën ajo do të identifikohej si e tij. Por historia e themelimit të Tiranës është kthyer në një kapitull më vete: “Në vendin ku sot ngrihet qyteti i bukur i Tiranës, aty nga vitet 1600, kishte veçse një pyll dhe disa kasolle. Në Selitë, në jug-perendim, ngrihej shtëpia e një beu me origjinë nga Peqini që quhej Selman dhe tokat mbi të cilat gjendej pylli, quheshin Selmaneh. Nga ana tjetër, në Mullet, buzë lumit Erzen, gjendej kështjella e një beu tjetër të quajtur Sulejman, që i përkiste familjes Barkine dhe që ishte kushëri i të famshmit Nesuh Pasha, i njohur me mbiemrin Konjali, pasi në rrugën Ishmid-Bagdad kishte ndërtuar hane në çdo nëntë apo dhjetë kilometra… Sulejman Beu ishte një burrë i ditur dhe poet i shquar. Kur kishte shkuar në Stamboll, ai pati rastin të pritej ne Pallat dhe të shkruante lavde në vargje për Padishahun, i cili e bëri mik dhe i dha titullin Pasha. Sulejman Pasha, pasi morri komandën e një trupe që vepronte në Persi, u dallua për trimërinë e tij në shumë luftime, (historia turke e Naima-s), dhe për ta shpërblyer, Sulltani e gradoi gjeneral divizioni. Në dimër, kur ushtria futej në kazerma dhe ndërpriste veprimet luftarake, ai e kishte zakon të kthehej në atdheun e tij ku ishte dhe ky pyll, plot ujra,  që i dukej ideal për ndërtimin e një qyteti. Ai nuk reshti duke i kërkuar Selman beut që t’ia blente këtë pjesë të pronave të tij. Meqë ky i fundit refuzoi disa herë, marrëdhëniet midis dy bejlerëve u acaruan më shumë. Duke qenë njeri me peshë në Pallat, një ditë Sulejmani urdhëroi të priteshin disa pemë të pyllit dhe aty ndërtoi një xhami dhe një furrë (1605). Ndërtimet nuk kishin përfunduar kur Selman beu, në krye të pasuesve të tij sulmoi puntorët dhe prishi xhaminë. Por nuk e gëzoi gjatë suksesin e tij, sepse i akuzuar për sakrilegj nga kundërshtari i tij i fuqishëm, ai u dënua me vdekje; pasuritë e tij të konfiskuara, u vunë në shitje. Kështu Sulejman Pasha i morri lehtësisht tokat dhe filloi të verë në jetë projektin e tij; ndërtoi një shtëpi, tërhoqi njerëz rreth shtëpisë së tij, duke filluar kështu të vinte në jetë atë që kishte dëshiruar prej kohe, ngritjen e një qyteti»…

Një interes të veçantë, konsulli francez tregoi dhe për gjenealogjitë e familjeve të mëdha shqiptare dhe së pari për dy prej tyre: familjes së Toptanasve si dhe prijësve të Mirditës. Në gjenealogjinë e familjes Toptani, si të parë ai shënon Ali Bej Toptani, pastaj Ibrahim Bej, të cilit i ishte prerë koka në Stamboll. Më pas ai shkruan emrin e pasardhësit të tij, Adem Aga, duke vazhduar më vonë me dy djemtë e tyre Mustafa Bej dhe Kapllan Bej Pasha. Por veç të dhënave për këto dy familje, në librin e tij Degrand botoi si aneks dhe disa gjenealogji të tjera, të cilat siç shkruan, i ka huazuar nga libri i studjuesit të njohur Charles Hopf, Chroniques gréco-romanes, inédits ou peu connues.[8] Bëhet fjalë për gjenealogjinë e kontëve të Drishtit, (Comtes de Drivasto), duke filluar me familjen Komnena, Isakun e IV, Angelo Flavio Comneno, perandori i Konstantinopojës. Më pas ai shkruan rreth familjes Dukagjini, Dux Ginus Tanusius, Zot i Zadrimës dhe i Malit të Zi, Pultit, Sati, i vrarë nga njerëzit e tij; në vijim janë familja e Spanëve, feudalë të mëdhenj të Drishtit, duke e filluar me Stamati Spani, në vitin 1382; familja Balshaj, të Zetës (Balsha I, II, III; familja Kastrioti, duke e vendosur origjinën e saj në fshatin e Shën Gjergjit të Mirditës, etj.

