Abedin Dino: shtegtari i Portës Sublime

Atë ditë dhjetori të vitit 1993, kur Abedini kishte marrë rrugën drejt Portës Sublime, buzë Bosforit, intelektualët francezë përshëndesnin ikjen e një mjeshtri të madh dhe një artisti humanist.

Abedin Dino konsiderohej piktor turk, e njëkohësisht europian, por të paktë ishin ata që dinin se rrënjët e tij shtriheshin thellë në një tokë shqiptare.

Vite më parë kisha patur rastin të shikoja mjaft vepra të tij dhe sa më shumë i shihja aq më shumë hyja në artin e atij njeriu, krijimtaria e të cilit ishte një botë e larmishme ngjyrash e formash, figurative e abstraksioniste, në vizatime, skulpturë, qeramikë, kinematografi, letërsi, ese politike… Dukej se dora e tij kishte prekur gjithçka. Një jetë pasionante e lidhur me artin, ku gjithçka e tij, përfytyrimi për botën dhe njeriun kthehej në ngjyrë, në formë dhe fjalë. Njerëzit dhe natyra, shoqëria dhe mendimi, bota e gjallë e revolucionare dhe ajo metafizike. Bota në lëvizjen e vet, në lumin që rridhte, në erën që frynte, në ecjen përpara. Kështu lëvizte kjo botë në pikturën e tij. Jeta që ecte dhe ngjitej gjithnjë.

Të shkruash për Abedin Dinon, për veprën dhe jetën e tij, padyshim të shkon mendja në imazhin e lumturisë dhe të utopisë, pasi piktori e kërkoi këtë imazh gjithë jetën e tij, nga kalldrëmet e Stambollit dhe rrugët e pluhurosura të Adanasë e Anadollit e gjer në bulevardet dhe lagjet e vjetra pariziane. A nuk i kishte kërkuar një ditë miku i tij dhe poeti Nazim Hikmet: «Abedin, a mund ta vizatosh fytyrën e lumturisë

Nazim Hikmeti ishte poet i utopisë dhe «vëllai» i tij Abedin, në artin e ngjyrës e të formës, ishte dhe mbeti piktor i utopisë. Të dy ata, që në rininë e tyre ngjitën udhët e shoqërisë ideale të Campanella-s, të Thomas More-it dhe Karl Marksit, kërkuan idealin e vëllazërimit, të paqes, të lirisë dhe të dashurisë mbarënjerëzore. Poeti dhe piktori i ngjiteshin asaj udhe të vështirë e të panjohur, por vallë a e arritën atë. Poeti vdiq në kohën e kulmit të Luftës së Ftohtë dhe kur sputnikët i ngjiteshin qiellit. Piktori vdiq në pragun e luftës dhe masakrës së tmerrshme që bëhej në Ballkan. Shoqërinë ideale artistët e kërkonin prej shekujsh dhe sa herë i afroheshin asaj, do të ndodhte një luftë apo një kataklizëm njerëzor. Ishte utopia, shoqëria ideale që kërkoi Abedini gjithë jetën e tij. Ja pse, Abedini thoshte se ai ishte “pesimisti më optimist i kësaj bote”. Ishte pesimist se bota zhytej në luftra të reja dhe optimist, sepse i besonte gjithnjë utopisë dhe se një shoqëri ideale herët apo vonë do të ndërtohej një ditë në këtë botë.

Abedin Dino krijoi artin në shkallën më të lartë. Artin e frymëmarrjes dhe të ëndrrës njerëzore. Jetën në ngjizmën e saj të shqetësimit, të dhembjes, të klithmës për popujt e robëruar, të gëzimit dhe të shpresës së botës. Udhët e jetës dhe të mërgimit, ekzilin, mungesën e atdheut të tij, pamundësinë e kthimit në vendet e dashura të rinisë dhe në varret e të parëve të tij.

Abedini kishte “stinët” e tij në art. Në çdo “stinë” të artit të tij, ai shfaqej ndryshe, në ngjyra dhe në një formë të re. Stinët e tij ishin gjithnjë një festë e gëzueshme: skicat e Stambollit, etudet dhe peizazhet e Adanasë dhe të Anadollit, grafikat e luftës fshatare, tablotë e Antibes, seria e mrekullueshme “duarve”, “fytyrat”, autoportretet, „figurat gjeometrike“, „tulipanët otomanë“, “shënjat apo rrathët” e tij në frymën sufiste… Gjithnjë një formë e re. Ja pse Jashar Qemali e quante atë “piktor të ripërtëritjes”, piktor novator.

Një nga arësyet që më shtynë për tu marrë gjerësisht me këtë mjeshtër të pikturës, veç njohjes personale me të, ishte dhe origjina e tij shqiptare. Dinot ishin mjaftë të njohur në Shqipëri, por kur flitej për Abedin Dinon, piktorin, në mediat e huaja, por dhe në ato turke, nuk flitej për origjinën e tij shqiptare, madje, shumë vjet pas vdekjes së Abedinit, kur J. P. Deleage botoi librin e tij Abidin Dino – la main qui s’envole (Abedin Dino – dora që merr flatra), ai as që e përmend origjinën e tij, madje as kur flet për Abedin Pashë Dinon, atdhetarin e flaktë apo për birin e tij, Rasih Dinon, madje as kur shkruan për atë shqiponjë dykrenore gjigande që gjendej në dekorin e shtëpisë ku banonte familja e Rasih Dinos në Gjenevë, buzë liqenit. E habitshme, por dhe kur e shikon Abedinin e vogël pesë vjeçar që është i veshur me një kostum shqiptar dhe jo turk, kjo gjë nuk e bën kureshtar, apo nuk i intereson. Vallë një harresë e rastit, një lajthitje?… E sigurisht, ata ishin shqiptarë po aq sa ishin dhe turq.

Epilog

29 nëntor 1992. Galerie «Vieille du Temple». Një shi i imët piklon.

Me kamera në dorë fiksoj, ndoshta, momentet e fundit të jetës së artistit.

24 kuadro në sekondë. Jeta fiksohet në lëvizje.

Abedini më qesh ëmbël. Sy që kanë mirësi. I pëlqen që ta xhiroj, pra kjo nuk e shqetëson. Një bashkëpatriot i tij kërkon ta fiksojë në çastin, kur piktori do t’u tregojë njerëzve dhe miqve që ka ftuar veprat e fundit të tij. Visages, pile et face. (Fytyra, “kokë a pil”). Brenda imazhit, piktori, krijuesi, humanisti, njeriu. Revolucioni ka mbetur pas…

Në fytyrën plot rrudha jeta ka shënuar gjithçka : bredhjet boheme, ekzilin e gjatë, nostalgjinë përvëluese, kërkimin në universin e modernitetit. E veçanta, origjinalja, modernia në linjë, ngjyrë e formë. Gjithnjë kërkimi në alfabetin e krijimit.

Ai që adhuroi Eizenshtejnin dhe Xiga Vertovin.

Ai që besoi në trajektoren e utopisë dhe që ndaloi para enigmës së thelbit njerëzor ; ai që kapërceu pragun për të parë se ç’kishte përtej.

Gjithçka ky njeri na e tregoi përmes penelit dhe lapsit të tij.

24 kuadro në sekondë. Abedini kthen kokën nga unë dhe më tregon një kompozim me qindra portrete vizatuar brenda tij. Një mori portretesh. «Njëri prej tyre do të jetë gjithnjë ndryshe të tjerëve» – më thotë ai.

Eshtë turma në lëvizjen e zhurmëshme të saj, është lumi njerëzor që shkon, shoqëria njerëzore që gëlon. Pastaj, duke qeshur, largohet në mënyrë të fisme, elegante, drejt sallës tjetër, drejt hyrjes, për të pritur ata që do të vijnë. “Sigurisht, shumë shpejt do të vij”! – shton ai.

Zëri i tij është regjistruar me dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri.

Eshtë momenti kur piktori do të shoqërojë miqtë e tij, ritual që përsëritet prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh.

Ka shkuar tashmë të presë njerëzit. Brenda kamerës është fiksuar shikimi dhe e qeshura e ëmbël e tij. Eshtë fiksuar, gjithashtu, parakalimi i atyre portreteve në kuadrot e varura në mur.

24 kuadro në sekondë. Kështu, do mundim ta takojmë atë gjithnjë dhe, kështu, do imagjinojmë rrugëtimin e tij të gjatë nëpër Ballkan për të ardhur gjer këtu, në portat e një bote tjetër…