Aeternam, Mozart!

Aeternam* Mozart…

—–

Mbrëmë vonë dëgjoja Mozart,

fon Karajan dirizhonte me duart e tij të brishta,

me gishtërinj prekte gojën e tij të hapur

sikur andej do të dilte vetë fryma e Mozart,

Requiem në Ré minor,

kjo meshë e madhe e botës në zi

me kaq qiej të përmbysur dhe diej të verbuar

meshë në oboje, violina, flaut, zëra njerëzorë e trombone,

requiem që ngrihet nga rrënojat dhe erërat që shfryjnë

nga kisha dhe jetë të rrënuara,

këndoni ju të vdekur,

ngrihuni e ngjituni në skenë

si Mozart kur vdiq në atë natë dëbore

dhjetori të acartë,

«Agnus Dei, qui tollis peccata mundi – donna eis requeim!»*

E unë dëgjoj e zhytem në detin e atij requiem-i të pafund,

pi requiem, dehem e mbytem në requiem

dhe qindra zëra ngrihen lart në një korr gjigand

që ngjan se zhvendos vetë botën,

zhytem poshtë gjithnjë e më shumë

dhe bie si një Titanik,

si një gjemi e mbytur

pa gjetur të shtrenjtin Mozart,

tretur në meloditë më të bukura të botës…

——

L.R. – natën, duke dëgjuar Mozart (21 korrik, 2018)

*- përjetësisht

* “Ti qengj i Zotit që merr lart mëkatet e botës: jepu atyre strehë”!