Pas kthimit në Paris, gjetjet e tij në varrezat e Komanit, baroni Degrand i dorëzoi në Muzeun e Antikiteteve Kombëtare në Saint-Germain-en-Lay, pranë Parisit që dikur kishte qenë seli e mbretërve të Francës, i shndërruar më vonë në një muze nga Louis XIV. Edhe sot, gjetjet e Komanit, janë të ekspozuara në Sallën e «Arkeologjisë së Krahasuar», ku një kënd mban mbishkrimin «Albanie», për të dëshmuar kështu për qytetërimet e hershme evropiane në Ballkan. Alexandre Degrand nuk do të qëndronte shumë në Paris. Shpejt, ai do t’i rikthehej përsëri Ballkanit.

Qëndrimi i Degrand në Shqipëri dhe libri i tij me kujtime lanë gjurmë në popullin e Shkodrës, Mirditës dhe të veriut shqiptar si dhe në intelektualët shqiptarë të asaj kohe. Më vonë, shumë autorë jo vetëm të huaj por edhe shqiptarë, i janë referuar librit të tij, veçanërisht zbulimeve rreth kulturës së Komanit. Pas njoftimeve të tij rreth Komanit, të tjerë arkeologë e studjues nxituan drejt kalasë së Dalmacies. Pas Luftës së Dyte Botërore, arkeologët shqiptarë filluan menjëherë kërkimet në zonën e Komanit, në këtë vend strategjik të pikëtakimeve të kulturave autoktone, ilire, bizantine e më vonë sllave, vend ku dhe sot vazhdojnë kërkimet akoma më të thelluara nga arkeologja shqiptaro-franceze Etleva Nallbani. Në familjen Ceka-Suma në Shkodër edhe sot ruhen fotografitë e drogmanit Suma me konsullin francez apo diplomat që Degrand ka dorëzuar për drogmanin shqiptar Filip Ceka i cili i kishte shërbyer aq shumë pararendësit të tij Hyacinth Hecquard. Engjëll Ceka (Suma) pinjoll i kësaj familje të madhe, më tregonte një ditë se në shtëpi, gjyshi i tij kishte lënë dikur një shënim të shkruar në italisht, i cili në atë kohë shkruante: „Nuni i babës tim ka qenë Degrand dhe Maria Berta Degrand e shoqja e tij“. Gjyshi i Engjëllit kishte lindur më 1898, pra një vit para se Degrand të largohej nga Shqipëria.

Arkeologu

Pas largimit nga Shqipëria Degrand do të vazhdonte studimet e tij historike dhe në mënyrë të veçantë të ushtronte profesionin e tij të dashur, atë të arkeologut. Me caktimin e tij si konsull në  Philipoppolis, apo qytetin me emrin e babait të Aleksandrit të Madh,  (Plovdiv) ai filloi njëkohësisht edhe kërkimet arkeologjike, i lidhur me Akademinë e Mbishkrimeve dhe të Letrave“. Vazhdoi kështu në gjurmët e kërkimeve të tij në Durrës, në Koman apo Ulqin, ku siç shkruan ai për Ulqinin, ai kishte parë disa kisha të vjetra në këtë qytet të lashtë, emblema mesjetare, ku mes tyre kishte gjetur dhe një emblemë me një shqiponjë me dy koka të vitit 1563. Ishin të njëjtat emocione siç kishte provuar kur kishte hipur në kullën e sahatit të kështjellës së Krujës për të gjetur ndonjë mbishkrim dhe ku lart, papritur kishte gjetur një kambanë të vjetër me datën MCCCCLXII, ku siç shkruan ai, „pesë vjet para vdekjes së Skënderbeut, kësaj kambane i është dashur të lajmërojë shumë herë Te Deum-in në kohën e heroit, duke tingëlluar me një kushtrim alarmi!...“

Më 1901 dhe 1902, kur ishte konsull në Philippopolis, meqë „Fondation Piot“ pranë „Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave“ e financoi, ai filloi kërkimet arkeologjike në Tall Ratcheff, tre kilometra nga Metchkur, ku vite më parë kishte filluar kërkimet arkeologu G. Seure i Shkollës Franceze të Romës, por që më pas i kishte ndërprerë. Ai filloi të gërmojë „tumulis“ në qytetin arkaik të Kabyles. Rezultatet e para ishin premtuese, siç raportohet dhe në seancat e Akademisë Franceze nga Maxime Collignon,[9] i cili i njofton akademikët se „të dhënat e Zotit Degrand janë ditare të vërteta kërkimesh arkeologjike shume të sakta dhe që kanë një inventar të detajuar dhe të shoqëruara me fotografi.“ „Ju kujtoj përsëri se ai ka dërguar në Musée du Louvre shumë seri objektesh të këtyre gërmimeve, mes të cilave qeramika mjaft interesante…“ pas kërkimeve në vitin 1902, Collignon u kujton sërrish anëtarëve të Akademisë Franceze se „Degrand është i bindur që të gjitha objektet vijnë nga një nekropol, dhe se kodrina ku toka natyrale fillon në thellësinë e 9 metrave, është formuar nga një shtresë varresh njëra mbi tjetrën“. „Monumentet funerale, – shkruan Degrand, – përmbajnë dhé, hi njerëzor apo kafshësh të kalçinuara jo aq mirë… Me siguri që i vdekuri digjej në sipërfaqe mbi një turrë drush dhe hiri i tij vendosej pastaj në një tjegull të thjeshtë dhe ajo mbulohej me nje shtresë argjili. Pastaj varri i tij rrethohej me vazo që kishin brënda ushqime për të vdekurin…“

