Aleksandër Dyma

Në dritat e skenës dhe zjarret e revolucioneve

Secili shkrimtar është i veçantë në biografinë dhe jetëshkrimin e tij. Të veçanta aventurat, jeta, proçesi i krijimit artistik, ai laborator krijues, ku krijohet emocioni dhe magjia. Të veçanta bëmat e tyre. Jetët e tyre herë u ngjasojnë lumenjve të rrëmbyeshëm që përplasen nëpër shkëmbinj, e herë kaskadave, që përplasen dhe shuhen në një shkumë të bardhë që për një kohë të gjatë ruan atë gjendje vezulluese. Njëherë më kishte rënë në duar një fotografi e habitëshme. E vështrova gjatë, duke u munduar të deshifroja në ato dy portrete një gjendje njerëzore që tashmë nuk jetonte më: shtatëdhjetvjeçarin Aleksandër Dyma, (Alexandre Dumas), me kokën përkulur në një mënyrë atërore mbi kokën e ëmbël të një vajze me një trup të kolmë. Ishte aktorja Adah Menhen, dashuria e fundit e Dymasë. Padyshim, si Hygo e Balzak, edhe Dyma ishte nga ata dashnorë të përjetshëm.

Pothuaj një shekull e gjysmë më parë, Aleksandër Dyma krijoi veprat e famshme të tij Konti i Monte-Kristos dhe Tre Musketerët, por jehona e tyre do të vazhdonte të ndihej gjithnjë, deri në ditët tona. Qindra romane e pjesë teatrale, mijra personazhe e histori: një art mjaft popullor që nuk i ka humbur shkëlqimet e veta. Shumëkush nga ne ka ndjekur filmat e realizuar nga kineastë të ndryshëm të botës, të cilat kanë ngjizur ato histori të paharrueshme me mesazhe humaniste universale, duke nxitur njëkohësisht imagjinatën e miliona e miliona njerëzve në të gjithë rruzullin tokësor. Edmond Dantès, abati Faria e Danglars, në Konti i Monte-Kristos, apo D’Artanjani dhe tre musketerët e tij, Athos, Porthos, Aramis, pa harruar Miledin, te Tre Mosketerët, të cilët kanë mbetur të paharruar në kujtesën e adoleshencës dhe fëmijërisë sonë, atëherë kur dhe ne, duke imituar mosketerët, luftonim me “shpata druri”. Sigurisht, ne njohim librat dhe letërsinë e Dymasë, por jo dhe aq jetën e këtij autori që ashtu si dhe Balzaku, Hygo, etj, do të linte gjurmë të pashlyeshme në botën letrare të shekullit të vet.

Në korrik të vitit 2002, rasti e solli të ndiqja nga afër udhëtimin e eshtrave të Dymasë nga “Kështjella e Monte-Kristos”, në periferi të Parisit, (sot Shtëpia-Muze), e gjer në Panteon. Me rastin e 200 vjetorit të lindjes së tij, presidenti i Republikës franceze kishte vendosur që eshtrat e Dymasë të hynin në Panteonin e lavdisë. Dhe shkak për të ndjekur këtë ceremoni ishte vajza ime, studente në Shkollën e Lartë të fotografisë artistike “Louis Lumière”, e cila si detyrë shkolle kishte pikërisht një reportazh fotografik mbi udhëtimin e eshtrave të Dymasë dhe hyrjen e tij në Panteon. Ja pse atë mëngjes, m’u desh të shkoja në kodrinën e Port-Marly, në periferi të Parisit, ku mes një pylli të këndshëm, në vitin 1847, Dyma kishte ndërtuar aty dy godina të mëdha: e para, e pagëzuar “Kështjella Monte-Kristo”, dhe e dyta, plot arabeska dhe e rrethuar nga uji, e pagëzuar ”Kështjella e If”-it. Pikërisht atje ai kishte vendosur dhe tavolinën e tij të punës, ku gjatë tri vjetëve shkruante dramat e tij.

Atë mëngjes, Garda Kombëtare e mori arkivolin e praruar dhe të mbuluar me flamur për ta shoqëruar deri në Panteon. Pamjet e dy ndërtesave humbën shpejt mes atij pylli që i rrethonte dhe që fshihte diku s’dihet ku dhe varrin e vetëm të atij vendi, atë të shërbëtorit të tij abisinas. Më kujtohet si tani, kur atë ditë që pikëlonte shi, duke përshkuar rrugët e qytetit, ku ai kishte jetuar dhe krijuar veprën e tij monumentale, në objektivin e aparatit fiksoheshin imazhe dhe vende që lidheshin drejtpërdrejt me jetën e shkrimtarit të madh.  Kush ishte ky njeri, për jetën e të cilit ishin thurrur aq shumë legjenda? Në fakt, pamja e tij ndryshonte nga ajo e francezëve dhe miqve të tij, pasi ai ishte metis, kishte një lëkurë të zeshkët dhe flokët kaçurrele si të një “negri”, siç e cilësonin në atë kohë.

Gjyshja e tij, Marie-Louise, kishte qenë një skllave zezake nga Saint-Domingo, e cila solli në jetë babain e tij, gjeneralin Dyma. Babai i tij kishte qenë një personazh romanesk, i cili e kishte ndjekur Bonapartin në fushatën e Egjiptit dhe më pas ishte burgosur nga qeveria napolitane. I ngacmuar nga tregimet e historive familjare, shkrimtari Alexandre Davy de Pailleterie, do të preferonte të mbante mbiemrin e gjyshes së tij: Dumas, (Dyma). Që i ri, ai pëlqente letërsinë dhe përpinte librat e Shekspirit, Valter Skotit apo Bajronit dhe autorëve të mëdhenj të letërsisë franceze. Pas studimeve, Dyma punoi një kohë si noter, pastaj u vu në shërbim të monarkistëve, gjersa, revolucionet do ta ndryshonin këtë monarkist në republikan.

Përfytyroni një çast Dymanë, një djalosh shtatlartë, të hollë e të kreshpëruar gjithë kaçurrelë, i veshur «shik», por që mbante në vetvete imazhin e atij që nuk ishte si të tjerët në rrethin e tij, pamjen se ai vinte nga diku, nga larg, nga kolonitë e largëta me gjakun e tij metis. Pikërisht ky djalosh krenar për vetveten dhe prejardhjen e tij, nuk do të hezitonte as dhe një çast dhe para një dueli. Dyma e kujtonte me humor atë çast rinor, kur i duhej të shkonte në lëndinat e periferisë të Parisit, në kodrinat e Montmartre-s, për të dëshmuar se ishte një «kalorës» i vërtetë. Në fakt një autor dramatik e kishte akuzuar se i kishte vjedhur temën e një drame, dhe i fyer, Dyma, 22 vjeçar, e kishte thirrur në duel. Kur e plagosi me shpatë, i kishte ardhur keq për të dhe kishte shkruar: «I shkreti, s’kishte mbajtur kurrë një shpatë…».

Dyma atëherë kalonte një periudhë të stuhishme, me një dëshirë të jashtëzakonëshme për tu bërë një ditë një shkrimtar i dëgjuar. Lexonte i etur, shkruante pjesët e para dramatike dhe hidhej gjithë zjarr në jetën e aventurave dhe dashuritë e «ndaluara». Në këtë periudhë u njoh dhe Melanie Waldor, gruan e një kapiteni, i cili rrinte më shumë në garnizonet ushtarake. Dyma kishte marrë me qera një apartament në Rue de Sevres dhe aty, dy të dashurit, kalonin netët e tyre të ekstazës. Edhe ajo shkruante, ishte poeteshë. Një ditë ajo mbeti shtatzënë, por fëmija i tyre, që u quajt Anthony, vdiq shumë shpejt. Ja pse dhe drama Anthony, një nga dramat më të bukura të Dymasë, quhet kështu. E detyruar të ndahej nga Dyma, ajo tentoi të vriste veten, por fati e shpëtoi. Dymaja do të fillonte udhëtimet e tij…

Në gjurmët e gjeneralit

Në vitin 1830, në Paris kishte shpërthyer revolucioni. Populli nuk e duronte më monarkinë dhe kishte shpërthyer revoltat nëpër rrugët e qytetit. I armatosur dhe me armë në dorë, Aleksandri, që vite më parë kishte punuar si sekretar i dukës së Orleanit, çka përfaqësonte vetë monarkinë, ishte gjendur për një çast përballë tre ushtarësh me armët drejtuar ndaj tij. Por dhe arma e tij ishte drejtuar drejt tyre. Shkrimtari i ri nuk kishte frikë. Tutje dëgjohej “Marsejeza”. Një grup njerëzish u afruan dhe çarmatosën ushtarët. Bashkë me ata Aleksandri u turr në Rue de Bac, pastaj në Rue de Lille, Rue de l’Université, Place de la Grève, L’Ile de la Cité. Por atje, një kapiten e ndaloi.

– Çfarë kërkoni?

– Të kalojmë!

– Për ku?

– Në bashki!

– Përse?

– Për të luftuar.

– Zoti Dyma, nuk ju dija kaq të çmendur!…[1]

Kapiteni e kishte njohur shkrimtarin e ri për të cilin flitej tashmë në Paris. Një top qëlloi kundër tyre. Populli u kundërpërgjigj. Mes tyre dhe Dyma. Por më së fundi ata u tërhoqën. Luvri ishte i mbuluar nga tymi i armëve. Lafayette kishte krijuar «Komitetin e Shpëtimit Publik». Franca ishte e ndarë në republikanë dhe monarkistë. Popullit i duheshin armë. Ai e dinte se në Soisson, jo larg Parisit, në një depo ushtarake kishte armë dhe fishekë. Duke fallsifikuar një urdhër të Dukës së Orleanit, si një kaçak i vërtetë, ai mundi të marrë tre mijë livra barut. Por kur u kthye, revolucioni ishte shtypur.

Tashmë ai iu rikthye dramave të tij dhe shkruajti dramën Napoleoni, i cili u shfaq në janarin e vitit 1831. Pikërisht në atë kohë lindi dhe vajza e tij, Marie Aleksandrine. Më vonë, gjatë kryengritjes së Vandesë, Dyma e veshi përsëri rroben e ushtarakut. «Shuanët» kishin zbarkuar në shumë krahina. Marseja ishte pushtuar dhe tani kërcënohej edhe Provence. Parisi gjëmonte nga revoltat. Ngado dëgjohej «Marsejeza». Sheshi i Bastijës dhe rrugët e Parisit ishin mbushur nga barrikadat. Populli dhe garda kombëtare shkëmbenin breshëritë e tyre të armëve. Dyma kërkonte armë për të drejtuar grupet e njerëzve. Ai e dinte se në Teatrin e Porte de Saint-Martin, kishte armë që përdoreshin gjatë shfaqjeve. Madje kërkoi dhe dy pistoletat e tij, që i kishin përdorur për shfaqjen e dramës Richard Darlington. Por në mbrëmje, garda kombëtare i kishte shkatërruar pothuaj gjithë barrikadat. Një mik e kishte ndihmuar të maskohej me një kostum borgjezi, që të mund të kthehej në shtëpi pa u kapur nga policia. «Dikush nga ndihmësit e mbretit më kishte njoftuar për arrestimin tim të shpejtë, – kujtonte Dyma, – duke më kërkuar të largohesha jashtë për një apo dy muaj dhe pastaj të kthehesha përsëri në Paris». Madje diku, në një fletushkë monarkiste Dyma lexoi se «shkrimtari Aleksandër Dyma ishte kapur duke shpërndarë armë dhe ishte ekzekutuar!» Ai e kuptoi se po të qëndronte akoma, jeta e tij ishte në rrezik, prandaj dhe ia mbathi drejt Alpeve për në Zvicër.

Shkurt 1848. Franca përjetonte përsëri ditë revolucioni.

Populli sërrish kishte vërshuar në barrikada dhe kishte mbushur rrugët. Aleksandri nuk ishte më ai luftëtari i parë, por sidoqoftë mbetej gjithnjë një republikan i vendosur, edhe pse dikur u kishte shërbyer monarkistëve. Megjithatë, ky revolucion i la një shije të hidhur, ashtu siç i kishte lënë dhe Hygosë. «Po kthehesha vetëm, i trishtë, i shqetësuar dhe republikan më shumë se kurrë, – shkruante ato ditë Dyma. – Por unë pashë një Republikë të krijuar keq, të papjekur, të shpallur jo mirë. Po kthehesha me zemrën e dhimbur nga spektakli i Francës, i asaj gruaje të flakur brutalisht, të dy fëmijëve të saj të ndarë dhe të dy princave që shkonin».

Tek kalonte nga kopshtet e Tuillerie, sytë e Dymasë shikonin shtigjet e mbushura plot të vrarë, ku mbi disa prej tyre kishte nga një tabelë që tregonte se ishin thjesht plaçkitës, hajdutë. Në gazetën L’Evenement, Dyma shkruante: «Ajo që përbën avenirin e Republikës është pikërisht se i mbetet shumë për të bërë për të ardhmen e saj. Lëreni pra që si fillim të jetë një Republikë borgjeze dhe më pas, me kalimin e viteve ajo do të bëhet Republikë demokratike, që më vonë të jetë një Republikë sociale.»

Në qershor të po atij viti, kur monarkistët u kthyen nga Versaja dhe morrën revanshin mbi Republikën, Dyma kërkoi të bëhej politikan dhe deputet. Madje ai kishte organizuar shumë mitingje, por nuk mundi të fitonte. Ai nuk e donte «Republikën e kuqe» të Zhorzh Sand-it, Prudhon-it, Raspail-it, Blanqui-it…Ashtu, si dhe Hygo, ai votoi për Napoleonin e «vogël» në postin e presidentit të Republikës.

Një jetë i dashuruar…

Në kështjellën “Monte-Kristo” të Dymasë, fotografitë e të dashurave të tij janë të shumta. Por ato janë vetëm maja e ajsbergut, pasi dashnoret e Dymasë janë pafund: ashtu si Hygo dhe Balzak, edhe ai ishte një dashnor i madh, një dashnor bujar dhe me energji të pashterrëshme. Ngado që shkonte do të kishte me vete një dashnore: edhe jashtë Francës, në Rusi apo nëpër Mesdhe, në Napoli, Palermo, Spanjë. I pëlqenin femrat e bëshme, siç ishte dhe Octavie Durand, e cila, siç thuhej, “i kishte gjinjtë si Sfinksi”.

Pas dashurisë së tij të parë me Aglae, ai u njoh me zonjushen Laure, (Marie-Catherine Labay), një bjonde me lëkurë të bardhë, patrone e një rrobaqepësie në “Place des Italiens”. Meqë ai banonte ngjitur, Dyma kaloi të banonte në shtëpinë saj dhe nga kjo lidhje, ai u bë me djalë, të cilin e quajti po Aleksandër Dyma – “biri”. Por kjo lidhje shpejt do të prishej dhe gratë do të ndroheshin periodikisht në jetën e tij.

Zonjusha George ishte në atë kohë një nga aktoret mitike të skenës franceze, e cila interpretoi dhe një dramë të tij, La Tour de Nesle. Kur ajo lahej në vaskë, Dymaja rrinte dhe e kundronte… Kur aktorja e famshme e asaj kohe, Marie Dorval, lexoi dramën e tij Anthony, të cilën do ta interpretonte më pas në skenë, ajo u frymëzua aq shumë sa me lot ra në krahët e tij. Dyma ishte një burrë jo simpatik, me flokët kaçurrelë dhe fytyrën metise, me buzë të trasha dhe i shëndoshë. Zakonisht ata që nuk e donin e cilësonin “negër”, por kjo nuk e pengonte atë që me humorin e tij ti bënte për vete dhe femrat më të bukura si Dorval e të tjera. Një ditë, kur sapo kishte dalë nga teatri, nga shfaqja e dramës Christine, të Dymasë, ajo e pikasi dhe i thirri nga karroca: “Eja, ngjitu shpejt dhe puthmë! Ju keni një talent të madh, jo vetëm në art, por dhe me femrat!…”

Kur jetonte me zonjushen Belle Krelsamer, një vajzë “me bukle të zeza dhe dhëmbët si perla”, (siç shkruhej në gazetat e kohës), ai përjetoi revolucionin e vitit 1830 dhe miq të tij ishin List, Hygo, Zhorzh Sand, Bulanzher. Pastaj, pasioni i tij u bë Ida Ferrier, aktorja e dramës Thérésa, me të cilën do të martohej në vitin 1840. Shkrimtari Théophile Gautier thoshte se “ajo ishte një nga gratë më të bukura të Parisit”. Por fill pas martesës, ai ra në dashuri me aktoren Hyacinthe Meinier e më pas me një aktore tjetër mjaft të re, Henriette Laurence. Dashuria shpesh ishte si një vazhdim romani, apo ishte vetë lënda e romanit të ardhshëm. Dhe në momentet më të vështira, në kohë revoltash e revolucionesh, atëherë kur dhe jeta e tij vihej në rrezik, ai nuk mund të qëndronte pa një të dashur. Dashuria për të ishte frymëzim jete dhe krijimtarie. Shpesh ai i pëlqente të martuara, me eksperiencë si zonja Setier, ose aktore, si Melanie, Eugènie Sauvage apo Virginie Bourbier, e cila interpretonte në dramën e tij Henri III dhe oborri i tij. Ato gjenin shëmbëlltyrat e tyre në heroinat e romaneve të tij: Aglae ishte në heroinën e librit Tulipani i zi; Melanie Waldor, në dramën Antony, e kështu me rradhë. “Unë pata në krahët e mia femrat më të bukura të Parisit, Firences, Romës, Napolit, Madridit e Londrës”… – shkruante ai në librin Kujtimet e mia. Edhe pse mburrej, kjo ishte e vërtetë.

Kur shkoi në Napoli e Palermo për të mbështetur Garibaldin, atëherë ai dashurohej me Emilie Cordier. E dashura e hershme Emma Mannoury-Cincinnatus sapo kishte vdekur. Por kur u kthye nga Italia dhe mori vesh se Emilie e kishte tradhëtuar, ai i shkroi: ”Të fal, sepse e di që nuk doje të më plagosje…Le ta quajmë se ka ndodhur një aksident dhe asgjë tjetër”…

Dyma ishte një dashnor bujar, aspak xheloz dhe që vështirë të plagosej nga femrat. Isabelle Constant ishte një aktore e re kur u njoh me Dymanë. Ajo ishte 16 vjeç, por shkrimtari i madh, edhe pse i moshuar, kishte hire të tjera. “Si vallë më dashuroi, edhe pse kishim një diferencë të madhe? – pyeste veten Dyma në shënimet e tij. – S’i vallë m’u dha, edhe pse ishte e virgjër? Ishte një mister…

Sigurisht, kjo lidhje shkaktoi një zemëratë të re të fëmijëve të tij, ku ata ishin më të mëdhenj në moshë se dashnorja e babait të tyre. Por Dyma, si babaxhan, dinte t’i shuante këto zemërata. Për Izabelën, ai mori me qera një apartament në aveny “Beaumarchais”, që mos ta takonte më në shtëpinë e tij, por në një kënd të qetë dhe vetëm për ata të dy.

Dyma nuk i harronte të dashurat e tij. Edhe kur largohej nga to, ai i ruante si kujtime të çmuara. Kështu kishte ndodhur dhe me aktoren Marie Dorval. Një natë të vitit 1849, kur po jepej një shfaqje teatrale, dikush i tha se Dorval po vdiste dhe kërkonte patjetër ta shikonte për herë të fundit. Dhe ai menjëherë nxitoi drejt asaj. “U hodha në shtratin e saj duke qarë me kokën e fshehur në çarçafë, – shkruante Dyma në ditaret e tij. Meqë kishte mbetur e varfër, ajo i kërkoi që ta ndihmonte për ta varrosur pranë nipit të saj. Dhe ai i premtoi se do të gjente paratë që do të duheshin për varrimin. Por atë kohë, Dyma ishte mbytur nga borxhet. Një pjesë të parave i vuri vetë, një pjesë tjetër ia dha Viktor Hygo, ndërsa pjesën tjetër e siguroi duke shitur një nga dekoratat e çmuara që i kishte dhënë dikur emiri i Algjerit.

Jeta në art

Pothuaj gjithë jeta e Dymasë është përjetuar me ethet e krijimit artistik, shkrimin e dramave dhe romaneve, me skenën e teatrit dhe kërkimin historik, i cili ishte në thelb të romaneve të tij dhe “Teatrit Historik”, që ai e themeloi në Paris, në sheshin e Republikës. Por revolucioni i vitit 1848 do të rrënonte jo vetëm “Teatrin Historik”, por dhe jetën e këtij bujari të madh. “Kështjella e Monte-Kristos” që ai kishte ndërtuar në periferi të Parisit, në Port-Marly, dhe ku vinin të defreheshin gjithë intelektualët e kryeqytetit, më së fundi do t’i merrej nga huadhënësit në këmbim të borxheve të tij. Por ajo që e mbante gjallë ishte gjithnjë proçesi i krijimit, dramat dhe romanet e parreshtura të tij. Një nga miqtë e tij më të mëdhenj, i cili përfaqësonte dhe një lloj ideali për të, ishte Viktor Hygo. Ai i kishte dedikuar Hygoit dramën Conscience, ndërsa Hygo i kishte dedikuar përmbledhjen Contemplations. “Hygo dhe unë kemi karaktere krejt të kundërta, – shkruante Dyma. – Ai është i ftohtë, i qetë, me kujtesë të madhe për të Keqen dhe për të Mirën, ndërsa unë jam i gjallë, i papërmbajtur, që dua të klith, që harroj të Keqen dhe rrallëherë harroj dhe të Mirën.”

Kur Dymanë e sulmonin kritikët, Hygo e merrte atë në mbrojtje. “Aleksandër Dyma, – shkruante Hygo, – është një talent i mrekullueshëm dhe një penë me famë europiane. Ai është një shpirt i madh popullor”.

Gjatë kohës që Dyma ishte në mërgim për tu shpëtuar huadhënësve që e ndiqnin dhe e kërkonin ngado, si dikur Balzakun, ai kishte takuar Hygonë dhe një ditë e kishte përcjellë bashkë me një turmë miqsh në portin e Anversit. Hygo nisej si i mërguar politik për në Angli. Atje në port vështrimet e tyre u kryqëzuan dhe Hygo e ndjeu miqësinë e mikut, dhe pse ishte rivali i tij në letërsi. Vite më vonë Hygo do të shkruante vargjet:

Nuk e kam harruar skelën e Anversës

 Lamtumirë! E pastaj nëpër erëra, dallgë, maja

Ti në këmbë mbi skelë, unë në këmbë mbi kuvertë…

Vite më vonë, kur Dyma shkoi si gazetar-korrespondent në Londër, për gazetën La Presse, ai shkoi ta takojë Hygonë në shtëpinë e tij “Hauteville House”, në Gurnesey. Të dy miqtë e vjetër e rigjetën njëri-tjetrin. Dyma ishte një gazetar i shkëlqyer dhe gazetaria për të ishte një pasion i veçantë. Ai shkruante në gazetat e revistat më të njohura të kohës si La Presse, Le Siècle, Le Constitutionnel, Le Pays, Le Figaro, Le journal des Débats, Le Petit Journal, Les Annales romantiques, La Revue de Paris, La Revue des Deux Mondes, Le Journal illustré, etj. Më 1 mars 1848 ai themeloi gazetën Le Mois, një të përmuajshme politike e historike e shkruar e gjitha nga Dyma. Më 20 maj të atij viti, drejtoi dhe të përditshmen La France Nouvelle; në 12 nëntor të vitit 1853, në kthim nga Belgjika, ai lançoi të përditshmen e mbrëmjes Le Mousquetaire. Hygoja i shkruante: «A është vallë e mundur të jetosh pa Mousquetaire?» Dhe një ditë më vonë, ai i shkruante sërrish: «Ju kështu na sollët Vloterin

Dyma e pëlqente shumë letërsinë e Balzakut e po kështu dhe krijimtarinë e mikut të tij, poetit Gerard de Nerval, të cilin e donte shumë. Vdekja e Balzakut e trishtoi pa masë. Ai e përcolli në varreza shkrimtarin e madh, “edhe pse nuk ishte miku im, as vëlla, por më tepër një rival, apo thuajse një armik”. Ai e admironte veprën e Balzakut. Një natë të vitit 1854, kur ai banonte në 77, Rue d’Amsterdam, në portën e tij trokiti policia. I thanë se Gerard de Nerval e kërkonte urgjentisht bashkë me një pallto për të. Ç’kishte ndodhur? Në kulmin e çmendurisë, De Nerval kishte dalë nudo në bulevard dhe policia e kishte arrestuar dhe mbyllur në polici. Dyma shkoi dhe e liroi. Por të nesërmen, poeti De Nerval kishte varur veten në shtëpinë e tij. Dyma e gjeti atë në morgun e qytetit. Ç’trishtim i madh të shikonte të vdekur poetin e madh!

Udhëve të botës

Aleksandër Dyma nuk ishte një fetar praktikant. Deviza e tij, ashtu si dhe e babait të tij ishte Deus dedit dabit, (Zoti ka dhënë, Zoti dhe do të japë). Pra ai ishte një njeri që e shikonte jetën në anën optimiste të vet. Atij i pëlqente të udhëtonte dhe të njihte botra të tjera, popuj dhe histori. Veç Rusisë, një nga projektet e tij të mëdha ishte që të udhëtonte nëpër Mesdhe. Qytetërimet e Mesdheut e tërhiqnin shumë. Dhe kështu, një ditë, bashkë me dy shoqërues, ai u nis drejt jugut të Francës. Kur ndaloi në Avignon, ai kërkoi të flinte në «Hotelin Palais-Royal» dhe pikërisht në dhomën nr.3, atje ku dikur ishte vrarë mareshalli Brune. «Sapo fika dritën mendova se në krevatin ku isha shtrirë ndoshta ishte shtrirë dhe kadavra e mareshallit, – do të shkruante ai në ditarin e tij. – M’u ngritën flokët përpjetë. Dhoma m’u mbush gjithë fantazma e mërmërima

Në Marsejë ai vizitoi «Kështjellën e If» -it, (Château d’If), ku dikur ishte burgosur i madhi Mirabeau. I magjepsur nga pamjet e burgjeve të kështjellës, ai do tu rikthehej atyre me romanin e tij të famshëm, Konti i Monte Kristos. Fantazia e tij fillloi të mendonte fillimthi për një libër përshtypjesh, por më vonë, gjithçka do të merrte trajtat e romanit, duke gërshetuar në të shumë histori që kishin të bënin me familjen fisnike të babait të tij, fisnikëve normandë Davy të shekullit XVII, dy prej të cilëve, babai dhe xhaxhai i tij kishin ikur në kolonitë franceze të Karaibeve dhe merreshin me tregëtinë e sheqerit dhe të skllevërve. Në Santo Domingo, gjyshi i Aleksandrit ishte dashuruar me skllaven e vet, e cila kishte lindur atin e tij që më vonë do të bëhej gjeneral i Republikës së re.

Në bibliotekën e Marsejës, Dyma zbuloi gjithashtu dhe një thesar të madh: një dorëshkrim të vjetër, Kujtimet e Zotit d’Artanjan, (Mémoires de Monsieur d’Artagnan), kapiten-lietnant i kompanisë së mosketerëve të mbretit. Kjo do të ishte dhe baza e romanit të tij të mëvonshëm Tre mosketerët.

Në këtë udhëtim të parë, Dyma do të vizitonte dhe Monakon, Gjenovën, Romën, Napolin e Palermon. Por ai do t’i rikthehej përsëri itinerarit të tij mesdhetar: «Më duhet të vazhdoj udhëtimin e Mesdheut, të shkruaj për historinë e vjetër të botës…Tani më mbetet të shoh Venecien, Ilirinë, ishujt jonianë, Greqinë, Egjiptin, Palestinën, Tripolin…»

Fustanella me njëmijë pala

Sigurisht, në kohën e revolucionit grek, Dyma kishte dëgjuar për udhëtimet e Bajronit në greqi dhe suljotët, për kostumin shqiptar të Bajronit, me të cilin ai krenohej në Londër dhe i shkruante të ëmës se “ishte kostumi më i bukur në botë”. Po kështu ai i kishte parë këto kostume në tablotë e piktorit Delacroix kushtuar suljotëve dhe Marko Boçarit, etj. Të tjerë piktorë si Decamps apo Gerôme i bënin jehonë kostumeve mahnitëse shqiptare.

Një ditë, kur Dyma përgatitej për të shkuar në një ballo me maska që organizoheshin atëherë në sallonet pariziane, Amaury Duval, nxënësi i piktorit Ingres, të cilin e kishte njohur në ballot e Firmin-it, i kishte folur se mund të vishte një kostum arnauti. Kjo ide, Dymasë i kishte pëlqyer. “Ramë dakort se kostumi arnaut më shkonte për mrekulli, – shkruante Dyma në librin Kujtimet e mia. – Amaury e vizatoi atë. Ajo që ishte interesante te ky kostum ishte turbani, i cili pasi rrotullohej dy-tre herë rreth kokës, kalonte nën gushë dhe pastaj lidhej në pikën e fillimit. Por duhej qepur kostumi, i cili dhe duhej qëndisur. Për të u punua gjatë 15 ditëve. Kur erdhi dita e ballos, paradite, kostumi ishte gati. Në mesnatë hyra në sallonin e zonjës Lafond”

I veshur me kostumin arnaut, sipër në velur të kuq dhe me fustanellën e bardhë si dëbora, me armët e argjënda që i shkëlqenin, ai dukej sikur vinte nga një botë ekzotike dhe e panjohur. «Me atë kostum e imagjinoja se do të kisha një trumf të vërtetë …” Ai s’kishte bërë as dhjetë hapa në atë sallon, kur zonjusha Malibran, i ishte afruar dhe i kishte thënë: “Zoti Dyma! Ju do të më mësoni se si vihet ky turban. Këta djaj italianësh nuk dinë si të vishen. Do doja së paku të visheshin si ju. Nesër do të interpretoj Desdemonën »… Si dukej, asaj nuk i kishte pëlqyer se si ishte veshur partneri i saj, Otello.

Kostumit shqiptar, Dyma i referohet disa herë në librin e tij Impressions de voyage de Paris à Sebastopol, (Përshtypje udhëtimi nga Parisi në Sebastopol). “Jakobi më kishte shitur dy kostume, – shkruante ai. – Mora atë më të bukurin, kostumin shqiptar, me një cohë vjollce, me qëndisma argjëndi. Për një çast hezitova midis turbanit me stof të hollë e të bardhë, që të mbështjell fytyrën, duke e kaluar nën mjekër dhe rasës së kuqe me një xhufkë mëndafshi që varej.»

Duke udhëtuar nëpër Greqi, me një kureshtje të madhe ai vëzhgoi kostumet me fustanellë të shqiptarëve, për të cilat shkruante përsëri: “Këtu, ky kostum shqiptar është më i famshmi. Dhe mbreti Othon jep shëmbullin e vet. Eshtë një kostum i bukur, me këmbësore të qëndisura, fustanellën e bardhë e të shkurtër me njëmijë palë mbi gjunjë; kostumi me jelekët dhe xhaketën që shkëlqente nga qëndismat, me brezin prej mëndafshi, xhufkat prej mëndafshi në ngjyrë blu, që bijen pas kokës së tyre, anash veshit, atyre fytyrave me mustaqet me majë dhe flokët e gjatë me bukle që u bien mbi shpatulla… Kjo ishte veshja e atyre që pamë në rrugët e Eolit, Minervës dhe Hermesit. Ata na hidhnin ca vështrime jo dhe aq simpatike, aq sa për një çast mendova se jemi duke udhëtuar në një vend armik

Edhe në romanet e tij, ai nuk harronte të përshkruante kostumet shqiptare me detajet më të holla. Duke folur mbi Orientin, për traditat, zakonet dhe etnografitë e tyre, ai shkruante se «Mbi të gjitha, më të bukurat ishin kostumet e shqiptarëve. Me fustanellën e bardhë si dëbora e Pindit, me veshjen në velur «cramoisi» të mbuluar me xhufka të artë, me brezin e qëndisur, nga i cili shfaqeshin një arsenal armësh e thikash, ata ngjanin si princa.» Kur përshkruan brigjet shqiptare, ai shkruante: «Ja ku ne zbuluam Shqipërinë. Tokë shkëmbenjsh, djep trimash dhe njerëzish të fortë»

Tema dhe historia shqiptare nuk ishte e huaj për të, veçanërisht ajo e Ali Pashës, i cili vite më parë ishte ngritur kundër sulltanit. Përshkrimet e personazheve të tij në oborrin e Ali Pashës, zbarkimet në Butrint, bisedat me konsullin francez Pukvil apo historitë e Shanishasë janë të mrekullueshme, plot kolorit dhe detaje që vetëm një apasionues i letërsisë mund të krijonte afreske të tilla historike. Hayde-ja, vajza e tij në romanin Konti i Monte Kristos, është nën mbrojtjen e kontit. Ali Pasha bëhet për të një figurë referencë. Siç duket, pëshkrimet e konsullit francez Poucqueville në oborrin e pashait e kanë ngacmuar që të shkruajë rreth kësaj historie që atij i duket sa ekzotike aq dhe heroike. Po kështu, përshkrimet e Bajronit atë kohë dhe Çajld Haroldi lexoheshin me ëndje nga të gjithë nëpër Evropë. Ai e përshkruan veten si një udhëtar anglez që me letrën e Bajronit në dorë, pasi kalon detet niset të shkojë në oborrin e pashait, i cili sapo ka fituar betejën me gardhiqotët kryengritës. «Nga Gjibraltari, – shkruan ai, – pasi lamë ishujt Balneare në të majtë, duke kaluar midis Siqelisë dhe Maltës, ne zbuluam më së fundi Shqipërinë. Tokë shkëmbenjsh, djep trimash e burrash të pa mëshirshëm…Para meje kisha kodrinat e pashkelura të Shqipërisë, shkëmbenjtë e Sulit dhe majën e Pindit të pështjellë përgjysmë nga mjegulla dhe e lagur nga përrenjtë e borës.» Pasi takon në fillim Veli Pashën, birin e Ali Tepelenës, ai niset drejt Janinës, ku përshkruan pallatin e famshëm e gjithë hire, sallonin plot mëndafshe dhe ornamente ari e argjëndi, si dhe takimin e pashait me konsullin francez. Atij i duhet një «leje-kalimi» nëpër Greqi dhe një eskortë që ta shoqërojë dhe ta ruajë nga banditët…

Aventura shqiptare

Një aventurë e habitshme i ndodh Dymasë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Një ndodhi e panjohur gjer më sot. Gjatë disa vjetëve, ai kishte ndihmuar Garibaldin jo vetëm me armë, kur Garibaldi i dha 100 mijë franga për t’i blerë armë në Marsejë, (çka Dyma e realizoi sikur ta njihte mirë trafikun e armëve), por dhe përmes gazetës L’Indipendente, që ai e krijoi dhe e nxorri vetë në Palermo, në vitet 1861-1862, në gjuhët frëngjisht dhe italisht, në mbështetje të Garibaldit dhe luftës së tij për bashkimin e Italisë. Por edhe pse e pushtoi Napolin, Garibaldi nuk do ta çonte gjer në fund kryengritjen e tij. Më së fundi ai u thye nga trupat e Viktor-Emanuelit, ku u plagos dhe u burgos në Aspramonte.

Në Palermo, shumë italianë të «Camorra»-s kërkonin tashmë largimin e mbështetësit të Garibaldit dhe mikut të tij të madh, shkrimtarit francez Dyma. Kjo ndodhte sepse, Dyma ishte një nga kritikët më të mëdhenj të gjendjes në Napoli, të plehrave dhe indiferencës së qytetarëve, të vjedhjeve dhe bastisjeve, të mafiozëve të vjetër e të rinj. Në qytet dëgjoheshin thirrjet e tyre: “Dyma jashtë”! “Dyma në det”!… ”Isha mësuar me mosmirënjohjen e Francës, – do të shkruante ai ato ditë, – por këtë nuk e prisja nga italianët”.

Pikërisht në këtë kohë, disa shqiptarë të vendosur në Londër, në një lidhje të quajtur “Junte Greco-albanaise”, (Junta greko-shqiptare), i kërkuan atij që të vihej në krye të lëvizjes së tyre për të çliruar Shqipërinë, për të zbuar turqit dhe për t’i zbythur ata drejt Stambollit, Konstantonopojës së lashtë. Këtë fakt na e bën të njohur historiani Daniel Zimmerman, studjues i jetës së Dymasë, i cili në një botim të tij në Francë, pohon se ftesa Dymasë i erdhi nga vet Giorgio Castriota Scanderbeg, pasardhës i familjes së Skënderbeut. “Zotëri, – i shkruanin shqiptarët, – ju mund të bëni për Athinën dhe Konstantinopojën atë që bëtë për Palermon, dhe Napolin. Si roje avangarde e kombeve të rilindur, ju do të dyfishoni forcat ditën që do të nisim luftën finale të Kristianizmit kundër Islamit. Zotëri! Reforma jonë kombëtare, që nuk ka në krye një gjeni si ju për të drejtuar shpirtrat e njerëzve, i ngjan një lokomotive që ecën pa një makinist.” [2]

Mesazhi për Dymanë ishtë i qartë. Sigurisht, thirrje të tilla e joshnin, aq më tepër që në projektin e tij të udhëtimit për në Mesdhe, ai mendonte gjithnjë për të vizituar Shqipërinë e Ilirisë. Në mars të vitit 1863, Skanderbeg i ofronte komandën e «L’Armée de Libération Balkanique», («Ushtria e Çlirimit të Ballkanit»). Dyma tashmë e sheh veten gjeneral, si dikur babai i tij në kohën e Bonapartit. Ai pranoi që të bëhej prijësi i kësaj “Kryqëzate të IX”, siç do të quhej nga disa luftëtarë, për të flakur pushtuesit turq nga Shqipëria, Epiri, Thesalia dhe Maqedonia, siç dhe i shkruanin shqiptarët. “Ne do t’i flakim së pari nga të katër këto zona, – e njoftonte Dyma të birin e tij në Paris, – dhe pastaj do t’i shtyjmë pushtuesit turq gjer në Konstantinopojë dhe nga Konstantinopoja, padyshim drejt e në Bosfor”. Madje ai i propozoi birit të tij, që të bashkohej me të: “A nuk ke dëshirë të bësh fushatën e Shqipërisë? Të ofroj postin si ndihmës i im në fushëbetejë”, – këmbëngulte Dyma.

Përgjigja e birit të tij nuk është bërë e njohur, por padyshim, ai do t’i jetë përgjigjur negativisht.

Sidoqoftë, në shërbim të shqiptarëve ai vuri në dispozicion dhe anijen e tij me dy direkë, që mbante buzë detit, pranë pallatit ku rrinte, në Chiatamone. Madje ai dërgoi në Londër dhe një besnik të tij, një siqelian të quajtur Prima, që të bisedonte konkretisht me princin shqiptar për mënyrën e organizimit të kryengritjes. “Nëse pranoj, – i shkruante ai Girardin-it, mikut të tij në Paris, – ndoshta për 15 ditë do të më fusin ndonjë thikë. Besomë miku im se nuk më intereson të të informoj për Napolin dhe Italinë, por për Shqipërinë dhe Greqinë, për këto vende ku do të luhet fati turk. Jam në lidhje me juntën shqiptare të Durrësit dhe princin Skanderbeg, i cili, siç mendoj, do të bëjë për Shqipërinë atë që Garibaldi bëri për Italinë.”

Pas botimit të romanit të sukseshëm Zonja me Kamelie, (La Dame aux Camelias), nga biri i tij, Dyma-“biri”, mbi historinë e dashnores së tij, kurtizanes Marie Duplsessis, që vdiq nga turbekulozi, aventurat luftarake të babait, romancierit të ri i dukeshin të rrezikshme. Ai vetë ishte një shkrimtar i njohur tashmë dhe jo një garibaldist si ai. Por ndërkohë, policia e Napolit e thirri Dymanë dhe e njoftoi rreth misionit që kishte ndërmend të ndërmerrte: “Madhëria e tij Mbretërore Scanderbeg nuk është tjetër veçse një mashtrues. Ai ia ka mbathur bashkë me arkën e Juntës”. Vallë një shantazh nga ana e policisë mbretërore?

I zhgënjyer nga aventura garibaldiste, bashkë me të dashurën e tij, një këngëtare të zeshkët spanjolle, sopranon Fanny Gardosa, Dyma nxitoi të kthehej në Francë. Luftrat kishin mbaruar. Eksperienca garibaldiane e kishte frymëzuar të shkruante vepra të reja dhe së pari Kujtimet e Garibaldit. Në bagazhet e tij kishte dhe dorëshkrimin e San Felice. Ishte viti 1864…

Vitet e fundit

Jetën dhe bëmat e Dymasë mund t’i pikëtakosh kudo në Paris. Ai ishte ndryshe nga shkrimtarët e tjerë. Ndoshta mund të përngjante vetëm me Bodlerin apo Verlenin, që në kushtet e mjerimit banonin ku të mundnin. Adresat e shtëpive të tij ishin të shumta: Rue de l’Université, Rue Saint-Lazare, Rue Bleu, Cité Trévise, etj. Në Hôtel Louvois, në 1, Rue Laffitte, atje ku banonte, ai vendosi dhe redaksinë e gazetës që do të nxirrte: Mosketieri, (Le Mousquetaire). Dyma e kishte zakon të qëndronte dy-tre vjet në një shtëpi dhe pastaj të shkonte në një tjetër. Shkonte vetëm ose për hir të të dashurave të tij.

Të ndjekësh itinerarin e tij parizian është padyshim e lodhshme dhe të duhet shumë kohë. Interesante janë apartamentet e tij në Rue Madame, apo apartamenti në bulevardin Malesherbes, në numurin 107.

Atëherë ishin vitet e fundit të jetës së tij, vitet kur Dyma jetonte vetëm me famën dhe emrin e talentit që kishte krijuar. Por edhe pse vazhdonte të shkruante, botimet bëheshin më të rralla dhe nganjëherë romanet përfundonin në kronika historike që dukeshin të mërzitëshme për lexuesit e botuesit e tij. Drama e fundit e tij, Gabriel Lambert, u “kryqëzua” nga kritika pariziane. Megjithatë një gjë e shqetësonte atë: dramat e librat e tij të mëparshme, të ndaluara nga çenzura: si t’i shpëtonte ato nga “qelitë” ku ishin mbyllur. Shumë prej tyre si Isaac Laquedem, La Tour de Nesle, Angele, Rinia e Louis XIV apo Rinia e Louis XV, etj, ishin ndaluar dhe nuk luheshin më nëpër teatrot pariziane. Një nga veprat e fundit, Mohikanët e Parisit, ishte ndaluar gjithashtu. Atëherë i zemëruar, ai i shkruajti një letër monarkut Louis Philipe-it, apo siç e quanin atëherë Napoleonit të “vogël”, duke protestuar ndaj çenzurës. “Që nga vitit 1830, – shkruante ai, – në krye të letërsisë franceze janë vetëm tre emra: Hygo, Lamartini dhe unë… Por çenzura tashmë më trajton si njeriun më imoral që ekziston”…

Edhe pse 63 vjeçar, ai vazhdonte jetën e tij aventuroze, i rrethuar me disa dashnore. Siç shkruan dhe mikesha e tij Mathilda Shaw, një ditë, kur ajo kishte shkuar ta vizitonte në shtëpinë e tij, portieri në mënyrë indiferente, i kishte thënë të ngjitej lart. Ajo kishte hyrë dhe ishte habitur nga spektakli që kishte përpara: Dymaja i ulur në një kolltuk, ishte me të mbathura dhe kishte në njërin gju një femër nudo dhe në gjurin tjetër një femër tjetër. Ndërsa poshtë këmbëve, në parket, ishte shtrirë përsëri një femër nudo… Ç’spektakël i fshehtë erotik! Edhe kabaretë e Pigalle do t’ia kishin zili!

Ai ishte vendosur në 107, Bulevardi Malsherbes, ku banonte bashkë me të bijën, e cila kujdesej për të. Kur ja, një ditë, një vajzë simpatike 20 vjeçare, e quajtur Saturnine, i shprehu Dymasë adhurimin e saj.  Ai u habit me kujtesën e saj, kur ajo i recitoi përmendësh faqe të tëra nga Konti i Monte-Kristos. Madje ajo kishte dhe një kaligrafi të bukur dhe menjëherë e angazhoi si sekretare. Por me Dymanë, gjithçka kthehej në aventurë dashurie.

Dashuria e tij e fundit ishte në fakt ajo me Adah Menhen, një çifute amerikane, e cila kishte ardhur në Paris dhe ishte një nga yjet në ngjitje që shkëlqente në skenat pariziane. Ajo ishte një grua inteligjente e poliglote, gazetare, balerinë, poeteshë dhe specialiste e Edgar Poe-s, mike e Mark Twain dhe e poetit Walt Whitman. Dymaja e kishte pikasur një natë në teatrin e “Gaité” dhe ishte ngjitur menjëherë në lozhën e saj. Pak ditë më vonë, Dyma “biri”, e gjeti atë mbi gjunjët e të atit, ndërkohë që ai po shkruante.

Kjo skenë e kishte tmerruar. I frymëzuar nga kjo histori, poeti Verlen do të shkruante:

Xha Tomi dhe zonja Adah/ Një spektakël për tu admiruar…”.

Dyma dhe Menken nuk hezituan të pozonin edhe para fotografit Liebert. Meqë Aleksandri kishte nevojë për para, Adah në krah të tij bëri ca poza të guximshme, të cilat fotografi i shiti pastaj si kartolina. Biri dhe vajza e Dymasë iu zemëruan të atit që kishte humbur ndjenjën e masës dhe i kishte kaluar të gjitha kufijtë e imagjinuara. Por pikërisht në këtë kohë u shfaq dhe sëmundja e vërtetë e Dymasë, ku shëndeti i tepërt, diabeti dhe hipertensioni, tashmë po e bllokonin të lëvizte.

Në vitet 1869-1870, këmbët i ishin fryrë, ashtu si dhe barku. Një abses e pengonte të fliste dhe i biri për një çast dyshoi se ai ishte prekur nga sifilisi. Muaj të tërë Dyma kaloi në gjendje depresive, duke dyshuar në cilësinë e veprave të tij. Vepra e tij e fundit ishte Fjalori i kuzhinës, (Dictionnaire de la couisine), ku jepte recetat e tij, meqë Dyma njihej ngado si një nga njohësit më të mëdhenj të kuzhinës.

Duke e parandjerë vdekjen, Dymaja i kërkoi të birit që ta çojë në vendlindjen e tij, në Villers-Cotterets, jo larg brigjeve të La Manche, në Dieppe. Përballë dritares ai mund të kundronte detin, pasi tashmë ishte i paralizuar. Ndërkohë prusianët përparonin nga veriu dhe ushtria franceze u mund në Sedan. Napoleoni i “vogël” kapitulloi. Në Paris u shpall Republika. Po afronte “Komuna” e komunarëve të Parisit…Prusianët marshonin për në Dieppe. Por Dyma ishte më i trishtë se kurrë.

Në mbrëmjen e vonët, të 5 dhjetorit të vitit 1870, “gjeniu i jetës”, siç e quante Zhorzh Sand, sapo kishte dhënë frymën e fundit.

Atë ditë që isha në Port-Marly, në mëngjesin që Garda Republikane përgatitej të përcillte për në Panteon eshtrat e tij të ardhura nga Villiers-Cotterets, këmbët më çuan padashur në livadhin e madh rreth shtëpisë, ku Dyma kishte varrosur dy shekuj më parë shërbëtorin e tij abisinas. Kureshtar, kërkova të shoh ndonjë gur të vjetër apo pllakë varri, por vetëm bari dhe gjelbërimi nën vesën e shiut shkëlqente përreth. Sidoqoftë ai abisinas besnik ishte varrosur aty, pasi Dyma nuk kishte dashur t’ua jepte shërbimeve funerale. Ai donte ta nderonte shërbëtorin e tij, pasi e konsideronte atë si njeriun e shtëpisë. Edhe të vdekur nuk donte ta largonte. Kështu ishte Dyma, një njeri me shpirt të madh që dashurinë dhe pasurinë e ndau me të tjerët. Një shpirt dhe një shkrimtar i madh!

5 veprat më të mira

– Le Comte de Monte-Cristo

– La Reine Margot

– Amary

– Les Trois Mousquetaires

– Le collier de la Reine


[1] Alexandre Dumas, Henri Troyat, Ed. Grasset, Paris, 2005.

[2] Alexandre Dumas le Grand, Daniel Zimmermann, Phebus, Paris, 2002.