Një vit më pas, Degrand filloi gërmimet në qytezën antike të quajtur „Apollonie du Pont“ (Apolonia e Urës, meqë në antikitet ekzistonin shumë qyteza me emrin Apolloni, ndër të cilat, më e rëndësishmja, Apollonie d’Illyrie). Kjo qytezë, pas shekullit III të erës sonë quhej Sozopolis dhe më pas, si fshat bullgar, Sizebol. Degrand gërmoi përsëri në „tumulis“ në Kolokithias, në një faqe shkëmbore ku zbuloi mjaft vazo poçerie apo bronxi dhe objekte të tjera analoge të zbuluara më parë. Por zbulimet më interesante të tij ishin në dy ishuj fqinj të quajtur Shën Johani dhe Shën Qiriako. Në këtë të fundit u përqëndrua në gjetjen e disa fragmenteve me relieve që sot gjenden në muzeun e Louvre-it, me skena luftarake, mjaft interesante, me personazhe që i bien borive të luftës, etj, një stele që u bë mjaft e njohur në rrethet e arkeologjisë dhe që dëshmonte se aty duhej të ishte vendosur dhe tempulli i Apollonit, nga i cili mori emrin dhe qyteza antike.

Vitet 1910-1911 ishin për Shqipërinë vite lufte në kërkim të lirisë dhe të shkëputjes nga perandoria osmane. Kryesisht në malet e Kosovës dhe të zonës së Dukagjinit, të Malësisë së Shkodrës, të Palvës e Gucisë, por dhe në jug si në Gjirokastër, Korçë e gjetkë, ndeshjet me ushtrinë osmane ishin të pandërprera, ndërkohë që dhe Turqia po shpërbëhej gradualisht duke shkuar drejt Luftrave Ballkanike, të cilat do të sillnin përfundimisht shpërbërjen e saj. Por Alexandre Degrand nuk do të arrinte ta shikonte Shqipërinë e pavarur, ashtu siç e kishte parë atë në shpresat e shqiptarëve.

Ai vdiq më 30 maj të vitit 1911 dhe u varros në Carcassone, në jug të Francës, ku dhe kishte shtëpinë e familjen e tij. Por vepra e tij ishte padyshim një shërbim i madh historik mbi shqiptarët dhe Shqipërinë.

Luan Rama


[1] Josef Sekel me profesion mjek dhe fotograf, shoqëroi J. G. von Hahn në udhëtimin e tij të fundit në Shqipëri në vitin 1863, duke fiksuar ndoshta fotografitë më të hershme që ruajmë nga Shkodra dhe malësia shqiptare. Për më shumë se një shekull, fotografitë e tij mbetën të pabotuara, gjersa u zbuluan jo shumë vite më parë.

[2] Në fakt, në vitin 1806, krahas Pouqueville në Janinë, ishte caktuar në Scutari dhe Charles Bryère-Desrivaux.

[3] Komandanti i famshëm venedikas, i cili mbrojti kështjellën e Shkodrës nga rrethuesit osmanë, pas vdekjes së Skënderbeut.

[4] A travers l’Albanie, Auguste Meylan.

[5] Revue de la Société de la Géographie, Paris.

[6] Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar, J. G. von Hahn.

[7] Nga informacioni i mësipërm vdekja e së bijës ka ndodhur më 20 tetor 1898.

[8] Kronikat greko-romane, të pabotuara ose pak të njohura, Librairie Weidmann, 1873, Berlin.

[9] Maxime Collignon, Rapport  sur les fouilles exécutées par M. Degrand dans la vallée de tundja, Comptes rendus des séances de l’Académie des Inscriptions et Belles Lettres, 47è année, Nr.1, 1903. Paris

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *